E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejt lirisë, një fundjavë në Teatrin e Metropolit

Shfaqja

Pas një rrugëtimi në disa qytete shqiptare, “Drejt lirisë”, një produksion i “Era Theater Productions” dhe mbështetur nga “DigitAlb” kthehet në fundjavë në Teatrin e Metropolit. Tregimi komik, i njohur si “One man show” pas takimit me publikun e Fierit, Korçës, Elbasanit dhe Gjilanit, do të shfaqet në datat 6-7 shkurt, ora 18:00 për publikun e kryeqytetit. Nën interpretimin e Erand Sojlit, me regjinë e Edmond Budinës, nga salla shihet si në një pasqyrë gjithçka që ndodh me jetën e përditshme, vështirësitë e marrjes së një vize, përballja me botën jashtë kufijve, ‘tundimet’ e para të jetesës jashtë dhe shumë fenomene të tjera, të cilat nuk janë të panjohura për shqiptarët e lodhur nga ‘liria’ e një vize. I konsoliduar tashmë në rrugën e tij si aktor, Erand Sojli na prezantohet si një autor i kujdesshëm i fjalës, që krijon situatën, hedh pyetjet në publik dhe mirëpret përgjigjet nga salla. Tentativa  e tij e parë në gjininë “One man show” ka nisur në vitin 2007 me shfaqjen “Një mbrëmje ndryshe me Erandin”, një produksion i Teatrit “Skampa” në Elbasan.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›