Marrëdhëniet publike, si ato politike
Opinion
Institucioni i marrëdhënieve publike është i ri në Shqipëri. Deri dy dekada më parë, ky institucion konsiderohej i huaj për regjimin dhe shoqërinë. Për partinë–shtet nuk mund të kishte marrëdhënie publike dhe as sferë private të jetës, gjithçka duhej të ishte dhe të ekzistonte vetëm brenda sferës partiake, kontrollit të rreptë mbi shtetin, shoqërinë dhe jetën private. Periudha e parë e tranzicionit solli bashkë me prurje të tjera edhe konceptet e para të marrëdhënieve publike. U hapën media të pavarura, radio, TV, burime të tjera të shumëllojshme komunikimi dhe me to u krijuan edhe strukturat dhe modelet e para të marrëdhënieve publike.
Pas dy dekadash eksperimente mund të themi se është arritur faza kur mund të analizohet dhe të krahasohet ecuria e marrëdhënieve publike, konceptit publik, konceptit të transparencës, të detyrimit moral e ligjor ndaj qytetarëve dhe bashkë me to, edhe koncepti i nevojës për informim dhe dhënie informacioni. Sot kemi modele shumë të avancuara të marrëdhënieve publike, kryesisht nga ato institucione që kanë kuptuar rëndësinë e tyre dhe e kanë shndërruar këtë në pjesë qenësore të aktivitetit të tyre. Kemi gjithashtu modele ende të brishta, sipas të cilave marrëdhëniet publike kuptohen vetëm në një drejtim – të japin çfarë të duan dhe të marrin gjithçka, pa lejuar verifikimin e fakteve dhe ballafaqimin e realiteteve. Kemi gjithashtu modele të keqkuptimit të konceptit dhe të shfaqjes së tij, si marrëdhënie preferenciale dhe selektive me publikun. Kemi edhe forma të tjera më të vjetra, sipas të cilave publiku konsiderohet i rrezikshëm, i padëshiruar dhe kërkesa për informim, një rrezik për sigurinë dhe statusin zyrtar e shoqëror.
Tej skemave të tilla krahasuese në jetën e përditshme, në funksionimin normal të institucioneve dhe në ballafaqimin shtet–shoqëri–qytetarë, marrëdhëniet publike paraqiten në pozita shumë më kritike. Modelet dhe përvojat pozitive ekzistojnë vetëm në Tiranë dhe qytete të mëdha, në periferi janë ende koncepte të panjohura, ose në rastin më të mirë, në hapat e tyre të parë. Problemi i dytë lidhet me përmbajtjen e tyre. Në Shqipëri partitë kanë pushtet të madh publik dhe për shkak të këtij pushteti edhe mbi median, lënë pak hapësirë për marrëdhënie publike reale. Ato imponojnë marrëdhëniet normale publike në reaksion pro apo kundër politikës, duke ndikuar në ngadalësimin e procesit të ndërgjegjësimit zyrtar e publik për rëndësinë e këtyre marrëdhënieve.
Një nga dallimet midis një vendi demokrat si Shqipëria dhe vendeve me demokraci më të konsoliduar, është edhe se te ne, partitë politike ndërhyjnë pa vetëpërmbajtje dhe përgjegjshmëri, edhe në procese dhe fusha shumë teknike dhe profesionale, gjë që nuk ndodh në vendet e tjera. Vendi i politikës janë zgjedhjet, debatet parlamentare, debatet politike, fushatat, programet elektorale dhe jo rendja pas detajeve teknike për ta vetëshpallur veten të vetmin zë kompetent në raport edhe me institucionet jopolitike, që janë përgjegjëse për fusha të tilla.
Le të marrim një shembull, ngjarjet e fundit për shkak të përmbytjeve të mëdha në zonën e Shkodrës. Shqipëria fatmirësisht ka një numër të konsiderueshëm ekspertësh profesionistë të çështjeve energjetike, shumica e të cilëve janë në marrëdhënie pune të verifikueshme aftësie, të cilët në një vend me kulturë demokratike, do të ishin zëri i parë dhe i fundit teknik i analizimit të situatës dhe parashtrimit të problemeve, pasojave apo zgjidhjeve. Edhe në këtë rast ata patën pak hapësirë dhe mundësi, sepse partitë, me konferenca shtypi nga selitë e partive, imponohej të shfaqeshin më eksperte se ekspertët, më profesioniste se profesionistët. Dhe natyrisht, deklarimet e tyre ishin shumë larg reales, madje në situata të tilla, me ndikim negativ për personelin e aftë në detyrë, ekspertët, familjet e prekura dhe vetë opinionin publik. Dhe kur partitë përdorin auditorin e tyre, mjetet e komunikimit, pushtetin politik, selitë dhe siglat e partive për të dhënë deklarata teknike, përveçse fyejnë ekspertët dhe krijojnë diskordancë midis mendimit profesional e politik, ajo imponon një formë të re të marrëdhënieve publike, marrëdhëniet politike.
Ky lloj i ri marrëdhëniesh, tipik për vende në tranzicion, me probleme në vetë kulturën qytetare e shtetërore, shfaqet edhe në debatet mbi gjyqësorin, mbi administratën, mbi taksat, mbi tatimet, mbi arsimin, shërbimet sociale dhe gjithçka tjetër, që realisht nuk duhet të jenë objekt debati politik, por në rang ekspertësh. Politika mund të propozojë programe e strategji, mund t’i votojë ato në Parlament, por ajo nuk mund dhe nuk duhet lejuar të kryejë edhe funksionin e ekzekutuesit teknik të vendimeve, sepse kjo është e mbetet detyrë dhe përgjegjësi e specialistëve dhe ekspertëve. Kështu, nëse politika, për shembull, interesohet për çështjet energjetike, ajo mund të kërkojë raporte parlamentare dhe mund të marrë çdo të dhënë të nevojshme që e ndihmon atë të bëjë ndërhyrje ligjore (nëse duhen), të japë propozime politike në kuadër dhe forma të tjera të ndikimit politik, por në asnjë rast ajo nuk mund dhe nuk duhet të hyjë në detaje teknike, siç janë kuotat e hapjes së portave, cilësia e betonit apo punimeve, rregullorja dhe praktikat e punës, vënia në dyshim e aftësisë së ekspertëve apo institucioneve përgjegjëse si KESH dhe ato nën varësinë e saj. Aq më tepër të marrë rolin e prokurorisë dhe gjyqësorit, të japë pretencë publike për zyrtarët dhe nëpunësit e shtetit, që zbatojnë ligjin dhe jo udhëzimet që vijnë nga selitë e partive.
Në fillim të komentit përmenda përvojën negative gjatë sistemit të kaluar, sepse problematika kritike që nënvizohet më pas, sidomos përpjekja për shndërrimin e marrëdhënieve publike në marrëdhënie politike, në thelb nuk shpreh asgjë më pak e më shumë sesa shfaqje të mentaliteteve të trashëguara nga sistemi i kaluar. Ky është problem shqetësues dhe një sfidë e madhe për të gjithë. Sepse në atë sistem partia dinte e duhej të dinte gjithçka, ajo fliste dhe të tjerët heshtnin e zbatonin urdhrat pa debat. Në demokraci duhet të mësohemi se ndodh e kundërta, partitë kanë funksionet e tyre konkurruese, kurse shteti dhe institucionet e saj funksionojnë të pavarura nga politika, sidomos në praktikat normale ditore të punës dhe aktivitetit profesional e ligjor.
#