E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhërrëfyesipër vizat derinë fund të verës

BRUKSEL- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Bruksel është takuar me komisionerin për Zgjerim të BE-së, Stefan Fule, ndërsa zyrtarë evropian kanë shprehur qëndrimin se deri në fund të verës pritet që Kosova të pranojë Udhërrëfyesin për liberalizim të vizave.

Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës bëhet e ditur se temë e takimit ndërmjet kryeministrit Thaci dhe komisionerit Stefan Fule ka qenë thellimi i përkushtimit të institucioneve të Kosovës për perspektivën evropiane, procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe marrëveshja tregtare me BE-në.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi thuhet ta ketë njoftuar komisionerin për të arriturat e institucioneve vendore, për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, duke kërkuar njëkohësisht mbështetjen e tij për arritjen edhe të një vote shtesë të nevojshme për anëtarësimin e vendit në këtë institucion të rëndësishëm financiar.

“Kosova është në pritje të rekomandimeve të BE-së për pyetësorin për marrëdhëniet tregtare. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përgatitur dhe e gatshme për pranimin e Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, theksoi Thaçi, duke shtuar se Kosova ka ndërtuar raporte shumë të mira me fqinjët, me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, si dhe është e interesuar të ndërtojë raporte të mira fqinjësore, si dy shtete të pavarura edhe me Serbinë, në shërbim të bashkëpunimit rajonal.

Përfaqësuesit e Komisionit Evropian thuhet ta kenë falënderuar kryeministrin Hashim Thaçi për suksesin e arritur nga Qeveria e Kosovës në përmbushjen e kritereve teknike në funksion të pranimit të Udhërrëfyesit për liberalizim të vizave. Ata kanë shprehur qëndrimin se deri në fund të verës, pritet që Kosova të pranojë Udhërrëfyesin për liberalizim të vizave.
(m.a/tg/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›