E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejt SHBA me çantën plot

Share

Nga Mero Baze

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, po niset për një udhëtim të pazakontë për ndonjë kryeministër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk është një vizitë zyrtare në qeverinë amerikane. Nuk është as ndonjë vizitë me kërkesë të tij pranë qeverisë amerikane. Nuk është as ndonjë kërkesë e qeverisë amerikane për t’u takuar me të, qoftë dhe në mënyrë informale. Është një udhëtim i një njeriu të frustruar nga ideja se Perëndimi po e izolon dhe kërkon tu tregojë qytetareve të vet se ka akoma vizë amerikane në pasaportën e tij dhe mund të udhëtojë përtej Atlantikut.

Për të theksuar më shumë anën e pazakontë të udhëtimit të tij, duhet të shpjegojmë dhe ku po shkon. Shoqata Vatra, lavdia e së cilës është shuar bashkë me themeluesit e ndritur të saj, ka 100 vjetorin e krijimit. Në zyrat e saj në Bronks të Nju Jorkut, gjendet vetëm hiri i veprimtarisë së Vatrës së dikurshme dhe thuajse asgjë kulturore dhe parimore nga ish- Vatra. Ata që sot përfaqësojnë Vatrën janë disa burra të urtë, pa pretendime kulturore apo politike, të cilët nuk kanë asnjë mënyrë për tu dukur që janë ende gjallë, përveçse të thonë që jemi me Sali Berishën.

100 vjetori i themelimit të Vatrës ndoshta nuk do të ishte festuar sikur Sali Berisha të mos kish nevojë për një arsye, që të shkonte në SHBA. Për tua mundësuar të mbeturve në Vatër këtë ceremoni, Berisha pagoi dhe shpenzimet e këtij aktiviteti, duke kompletuar kështu dhe dimensionin më të pazakontë të udhëtimit të tij drejt SHBA, shkuarjen atje, jo vetëm me dëshirën e vet dhe lekët e veta, por dhe me bukë me vete siç thuhet rëndom në rastin kur dikush e parapaguan dhe ushqimin që do të hajë atje.

Në një sqarim në distancë disa ditë më parë, ambasada e SHBA i tha portalit online Respublica se Berisha shkon i ftuar nga Vatra në SHBA, por miqtë e tij atje mund ti organizojnë një vizite ne muze apo dhe takime me njerëz të rëndësishëm të politikës në SHBA.

Kjo është ana e dytë e pazakontë e udhëtimit të një kryeministri drejt SHBA. Kuptohet pse politikanët në opozitë apo liderë të tjerë politikë e përdorin udhëtimin në SHBA për të rakorduar pikëpamjet e tyre me qeverinë amerikane, pasi janë jashtë qeverisë. Spahiu apo Rama dhe gjithkush tjetër në opozitë, (përveç Metës që ka punë edhe tek DEA), është logjike të vendosin kontaktet e tyre me administratën e SHBA, duke qenë në opozitë.

Por kryeministri i Shqipërisë është në kontakt me qeverinë amerikane çdo ditë, pasi ne jo vetëm që kemi ambasadën e SHBA në Tiranë dhe anasjelltas, por kemi dhe marrëdhënie shumë të mira me SHBA. Qeveria e Shqipërisë përfaqëson Shqipërinë në marrëdhëniet e saj me SHBA, dhe ky përfaqësim ka institucionet e veta, të cilat janë jo vetëm institucionet diplomatike apo ekzekutive, por është edhe protokolli i shkëmbimit të vizitave. Ky i fundit shpreh në një farë mënyre dhe afinitetin që qeveria amerikane ka ndaj lidershipit aktual në Tiranë. E vërteta është se ky protokoll pas vitit 2007 ka shkuar duke u zbehur dhe pas vitit 2009 thuajse ka rënë nën nivelin e ndihmës zëvendëssekretarit të shtetit, Kantrimen dhe më pas Filip Riker.

Përpjekjet e stërmundimshme të Berishës për të përdorur lobistët e vet, që në udhëtimet e tij për në Samitin e OKB të takojë zyrtarë të SHBA kanë rezultuar deri diku të dështuara. Edhe pse Berisha harxhoi së fundmi zyrtarisht 360 mijë dollarë, ato mjaftuan vetëm për një fotografi tek mbyllja e bursës NASDAQ dhe një forum shqiptar biznesmenësh në SHBA, që u bë sërish duke shkuar në SHBA me çantën plot.

Udhëtimi i Berishës drejt SHBA sërish me këtë logjikë, duke përdorur një ceremoni të parapaguar prej tij me shpresë se aty do të takojë Jozef Bajden, Hilari Klintonin, Blumbergun apo Engëllin, është fyese për shtetin shqiptar. Sali Berisha është kryeministri i Shqipërisë dhe jo hallexhiu i PD-së që do të rregullojë punët e veta me pare. Dinjiteti i shtetit shqiptar e do që kur ai të shkojë në SHBA të jetë mysafir i SHBA dhe jo i shqiptarëve apo lobistëve të tij. Me ata mund të takohet kur të dojë e ku të dojë, por jo në kontekstin e një pazari për të rrëmbyer ndonjë foto me ndonjë politikan të SHBA meqë është në hall me qeverisjen në Tiranë.

Ky është një standard poshtërues për shtetin shqiptar, i cili po vihet në shërbim të Sali Berishës, në vend që Sali Berisha të ishte një shërbëtor i tij. Ai po shkon në SHBA jo se shteti shqiptar është në hall me shtetin amerikan, pasi marrëdhëniet mes dy shteteve janë të shkëlqyera, por se pushteti i tij në Tiranë është në krizë me Perëndimin dhe Berisha kërkon të blejë heshtjen e SHBA ndaj tij dhe regjimit të tij. Duke e pasur të pamundur të bëhet një lider properëndimor dhe të ndjekë në Shqipëri politikën e Perëndimit, si gjithë diktatorët që rrjedhin kur plaken, ai ka marrë valixhen në dorë dhe mendon se do ta rregullojë këtë punë me lekë. Fillimisht ka paguar faturën e drekës për të cilën gjoja do të shkojë. Ajo drekë bën 36 mijë dollarë dhe po paguhet nga taksat e qytetarëve shqiptarë. Të tjerat i ka në valixhe, i ka pa faturë dhe për hallin e tij. I duhen ato pare të blejë një foto, doemos me dikë prej nga Jozef Bajden e poshtë. Nuk ka rëndësi çdo ti thonë, çdo tu thotë, e çdo bëjë më pas. Thjesht i duhet ajo foto, ndaj do të niset sot, gati ilegalisht, me çantën plot, në shtëpinë ku nuk e ka ftuar askush.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›