Verdikti nga elektorati për koalicionin PS-LSI
Nga Majlinda Bushja
Sot më shumë se kurrë partia Lëvizja Socialiste për Integrim është kthyer në mollë sherri pas tërheqjes së ministrave të saj nga qeveria dhe pranimit të ftesës zyrtare të Partisë Socialiste për bashkimin e së majtës. Ftesa e Partisë Socialiste para pak ditëve zemëroi shumë shpejtë disa nga aleatët e saj më besnikë të (PSD-së), (PSV-91-së), (PDS-së), etj, ku pa kaluar as tri ditë u hedh ideja për krijimin e një Poli të Tretë. Kthimi i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim tek e majta krijoi tension jo vetëm mes aleatëve të majtë, por edhe brenda vet grupit të Partisë Socialiste. Pa kaluar as dy ditë nga këto zhvillime politike të rëndësishme prej Partisë Socialiste u larguan dy deputetë, Asllan Dogjani i Kukësit dhe Gjovalin Kadeli i Lezhës, ndërkohë që më parë ishte larguar një nga personalitet e politikës së majtë shqiptare që ka kontribuar për vite me radhë në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, peshë e të cilëve u ndje shumë shpejt në parlament në votimin e kabinetit të ri.
Ndërkohë që qëndrimi i fundit i së majtës krijoi jo pak habi dhe kundërshti tek elektorati i majtë. Ndërkohë që, kjo u justifikua nga politika se gjithçka bëhet për të mirën e Shqipërisë, për integrimin e saj në Evropë, për një rilindje shqiptare, sepse tashmë është i nevojshëm një rotacion politik, se ujërat nuk duhet të rrinë në një vend. Pasi thirrje për bashkimin e së majtës (PS-LSI) u bënë edhe nga deputetë të majtë evropianë: Sergei Stanishev, Presidenti i Partive Socialiste Evropiane, Gianni Pittella zv. Presidenti i Parlamentit Evropian, George Papandreu, Presidenti i Internacionales Socialiste, Massimo DAlema, Presidenti i Federatës për Studimet Europiane Progresiste, e gjithë kjo thirrje u bë në emër të një fitoreje të sigurt për Partinë Socialiste e cila prej dy mandatesh qëndron në opozitë.
E gjithë situata politike e krijuar së fundi kërkoi domosdoshmërisht të shohim rrugëtimin e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim që nga krijimi i saj deri më sot, veçanërisht në zgjedhjet e përgjithshme në vend për të parë ecurinë e saj.
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim u krijua pas një konflikti të kryeministrit të atëhershëm Fatos Nano dhe ish- kryeministrit Ilir Meta në 10 shtator të vitit 2004 i cili në atë kohë i mori Partisë Socialiste 8 deputetë. Kjo frakturë e së majtës, përçarja, (sepse deri në atë kohë Partia Socialiste dallohej për anën e saj organizative çka e çonte drejtë fitoreve), bëri që ajo të humbte zgjedhjet parlamentare të vitit 2005. Lëvizja Socialiste për Integrim mori 120 mijë vota, 8.40%, në atë kohë ose 5 deputetë për tu përfaqësuar në parlament, kurse në vitin 2009 po për zgjedhjet e përgjithshme Lëvizja Socialiste për Integrim mori 83 mijë vota, 4.85% ose 4 deputetë në parlament. Ajo që karakterizoi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005, nga zgjedhjet e vitit 2009 është sepse ato u zhvilluan me një sistem të ri zgjedhor. Ai ndryshoi nga mazhoritar-proporcional, në rajonal-proporcional në vitin 2009. Megjithëse është pretenduar nga LSI se në vitin 2005 me votat e marra i takonin më shumë se 10 deputetë dhe në vitin 2009 më shumë se 6 deputetë, e rëndësishme është ajo çka mbeti në fund.
Veçantësia e zgjedhjeve të vitit 2009 ishte se Lëvizja Socialiste për Integrim, pas zgjedhjeve të 28 qershorit bashkoi votat me të djathtën që e ndihmoi këtë të fundit të krijonte qeverinë e re, gjë që nuk u prit me entuziazëm nga votuesi i majtë, në të njëjtën kohë ndodhën edhe zhvillime të tjera të rëndësishme që e tronditën disi imazhin e LSI-së.
Veçanërisht videoja Meta-Prifti e shfaqur në emisionin Fiks-Fare ishte dhe shuplaka më e fortë që merrte partia Lëvizja Socialiste për Integrim gjatë gjithë jetës së saj politike meqenëse në të përflitej vet kryetari i saj Ilir Meta, njëkohësisht dhe zv. kryeministër i vendit. Pavarësisht se Gjykata e Lartë e nxori të pafajshëm duke i dhënë të drejtë, historia e bllokut ende sot përflitet në media. E gjithë kjo histori me episode komplekse bëri që prej saj të largohej një prej deputetëve më aktiv të Lëvizjes Socialiste për Integrim ish-ministri i Energjetikës Dritan Prifti.
Ndërkohë që së fundi dalja nga qeveria për të pranuar ftesën e Partisë Socialiste e cënoi përsëri imazhin e LSI-së, e cila presupozohet nga opinioni publik se shikon më së shumti interesat e veta, apo shkon sa majtas-djathtas. Indinjata e elektoratit të majtë sot është e tillë që tregon dyshim tek shpresa e vetme Rilindja.
Nëse do të ndaleshim në këto tri momente të rëndësishme; bashkimi me Partinë Demokratike në vitin 2009, videoja Meta-Prifti, ribashkimi së fundi me Partinë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, me të drejt lind pyetja a ka partia Lëvizja Socialiste për Integrim peshën e dikurshme politike si në momentin kur u shkëput nga Partia Socialiste duke marrë me vete 8 deputetë të saj. Pavarësisht pretendimeve për padrejtësitë që ju janë bërë nga Partitë e Mëdha, e rëndësishme është ajo që ka mbetur dhe ka peshë në skenën politike. Historia e zgjedhjeve parlamentare ka treguar, se partia Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka mundur të sigurojë më shumë se 5 deputetë në një mandat zgjedhor, ndërkohë që nga viti 2005, në vitin 2009 për zgjedhjet e përgjithshme numri i votuesve të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim ka rënë nga 120 mijë në 2005, në 83 mijë apo 84 mijë siç pretendojnë disa të tjerë në vitin 2009. E vetmja gjë pretendohet se ka forcuar pozitat e saj në këto kohë është pjesëmarrja e saj në qeveri nga ku hidhet ideja se numri i votuesve do të jetë i lartë. Ky është grepi pas të cilit kapen krerët e politikës së majtë shqiptare dhe që pretendojnë se do të marrin 120 mijë vota apo ndoshta dhe më shumë çka do ti garantojë fitoren Partisë Socialiste.
Megjithëse situata parazgjedhore është ndërlikuar për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur së fundi të cilat kanë tronditur mjaftueshëm imazhin e LSI-së, por jo vetëm, përsëri ajo konsiderohet prej dy Partive të Mëdha si uji i paktë. Pasi e rëndësishme është suksesi që si në politikë e kudo, gjithmonë ka të bëj me atë, të njohësh kufirin e mundësive të tua. Meqenëse mundësitë për të arritur fitoren në këtë rast të Partisë Socialiste ishin të pamjaftueshme, atëherë pamjaftueshmëria kërkoi plotësimin e mundësive për të arritur qëllimin final, fitoren.
Por, pavarësisht planeve që bën çdo parti për të arritur fitoren, strategjive që ndryshojnë nga ora në orë, duke lënë herë pas here pa fjalë elektoratin fati i partive politike në 23 qershor varet nga ky i fundit si gjithmonë. Është ai që do të tregoj se bashkimi i së majtës është i drejtë apo i gabuar. Është ai që do të thotë fjalën e fundit, por të parën nga rëndësia. Është ai që do të tregoj a veproi në kohën e duhur PS, a bëri zgjedhjen e duhur, askush nuk mund ta rrëfej më mirë këtë se 23 qershori.