Nepotizmi si përafrim sklerotik
Kriza e borxheve dhe skleroza politike
Disa muaj më parë, pas një referimi në Institutin e Diplomacisë Kulturore në Berlin, u ula për të pirë për një kafe me pjesëmarrësit. Njëri prej tyre, një i ri gjerman ishte krejt i pakënaqur nga sakrifica gjermane për kapërcimin e krizës financiare brenda Eurozonës. Sipas tij kishte arsye të mjaftueshme për të besuar se ai dhe bashkëkombës të tjerë, ashtu si dhe të gjithë qytetarët e BE-së, kishin rënë në duar qeverisëse jo vizionare e të afta. Po ashtu, ai ishte i bindur se ky perceptim negativ ishte më i theksuar ndërmjet qytetarëve të tjerë të Eurozonës, sidomos në vendet e tronditura nga kriza e borxheve si Greqia, Irlanda, Italia, Portugalia, Spanja etj… Në këtë lloj perceptimi ka dhënë ndikimin e vet edhe dështimi i modelit social europian. Ky model nga një anë ka mishëruar përmbajtjen e institucioneve të tregut (p.sh., lirinë e çmimeve), kurse, nga ana tjetër, ka tentuar një rishpërndarje të pasurisë, brenda një shteti të mirëqenies sociale e rregullimeve të forta në tregun e punës. Përgjithësisht, ndërhyrjet e koordinimet nga lart-poshtë brenda qeverive kombëtare e europiane janë realizuar e kontrolluar nga politikanë profesionistë.
Rasti më tipik i abuzimit ka qenë ai në ekonominë greke, ku në dekada kanë qenë jashtë kontrollit shpenzimet qeveritare apo janë konstatuar incentiva të pamenduara mirë, një korrupsion i lartë në administratë, një sektor publik me përmasa të stërmëdha dhe jo efektiv (deri duke paguar dy persona për një vend pune!…). Nga ky ushqim yndyror në vite u shfaq dhe u rëndua skleroza greke. Ajo, në një mënyrë ose tjetrën, është dhe pasqyrim i Eurosclerosis, krahas shpalosjes së avokatisë për më shumë centralizim në politikën ekonomike, për më tepër rregullime në luftën kundër abuzimeve dhe koordinimit në nivel evropian. Deri diku, shfaqje e kësaj skleroze është edhe mosnjohja e mirë e funksionimit dhe administrimit të sektorit jo publik, të ndërmarrjes private nga shumica e parlamentarëve të legjislaturave kombëtare e evropiane. P.sh., në një rast të kohëve të fundit, në Senatin francez nga 331 anëtarë të tij vetëm 30 anëtarë ishin aktivizuar apo kishin punuar më parë në sektorin privat. Sidoqoftë, nuk është thjesht problemi tek mungesa e ndjeshmërisë së brendshme ndaj sektorit privat, por tek mbështetja konkrete legjislative ndaj biznesit e ndërmarrjes private, përfshirë dhe kapacitetin e punësimit prej tij. Mbi të gjitha, për ta vlerësuar atë drejt dhe jo nëpërmjet të ardhurave në buxhet dhe shifrave tatimore! Madje, po ta analizosh situatën e sotme kritike, krahasuar me atë të mëparshme, klasa politike ose ka mësuar pak, ose nuk ka mësuar asgjë nga e kaluara, pa harruar asgjë të prodhuar prej saj. Shembull tipik për këtë është Greqia! Dhe, si gjithmonë, janë qytetarët që paguajnë çmimin e gabimeve të shumta të qeverisjes, jo vetë mjeshtërit politikë të saj. Kjo ka bërë që të regjistrohet një ulje besimi ndaj vetë klasës politike!…
Rënia e besimit ndaj klasës politike
Probleme besimi mbi klasën politike shfaqen, si në vende të tjera, edhe në Shqipëri. Sidomos vitet e fundit, kriza e borxhit kudo ka tronditur rëndë besimin qytetar ndaj klasës politike europiane. Aq më tepër që, gjatë këtyre 50-60 vjetëve, kjo klasë politike i kishte siguruar qytetarët e Europës se dinte se çpo bënte, se ku po shkonte, se çdo të arrinte. Por, ndryshe shihet situata kritike aktuale. Me ngërçin e saj, sot, ajo godet çdo vend, shtresë e derë, po i hap sytë çdo qytetari europian. Madje, ky i fundit, në situatën e sotme është tepër i pakënaqur. Për më tepër, ai e ndien se, në përballimin e kësaj krize, reagimi politik i kësaj klase në të shumtën e rasteve është kontradiktor e konfuz, për më tepër më shumë se zgjidhës, është i karakterit elektoral e pushtetmbajtës. Nga ana tjetër, kjo situatë e paqartë ka krijuar perceptimin se tronditja në vendet kryesore të Eurozonës dhe në ShBA është pasojë e të njëjtit përafrim e model të aplikuar në dekada nga klasa drejtuese, i një konceptimi të rafinuar në formë gjatë viteve, por i papërpunuar në përmbajtje, deri duke lejuar abuzime e prodhime toksike. Dhe vetë klasa politike ka mbetur relativisht prapa evolucionit shoqëror. Ndërkohë, përshtatja ndaj realiteteve të reja në kushtet e globalizimit e ndërvarësisë, revolucionit në fushën e informacionit e telekomunikimit, medias sociale etj., ka nevojë për procese shumë më tërësore në përtëritjen e zëvendësimin e gjeneratave, për kualifikime profesionale e seleksionime cilësore, vlerësime ndershmërie, personaliteti e integriteti, larg pistonave politikë të dinastive partiake e familjare…
Dinastitë politike në demokraci
Pohimi i fundit bëhet më intim po të analizohet dukuria e trashëgimisë midis disa familjeve politike në disa vende europiane. Kështu, Jorgos Papandreu (i riu) si kryeministër, deri diku, pagoi dhe mbajti politikisht edhe peshën e dinastisë, së cilës i takonte (me gjyshin Jorgos Papandreu dhe babain e tij Andreas Papandreu, disa herë kryeministra të Greqisë). Raste të ngjashme ndeshen dhe në ShBA. Aty, p.sh., dallohen familja Kenedi (me një president, 3 senatorë, 4 përfaqësues dhe 1 anëtar kabineti), familja Ruzvelt (me dy presidentë, një zëvendës-president, dy guvernatorë dhe 4 anëtarë të dhomës), familja Rokfeler (me një zëvendëspresident, 3 guvernatorë, 2 senatorë dhe 2 anëtarë të dhomës). Familjet Harrison dhe Adams rreshtohen në vendin e katërt dhe të pestë në këtë listë, kurse në dekadat e fundit, si dinasti e gjashtë mund të konsiderohet familja Bush (me 2 presidentë, i pari duke shërbyer dhe si zëvendëspresident, 2 senatorë, 2 guvernatorë dhe një anëtar të Gjykatës së Lartë). Krahasuar me rastet e mësipërme, në fazën e sotme nuk mund të klasifikohet si dinasti politike familja Klinton.
Por le të kthehemi në Europë. Kështu, në Greqi, siç u theksua më sipër, kanë dominuar në dekadat e fundit familje të tilla politike, si Papandreu, Karamanlis dhe Mitsotakis. Ndërsa, në Francë, në garën brenda PS-së franceze për kandidatin për President, krahas Holande, ishte kryetarja e partisë Obri – vajza e Zhak Delorit (President i Komisionit Europian dhe ministër Ekonomie nën presidentin Miteran). Ndërkohë që Segolen Royal, kandidatja socialiste për presidente e Francës në zgjedhjet e vitit 2007, ka qenë partnerja e Holande për një periudhë 30-vjeçare. Njëlloj, nipi i Miteranit ka qenë ministër kulture nën presidentin Sarkozi. Vetë djali i këtij të fundit u zgjodh këshilltar në nivel qyteti në moshën 22 vjeç. Rast më tipik është ai i Frontit Kombëtar, ku Lë Peni i lë trashëgiminë e partisë vajzës së tij. Akoma më tipike janë dinastitë politike në Irlandë (Aty në legjislatura të ndryshme, që nga shpallja e pavarësisë më 1922 e deri më sot, ndeshen familje politike si Dillon, Esmond, Redmond, Sullivan, etj.).
Megjithatë, në shumicën e vendeve të zhvilluara, këto lloj transferimesh politike-familjare, në prani të një demokracie pjesëmarrëse, opinioni të shëndoshë publik dhe media vigjilente e qytetare, administrate civile jo partiake, Gjyqësori të pavarur apo institucionesh të tjera mbi palët, nuk kanë prodhuar situata problematike e autokratike, nuk kanë prekur dot thelbin e demokracisë dhe ta zbehnin atë. Gjithashtu, vlen të theksohet se shumica e politikanëve europianë kanë ndjekur rrugën e tyre të rritjes, nisur nga angazhime e kontribute të thjeshta, në pozicione më të larta partiake e përfaqësuese, pa pistona familjarë; Ndryshe nga rekrutimet politike-partiake të viteve të fundit në Shqipëri…
Nepotizmi si variant shqiptar parapërgatitor i dinastive politike
Në rastin shqiptar, sistemi politik në kuptimin demokratik dhe të qeverisjes konsiderohet hibrid
