E Diel, 1 Nëntor 2026

Bekim Fehmiu Presidenti Topi:Aktor i paarritshëm

TIRANE-Presidenti i Republikës Bamir Topi i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi familjarëve të aktorit të madh Bekim Fehmiu për ndarjen nga jeta të njeriut të tyre të dashur. Kreu i shtetit ka vlerësuar maksimalisht figurën e Fehmiut.

“Në këto çaste të dhimbjes suaj familjare, gjej rastin t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj të dashur, aktorit të madh e të paarritshëm, Bekim Fehmiu!

Në kujtesën e kombit shqiptar Bekim Fehmiu është skalitur me tiparet e një aktori të jashtëzakonshëm, me elegancën dhe virtuozitetin aktorial, si dhe me fisnikërinë e botës së tij të brendshme dhe individualitetin burimor, të cilat e vendosën atë në majat e kinematografisë botërore dhe njëkohësisht të krenarisë sonë kombëtare”.

Në mesazhin e Presidentit shprehet keqardhja që ndjeu kur mësoi lajmin për humbjen e aktorit. “Lajmi për humbjen e këtij njeriu të shquar, i cili me artin e tij përjetësoi në mënyrë unikale heronj e karaktere nga më të spikaturat në kinematografinë botërore hidhëroi miq, kolegë, adhurues të artit të tij skenik, shkaktoi dhimbje e keqardhje për artdashësin shqiptar dhe adhuruesit e kinemasë anë e mbanë botës, po ashtu krijoi një boshllëk shpirtëror tek të gjithë ata, të cilët e njihnin dhe ndanin me Bekim Fehmiun të njëjtat vlera artistike e njerëzore.

Më lejoni që nëpërmjet këtij mesazhi t’ju gjendem pranë shpirtërisht për të ndarë me ju këto momente të vështira! Ngushëllimet më të ndiera!”, citon mesazhi i Presidentit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›