E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejt fitores pa lavdi?

Nga Kristo Thoma

Kristo ThomaRasti i Xhuvelit mbahet mend si i pari që tjetërson votën e fituar në njërën llogore duke e kaluar me një kovë më pas në llogoren tjetër elektorale, pa u shqetësuar aspak për dëshirën apo mendimin e atyre që e kanë dhënë atë votë. Shumëkush u çudit atëherë duke zgurdulluar sytë në ekranin e televizorit, ku në sfond dukej një tavolinë në të cilën ishin ulur përballë njëri-tjetrit Berisha dhe Xhuveli. Partia Agrare po përdorte votat e marra nga zemërgjerësia e Dushkut të majtë për të hyrë në qeveri me PD-në. Por me kalimin e kohës çudia e humbet magjinë. Berisha sapo kishte hapur rubinetin me moral të helmatisur. Katër vjet më vonë ky helm do të rridhte duke e përhapur infeksionin. Në prag të zgjedhjeve të 2009-ës, në listën e koalicionit të gjatë të kryesuar nga PD-ja habiste emri i PAD-së kryesuar nga Neritan Ceka, një ish kundërshtar i fortë i Berishës gjatë vitit të mbrashtë 97. Po ashtu edhe Gaqo Apostoli ishte pjesë e atij koalicioni.

Partitë e këtyre zotërinjve sot (pothuajse) nuk ekzistojnë, por shërbimin e kryen.
Megjithatë çudia më e madhe nuk kishte ndodhur. E paimagjinueshmja, e papranueshmja do të ndodhte në përfundim të zgjedhjeve të qershorit 2009. Helmi ishte përhapur më shpejt se parashikimet. Mesa duket shoqëria ku po përhapej ishte terreni më i përshtatshëm. LSI-ja, pjesa socialiste e njohur si opozita më e fortë dhe e egër kundër Berishës deri atëherë, bëhet pjesë e qeverisë së tij. Forca politike me fushatën e ndërtuar mbi premtimin e rrënimit të Berishës, i jep mundësinë atij të qeverisë Shqipërinë edhe për katër vite të tjera. Dihen reagimet e atëhershme: disa u larguan nga LSI-ja, disa nuk mund të pranonin që vota e tyre i kishte shërbyer kundërshtarit, disa e pranuan këtë realitet, dhe disa të tjerë madje e shfrytëzuan për të fituar poste qeveritare dhe jo vetëm. Socialistët të përfaqësuar në parlament me forcën e parë edhe të tretë politike në vend, paradoksalisht e shikonin veten, sërish, të udhëhequr prej demokratësh. Një situatë absurde ku morali ishte i munguari i madh. Ata e vuajtën shumë këtë paradoks në dy vjet të mbushura me urrejtje ndaj njëri-tjetrit, me acarime e nerva të tendosura, me akuza e kundërakuza, kërcënime, fyerje, etj.

Por në një vend si i yni çudi të tilla duket sikur zgjasin më pak se gjetkë. Shoqëria jonë gëlltit thuajse gjithçka të pamoralshme në emër të pragmatizmit personal. Prandaj edhe helmi depërton kollaj. Ndoshta, në emër të moralit, pritej që LSI-ja të merrte një kosto për vendimin e saj, por e kundërta ndodhi në zgjedhjet lokale dy vjet më vonë, në vitin 2011. Ajo e dyfishon rezultatin. Kështu, në një farë mënyre, veprimi politik i saj vlerësohet. Kjo do të thotë që ne, në vend që ti kundërshtojmë apo luftojmë, i mirëpresim lëvizje të tilla, për hatër të pragmatizmit politik apo ekonomik. Mirëpo kur baza e shoqërisë në heshtje, ose jo, pranon të korruptojë dhe korruptohet kudo në çdo fushë të jetës, mjafton që të përfitojë një shërbim të vogël ose të madh në një moment të caktuar, pa menduar për të nesërmen, atëherë ku mund ta gjejë të drejtën ti kërkojë majës së piramidës veprime të moralshme? Për më të tepër asaj maje që e ka zgjedhur vetë? Prandaj mendoj se në tërësi shoqëria jonë merr ndëshkime të herë pas hershme morale prej klasës politike. Në fakt më shumë se ndëshkim mund ta quajmë përshtatje të klasës politike me elektoratin.

Tani kur helmi i doktorit i kapi të gjithë, baza socialiste për të disatën herë ndihet e tradhtuar dhe e lënduar. E vetmja siguri që merr në këtë rast është se nuk është hera e fundit që do të ndihet kështu. Dhe këtë rradhë është vënë para një dileme drithëruese: të mbështesë një bashkim që i krijon një lëmsh në fyt me grushte të shtrënguara dhe sy të lagësht, apo të ndihmojnë në mënyrë të tërthortë pushtetin e krijuesit të helmit moralvrasës??? Asaj i është hequr e drejta për një fitore të vështirë dhe të merituar për më shumë se 100 arsye, duke iu ofruar një fitore pa lavdi dhe me vlera të cunguara e të dyshuara.

Tek ky kod elektoral kaq i keq po gjej disa pikëza pozitive, po gjej një zgjidhje për këtë dilemë. Mund të votohet kundër Berishës dhe njëkohësisht kundër këtij bashkimi entusiazëmfikës. Kjo mund të bëhet duke votuar brenda koalicionit për një nga ato forca të tjera që janë të majta dhe kanë vuajtur në opozitë gjithë këto vite. Kanë qenë midis gurëve dhe plumbave më 21 Janar dhe që sot janë kundër shkrirjes së pushtetit me opozitën. Nëse votat do të shkojnë më shumë për këto subjekte të koalicionit në dëm të dyshes kryesuese, socialistët që kanë vuajtur këtë qeverisje, psikologjikisht, ekonomikisht, etj, mund të japin më 23 Qershor një mesazh të fortë: jemi kundër Berishës dhe kundër këtij amoraliteti të menduar me papjekuri.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›