E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejt Tiranës foshnja e braktisur. U gjet e gjalle në një kosh plehrash

Një bebe dy ditëshe e gjetur e gjallë në një kazan plehrash në Pogradec do të transferohet në Shtëpinë e Fëmijës në Tiranë. Mjekët e spitalit të Pogradecit janë duke u kujdesur për foshnjën e seksit femër e cila ka kaluar rrezikun për jetën.

Një ditë më parë një çift bashkëshortësh që pastrojnë rrugët e Pogradecit kanë gjetur në një kazan plehrash në lagjen 2 të qytetit një fëmijë të mbyllur në një qese plastike. Të alarmuar ata e kanë çuar vogëlushen në maternitetin e Pogradecit dhe kanë njoftuar dhe autoritet e policisë lokale.

Bebja që sipas mjekëve ka lindur vetëm dy ditë më parë, ka pësuar një dëmtim në kokë, por falë gjetjes së saj në kohë i ka shpëtuar vdekjes nga asfiksia.

Ndërsa, policia e Pogradecit është duke hetuar për gjetjen e prindërve biologjikë të saj të cilët akuzohen për veprën penale të “Braktisje së fëmijëve të mitur”.

Ngjarja e rëndë ka tronditur qytetin, pasi ky është rasti i dytë brenda dy javësh. Rasti i parë ishte tragjik ku një bebe e seksit mashkull u gjet e vdekur në tarracën e maternitetit të këtij qyteti. Dhe në këtë rast fëmija nuk ka lindur në spital, ndërsa dyshohet të ketë ardhur në jetë nga një lidhje jashtë martesore.

Albana çakshiri

Azhornuar së fundi ( e enjte , 17 qershor 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›