E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të shikosh përtej 23 qershorit

Nga Enriko Ceko

enriko cekoPolitikat monetare dhe fiskale të ndjekura nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave kanë dështuar të ringrenë ekonominë shqiptare. Rënia e produktit të përgjithshëm bruto dhe e nivelit të konsumit të agjentëve ekonomikë, kryesisht e qytetarëve, familjeve dhe e bizneseve, dhe shpenzimet pa kritere të agjentit më të madh ekonomik, qeverisë, përbëjnë një rrezik në rritje për ekonominë e brishtë të një vendi të vogël dhe me burime të kufizuara. Mjetet për përballimin e gjendjes së krijuar janë të pakta, duke marrë parasysh se edhe ndërhyrjet qeveritare në të tëra drejtimet janë të mangëta dhe të pakoordinuara, kjo edhe për shkak të shkrehjes së punës në tërë segmentet dhe nivelet e administratës publike, e shkaktuar kjo edhe nga lëvizjet e fundit politike në vend.
Edhe shenjat e pakta të përmirësimit të tregjeve që u vunë re gjatë muajve të verës së vitit të kaluar dhe një farë përmirësimi përgjatë festave të fundit të dhjetorit 2012 e fillim janarit të 2013 nuk shkuan përtej euforisë qeveritare për një ekonomi ndër më të suksesshmet në kontinent. Në fakt, edhe për ekonomitë e mëdha e jo thjesht për ekonominë shqiptare, kriza aktuale është ndër më të rëndat pas asaj të Depresionit të Madh dhe mesa duket vendimmarrësit në këto vende kanë filluar të mendojnë njësoj sikur vendimmarrësit e atyre viteve në lidhje me këtë krizë. Zgjidhja e asaj kohe ishte rritja e shpenzimeve qeveritare për të futur në punë sa më shumë njerëz, dhe kjo do shërbente si gjenerator për stimulimin e prodhimit.

Në fakt ashtu ka ndodhur. Qeveritë e vendeve perëndimore që aplikuan këtë mjet në atë kohë, ia dolën që të përballonin krizën dhe të shikonin përtej, drejt zhvillimit ekonomik me hapa të shpejta. Por, në kushtet aktuale që ndodhet ekonomia shqiptare ideja e Keynes-it, rritja e shpenzimeve qeveritare do të ishte një thikë më tepër në kurriz të qytetarëve dhe kjo për dy arsye të dukshme. E para sepse në vend mungon aftësia manaxhuese e fondeve publike dhe e dyta sepse niveli i korrupsionit në administratën publike në përgjithësi dhe në atë pjesë të administratës publike qe merret me financimet është shumë i lartë. Rritja e shpenzimeve qeveritare edhe pse mund të ishte një ide për mirë, në fund të fundit do përkeqësonte gjendjen sepse paratë nuk do shkojnë në xhepat e qytetarëve por në xhepat e qeveritarëve dhe sekserëve të tenderave e prokurimeve publike, që muajt e fundit kanë qenë me shumicë.
Papunësia e lartë kryesisht midis të rinjve dhe rënia e prodhimit kërkojnë një ribalancim të ekonomisë, duke stimuluar bujqësinë, agrobiznesin dhe industritë jo bujqësore, për të shtuar konsumin dhe eksportet. Kjo do sillte rritjen e GDP-së e do ribalanconte sektorët e ekonomisë shqiptare që 10 15 vitet e fundit i dha përparësi sektorëve të ndërtimit dhe shërbimeve, që mesa duket nuk mund të mbajnë për një kohë të gjatë flamurin e rritjes ekonomike pa mbështetje nga bujqësia, agrobiznesi dhe industritë e natyrës jo ushqimore.
Edhe pse në vend ka njerëz të shkolluar, kryesisht në moshë të re, ata kanë mangësi në kualifikimet praktike të tilla si gjuhët e huaja, kompjuteri, vënia e klientëve në qendër të vëmendjes, teknikat merchandising, programet kompjuterike për procese dhe pozicione pune specifike, mënyrat e operimit të makinerive, etj, që janë në fakt zanate dhe aftësi që lidhen kryesisht me industritë, bujqësinë, eksportet, prodhimin, etj. Kjo qasje ndaj edukimit përgjatë tërë jetës rrit produktivitetin dhe shton konkurrencën në tregun e punës dhe padyshim ndikon edhe në përmirësimin e aftësive sipërmarrëse dhe inovimin teknologjik.
Nga një këndvështrim tjetër, komplementar me sa më lart, rigjenerimi i ekonomisë shqiptare kërkon zhvillim të balancuar të tërë rajoneve të vendit dhe në kushtet e mungesës së kësaj balance për shkak të vendimeve të gabuara të ekzekutivit, të ndikuara nga disa vendime politike e jo nga vendimet logjike dhe të arsyetuara, ky rigjenerim i ekonomisë është vënë në pikëpyetje, e cila bëhet edhe më e madhe për shkak të humbjes së konfidencës së konsumatorëve në lidhje me konsumin e produkteve dhe shërbimeve në treg.
Partnerët tregtarë të Shqipërisë janë kryesisht Italia dhe Greqia, dy vende ku kriza është ulur këmbëkryq. Fuqia e investimeve të huaja, e cila në fillimet e ekonomisë së tregut në Shqipëri vinte kryesisht nga këto dy vende, tashmë është në nivelet më të ulëta, po ashtu edhe prurjet e parave nga emigrantët. E njëjta gjë edhe për kontratat me mall porositësi, shto këtu edhe konfuzionin e madh që ka shkaktuar politika me idetë skajore në lidhje me sistemin e taksave që aplikohen në vend.

Në këto kushte, të presësh e të shikosh se çmund të ndodhë në 23 qershor është thjesht harakiri, sepse asnjë nga forcat politike jo vetëm që nuk kanë bërë ndonjë gjë të madhe përgjatë këtyre 20 viteve në lidhje me ekonominë e vendit, por minimalisht nuk po japin as edhe një alternativë të saktë dhe serioze për përmirësimin e gjendjes edhe gjatë kësaj fushate elektorale që ka nisur mjaft e ashpër.
Duket se ka ardhur koha të vështrojmë përtej 23 qershorit dhe këtë mund dhe duhet ta bëjë vetëm dhe vetëm qytetaria e vërtetë shqiptare dhe mendimi modern bashkëkohor politik, ekonomik dhe social që ka filluar të ravijëzohet në vend, mendim që tashmë gjendet përballë falsitetit dhe dështimit të klasës aktuale politike, e cila në çdo fushatë zgjedhore përmend refrenin e ndërtimit pa hesap e pa asnjë kandar të urave, rrugëve, shkollave e spitaleve e të hapjes të kaq e aq vendeve të punës, që nuk janë veçse premtime false e fjalime pa vlerë, që tashmë mund shërbejnë vetëm për humor, për të argëtuar fare lehtë fëmijët e klasës së parë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›