Europa në krizë prej Kishës?!
Nga Indrit VOKSHI
Politikani e shkrimtari Ben Blushi, në një artikull të shkruar në gazetën “Panorama” shpall se Kisha dhe partitë janë shkaktare të krizës së Europës. Ai e gjykon praninë e Kishës si të panevojshme dhe partitë si të padobishme. Ndër të tjera, në shkrimin e tij, Blushi vë theksin tek plakja e Europës duke thënë: …edhe në të ardhmen ajo (Europa sh. im) do të mbetet një popullsi më e varfër se Amerika, shumë më e plakur se Afrika dhe ndoshta më pak e arsimuar se Azia”. Kur Blushi e trajton plakjen e popullsisë së Europës si zhvillim shumë negativ për Europën dhe njëkohësisht shprehet se Kisha është e panevojshme, sikur bie pak në kontradiktë me veten.
Por pse bie në kontradiktë? Përlargimi i Europës nga modeli tradicional i familjes, nga familja me shumë anëtarë (shumë fëmijë) e ka çuar drejt plakjes popullsinë europiane. Prandaj nuk mund të shtrohet si problem plakja e popullsisë dhe njëkohësisht të shpallet e panevojshme Kisha, që simbolizon, kërkon dhe lufton për modelin tradicional të familjes që mund të çojë drejt rinimit të popullsisë europiane. Sepse është njëlloj si të thuash se ballin e kam çarë por fashoja dhe mjekimi janë të panevojshme. Mund të hidhen idera dhe të thuhet se Europa ka mundësi të kthehet tek modeli tradicional i familjes me shumë fëmijë dhe të rinojë popullsinë, ka mundësi të jetë e moralshme pa pasur nevojë për Kishën. Kjo ide nuk ka forcë me ndejtë në këmbë, sepse në Europë nuk ka traditë dhe model tradicional familjeje përtej Kishës, përtej modelit të kristian. Morali ka natyrë religjioze por kjo s’do të thotë se njerëzit e shpallur a-fetar nuk mund të kenë moral. Mund të kenë ngase moralin e kanë trashëguar, e kanë të bartur nga një periudhë religjioze por epiqendra shpërndarëse e moralit është religjioni. Citoj A. Izetbegoviçin kur thotë se edhe kur dielli perëndon, nxehtësia e tij e mban natën të ngrohtë. Që do të thotë se edhe kur religjionizmi ka perënduar në qenien e një njeriu, nxehtësia e tij e mban shpirtin të ngrohtë. Por nëse dielli do të lindë apet, shpirti, nga i ngrohtë do të bëhet i flaktë. Sepse askush nuk mund ta mohojë që qenia fetar e bën njeriun shumë më të moralshëm, shumë më të përshpirtshëm, më shpërfillës ndaj joshjes materialiste. Pra më shumë fe, më shumë moral.
Kur themi se Kisha është e panevojshme, varet se çfarë nevojash kemi. Nëse kemi nevojë për një shoqëri më të moralshme, atëherë Kisha nuk është e panevojshme, s’mund të jetë e panevojshme. Kisha është aktor shoqëror që thërret për moral e respekt dhe vetëm nëse s’kemi nevojë për moral e respekt mund ta përjashtojmë si të panevojshme. Pa dyshim që mund të mos jetë i vetmi aktor që bën këtë thirrje por s’mund të mos konsiderohet si shumë e dobishme në realizimin e këtij qëllimi. Ta cilësosh Kishën si të panevojshme ndërkohë që ajo thërret për paqe, dashuri, shprehet kundër vjedhjes, kundër vrasjes, dënon fyerjen e nëpërkëmbjen e dinjitetit të njeriut, është shumë e pakuptueshme dhe ka vetëm një shpjegim logjik; qëllimet ngushtësisht anti-kishtare. Ne s’duhet ta shohim botën vetëm nga frëngjia jonë ideologjike dhe të mos konsiderojmë aktorë shumë të dobishëm për harmoninë sociale. Jo, kushdo qoftë, ateist a fetar, i majtë a i djathtë, i zi, i verdhë a i kuq, duhet konsideruar dhe duhet respektuar nëse thërret në paqe e mirëkuptim.
As nuk duhet të shkaktohet pluhur duke akuzuar Kishën se nuk ka punuar sa duhet kundër etjes, urisë e uljes së varfërisë materiale sepse Kisha nuk është institucion i administrimit publik. Kisha ka si detyrë të merret vetëm me njeriun dhe të mbajë të ndezë shpirtin e tij, të fluturojë vetëm në mbretninë e qiellit. Politikat ekonomike, administrimi i ujërave, i bujqësisë e i turizmit në botë, u takon shteteve përkatëse. Megjithatë edhe pse nuk e ka si qëllim të vetin parësor, pra nuk është arsyeja për të cilën është krijuar, Kisha ka ndihmuar nëpërmjet mjekimit falas e ndihmave të ndryshme. Kisha është përzier edhe në botën materiale por kjo nuk e bën atë të panevojshme për sa kohë ajo thërret për paqe, dashuri, respekt. Europës i vyen një institucion i tillë, i duhet një pamje si ajo e Papë Françeskut duke puthë fëmijën e sëmurë, i duhet ai mesazh njerëzor që sot vetëm ai po e jep. Dhe kush është dashamirës i qytetërimit europian kërkon reformim të Kishës dhe jo asgjësim të Kishës.
Blushi thotë “… Duke qenë një popullsi e plakur, investimi kryesor që bëjnë sot europianët janë pensionet e tyre. Njerëzit punojnë për të pasur spitale më të mira, ilaçe më të lira dhe një pleqëri të gjatë dhe të shëndetshme. Në një kuptim, Europa mendon më shumë për pleqërinë”. Europianët njëmend mund të punojnë për një pleqni të gjatë e të shëndetshme por Kisha punon për një pleqni edhe të lumtur sepse thërret për respekt ndaj prindit, për përkujdesje për prindin dhe s’mund kush ta kundërshtojë se një gjysh apo gjyshe që jeton dhe kalon pleqninë me fëmijët e nipat e mbesat pranë nuk është shumë, po shumë më i lumtur se pleqtë e plakat që mshelin grilat e jetës në vetmi. Pra është Kisha që mbështet një model të tillë familjeje, Kisha që Blushi e quan të panevojshme. Ai vazhdon :”.. për çfarë duhet kisha? A ka ndihmuar dot ajo që jeta e njeriut të zgjatet siç ka bërë mjekësia? Jo. Sepse kisha është marrë gjithë jetën me jetën pas vdekjes”. Pa dyshim që mjekësia ka ndihmuar që jeta e njeriut të zgjatet, që vdekshmëria foshnjore të ulet por Kisha nuk e pengon mjekësinë, Kisha nuk është armike e mjekësisë, përkundrazi. Të arsyetosh kështu është si të thuash se kompjuteri nga i cili ka shkruar z. Blushi nuk ndihmon drejtpërdrejt në zgjatjen e jetës por ndihmon jetën sendentare, prandaj u dashka zhdukë si i panevojshëm. Jo, asgjë nuk mund ti kryejë të gjitha funksionet, gjithçka ka funksionin e vet. Por këtu janë disa drejtime që z. Blushi nuk i ka prekë mesa duket dhe kjo shihet kur thotë se Kisha gjithë jetën është marrë me jetën pas vdekjes. Duke qenë z. Blushi shkrimtar, pritet më shumë prej tij, pritet që ta kuptojë siç duhet fenë, që është shpjegimi i botës e jetës në mënyrë artistike. Jeta pas vdekjes, jeta e përtejme, nuk ka të bëjë me ndonjë botë tjetër kur njeriu arratiset nga bota e ligë tokësore dhe gjen prehjen atje. Ky është shpjegim materialist dhe të japësh shpjegime materialiste mbi fenë është bash si të shpjegosh funksionimin e motorrit të makinës, në mënyrë poetike, me poezi. Pra nuk mund ta shpjegosh me mendje materialiste diçka të kundërt me materializmin. Feja, duke i thënë njeriut se respektimi i disa rregullave që ajo shpall të përmirëson jetën, se dashuria të çon në parajsë, se morali të paqton, e thërret atë në botën e përtejme, në botën qiellore. Por çka është bota e përjetme, bota qiellore? Duke qenë se bota në të cilën jetojmë është bota e materializmit, bota në të cilën sundon interesi material, bota ku rrallëkush ndihmon kënd për arsye morale, pa përfitime materiale, ku njerëzit e duan pak njëri-tjetrin, ku dinjiteti i njeriut nuk respektohet, ku jeta nuk vlen, atëherë shumë lehtë mund të kuptohet se bota e përtejme, bota qiellore, është e kundërta, po krejt e kundërta e kësaj botës ku sundon materializmi, është diçka ndryshe nga kjo botë. Bota e përtejme është bota ku njeriu e do njeriun, ku njeriu e ndihmon njeriun pa pritë përfitime materiale, ku dashuria për jetën sundon, ku dinjiteti i njeriut respektohet. Sepse kur themi se bota është e ligë nuk themi se toka ku shkelim na i vret këmbët fizikisht, a se retë na lagin tepër e dielli na djeg e na përzhitë, por kontestojmë sjelljen e njeriut në tokë. Pra bota e përtejme, qiellore, është në këtë tokë dhe njeriu e jeton botën qiellore duke jetuar njëkohësisht në botën tokësore, e jeton për së gjalli. Nocioni i parajsës, është thjeshtë mënyra artistike e fesë për të na e thënë. Dhe nëse n