Rama kundër Ramës, piktori i 1992 përballë politikanit të 2012
“Njeriu është armiku më i keq i vetes së tij”. Për të verifikuar këtë thënie të Ciceronit romak mjafton të lexosh një intervistë të Edi Ramës të bërë në vitin 1992, i intervistuar si piktori që jepte përkufizime profetike, si kjo, “Politika më është dukur gjithnjë si një shkallare pa fund, në çdo shkallë të së cilës, duke u ngjitur, duhet të besh kurban një pjesë të vetvetes” (Gazeta Drita, 26 prill, 1992). Plot 20 vite Edi Rama i ka ngjitur pothuajse të gjitha shkallët e shkallares së pafund, Edi Rama është sot politikani i dytë më i rëndësishëm vendit, që ka bërë kurban çdo gjë që besonte dhe mendonte sinqerisht, pa dorashka morale. Kur shikon Ramën e sotëm që ka tradhtuar krejtësisht piktorin antipolitik të fillimeve të demokracisë kupton fare qartë metamorfozën jo për mirë të këtij njeriu. Janë dy njerëz të ndryshëm që përshëndesin njeri tjetrin me dorë nga larg. Rama i djeshëm i buzëqesh djallëzisht Ramës së sotëm.
Kuptohet vetiu është e pamundur të lexosh intervistën e piktorit Rama në 1992 dhe të parashikoje se pas dy dekadash ky njeri do të ishte kryetar i Partisë Socialiste. Vetëm një aksident historik mund ta bënte atë kryetar të asaj partie, Partia Komuniste e transformuar brenda ditës Socialiste, që e cilësonte si “arkiv e krimit”. Edvin Kristaq Rama (kështu ka qenë regjistruar në gjendje civile dhe më pas do ta ndryshonte në, Edi Kristaq Rama) ka qenë një dashnor inkoherent i lëndës së historisë. Mbahet mend studimi i tij “Refleksione”, ku Edi Rama u përpoq të bindtte opinionin se kishte qenë i vendosur në fillim të 1991-t të merrte pjesë në rrëzimin e diktaturës, bile edhe të bashkëpunonte me pjesën më radikale që kërkonte ndryshim, por s’kishte mundur të bënte sa duhej, sepse pjesa që u printe demonstratave s’e kishte mirëpritur. Në faqen 180 të “Refleksioneve” në bashkëpunim me djalin e Bilbil Klosit, Ardianin, në paragrafin e tretë të këtij libri, kësaj radhe vetë Edi Rama shkruan: “Duhet pranuar më në fund, hapur, që lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile (...) Prandaj nuk sjell ndonjë fryt të madh pajtimi midis Partisë Demokratike me atë Socialiste ose Ekologjike, por në radhë të parë pajtimi midis ish-palëve pjesëmarrëse në Luftën Civile (dhe trashëgimive të tyre), shkaktare e së cilës ishte Partia Komuniste Shqiptare e drejtuar nga emisarët jugosllavë. Historia e luftës për pushtet që kishte projektuar gjenerali Enver Hoxha dhe marrja e pushtetit me dhunë që ka qenë thelbi politik i çdo lëvizje komuniste, është shkaku i vetëm që ajo luftë e nisur kundër okupatorit, degjeneroi në lufte civile… Prandaj nuk kanë asnjë kuptim thirrjet për harresë dhe për mbyllje dosjesh, kur nuk janë zgjidhur probleme kardinale si Lufta Civile…..”
Gjithashtu në faqen 182, Edi Rama godet poshtë brezit pa asnjë hezitim Partinë Socialiste, në origjinën dhe historinë e saj, paçka se sot ai është kryetar i saj. Çfarë inkoherence intelektuale! Nejse, Ai shkruan: “Denoncimi pa kompromis i veprimtarisë kriminale të PPSH-së deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit është i vetmi shteg nga duhet të kalojë PSSH-ja për të fituar të drejtën e qytetarisë në shoqërinë e ardhshme shqiptare … Për sa kohë PS-ja nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj, ajo s’mund të ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme”.
Mirëpo në këtë shkrim, kryesocialisti i sotëm Edi Rama denoncon faktin sesi kryeministri i sotëm dhe presidenti i atëhershëm Sali Berisha nuk e nxjerr jashtë ligjit Partinë Socialiste. Me zell të paparë, Ai i kërkon Berishës që të detyrojë Partinë Socialiste të mohojë origjinën dhe historinë e vet, të mohojë kështu Luftën Antifashiste Nacional çlirimtare, luftën që i dha Shqipërisë fitoren ndaj fashizmit, dhe lirinë e shumëpritur. Për ironi të fatit, Edi Rama sot është në krye të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe çdo 16 shtator shkon dhe bën apoteozën e diktatorit Hoxha në Pezë. Kësaj çfarë i thua tjetër përveçse amoralitet historik.
Ky deficitar morali, bashkë me një politikë shtinjake dhe manipulimi të debatit publik kërkon dhe po mban në krahun e djathtë të tij, ish-ministra sigurimi, si Gramoz Ruçi. Po ashtu çdo 5 Maj, Edi Rama shkon në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të vendosë atje kurorën e tradhtisë ndaj dëshmorëve dhe gjakut të tyre. Nga antikomunist shovinist, nga njeri që e quajti PS-së parti ilegale tek kryetari i kësaj partie. Kjo në gjuhën e politikës amerikane quhet flip-flop. Dhe bile flip-flop kur ndryshon një apo disa ide kryesore të mendimit politik dhe jo tërë idetë 100%. Ky është një nga treguesit se kush është Rama.
Fondi i thënieve dhe kundërthënieve të Ramës në kohë, role dhe funksione të ndryshme publike është kaq i madh sa gjatësia proverbiale e tij. Gjithsesi po citoj në mirëbesimin të memories kundërthëniet e ideve politike. Së pari pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2005 nga ana e Fatos Nanos, Edi Rama shkroi dy faqe gazetë tek “ZP” duke deklaruar se kryetari i partisë që humb zgjedhjet jep dorëheqjen. Mjerisht për të, e shkroi edhe ne Statutin e Partisë (neni 28. Mandati i Kryetarit të Partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur: a) jep dorëheqjen; b) partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative); pa parashikuar se do t’i kthehej një bumerang. Sepse Edi Rama pati fatkeqësinë që humbi zgjedhjet, edhe pse dorëheqjen nuk e dha. Bile standardet e dyfishta u shfaqen tek tha se “po ika, s’kanë më të mirë”. Premtoi politikë të re dhe prodhoi të kundërtën me riciklimin në politikën e lartë opozitare të fosileve të komunizmit si Gramoz Ruci, Namik Dokle apo/dhe Valentina Leskaj, etj. Ai deklaroi se nuk ishte politikan por qytetar i thjeshtë, sepse në fakt nuk donte të përzihej me dështimin e politikanëve, ka një arsye që ai nuk dëshironte ta quante veten politikan, sepse si i tillë kjo fjalë mbart me veten edhe pasojën e dështimin,çka ai nuk e duron dot. Por më 15 janar 2008, Edi Rama bëri deklaratën e çuditshme: “Unë nuk jam politikan”, medemek si Ronald Regan, deklaratë të cilën “Zëri i Popullit” të nesërmen, më 16 janar 2008, e kishte vënë në krye të faqes së parë. Kamuflazh patetik i populizmit makiavelist. Si të mos njihej rebelizmi i tij dhe dalja jashtë disiplinës tradicionale partiake, kur një ditë ai u thirr në krye të njërës prej dy partive më të mëdha të vendit dhe e ktheu partinë më të madhe opozitare në shtojcë të mendimeve dhe qëndrimeve të veta, duke eliminuar çdo mendim ndryshe. Përgjatë grevës së urisë pati thënë se nuk dalim gjallë nga çadra e lirisë pa u hapur kutitë, kur pas dy ditësh kërkoi një darkë në Strasburg. Po ashtu në fillim pati refuzuar Komisionin e Venecias dhe më pas tha se ishte gati të shkonte në Venecia. Po sjell këtu disa pasazhe me standard të dyfishtë: Edi Rama i parë: “Këshilli i Evropës mund ta pyesë Komisionin e Venecias, nëse do të sqarojë më mirë këndvështrimin e vet. Ne nuk kemi nevojë as ta pyesim Komisionin e Venecias dhe as presim nga Komisioni i Venecias të na e zgjidhë ne problemin”. Ja edhe Rama mbas pak kohësh, ku opinioni interpretativ i Komisioni Venecias njëherë nuk pranohet dhe herën tjetër kërkohet si skaf shpëtimi: “Jemi gati për zgjidhje transparente përmes një hetimi që fillon me hapjen e kutive të të gjithë dokumentacionit zgjedhor, ndërsa hapjen e kutive të votimit t’ia lëmë një pale të tretë siç është Komisioni i Venecias”.
Sakaq Edi Rama edhe miqësinë e ka hipokrite, sepse mjafton këtu të sjellësh intervistën në dhjetor 2004 (Blendi Fevziu...Jeta ime” f.q. 161) ku gjejmë një fokusim total të asaj çka mendonte Rama për Spartak Ngjelën: “Spartak Ngjela është një figurë tjetër, ai është libertar dhe libertin, nëse do t’i bënim një karakterizim, është një person, i cili ka një elokuencë të admirueshme, por që, sa më shumë kalon koha dhe sa më shumë e njeh, aq më shumë kupton se ka një kulturë shumë të kufizuar, ka një kulturë të përmbledhur..”. Siç mund të kuptoni në këtë intervistë, Edi Rama po përkufizon Ngjelën si një demagog që flet pa menduar sepse nuk ka lexuar”. Mirëpo veç të lexosh më poshtë kur Edi Rama cilëson me etiketime Ngjelën: “Spartaku është plotësisht eklektik, i papritur, i këndshëm, suprizues, qesharak, sharlatan...i cili aranzhon shumë mirë, pasi është një person, i cili nuk është as i moralshëm, as imoral, por është amoral”. Më e bukura është se Edi Rama në dhjetor të vitin 2004 e konsideronte Spartak Ngjelën një njeri amoral, që është imoral dhe çka është me e keqja nuk ka moral. Kurse sot ai është këshilltari më i mirë i tij.
Padyshim ngel pa frymë në stomak kur mëson se Edi Rama përherë e më shumë po tregon se është një politikan i paparashikueshëm dhe i zhdërvjellët në qëndrime etike e politike. Nevoja është nëna e shpikjeve. Ai nuk i qëndron besnik asnjë parimi asnjë kauze apo deklarimi të mëparshëm pse çdo veprim i dytë i tij hedh poshtë aksionin e parë. Kështu ndodhi me zgjedhjet, me protestat, me bojkotin parlamentar, me grevën e urisë. Edhe pse martohet për të tretën herë ai përditë konsumon tradhti verbale kundrejt simpatizantëve socialistë. Ky moral i zhdërvjellët i Ramës, i cili edhe pse i thotë të bardhës të zezë, po ashtu me non-chalance mund t’i thotë të zezës së bardhë. Kundërthënia është filozofia politike e Ramës.