Drejt lirisë
Me një performancë perfekte në gjininë teatrore të quajtur “One man show”, shfaqja me autor-aktor Erand Sojlin dhe regji nga Robert Budina ishte pjesëmarrëse në festivalin e dramës shqipe, në manifestimin kulturor “Flaka e janarit 2010” në Gjilan, ku u vlerësua me çmimin special, “Mirënjohja”
Performancë pa konkurrencë e Erand Sojlit në Gjilan
Pamflet, apo komedi e zezë? Monodramë e groteskut, apo tregim komik? Duket si paradoks, por ndoshta suksesi për shfaqjen “Drejt lirisë” fillon që nga moskuptimi i saktë i termit teatror. Me një performancë perfekte në gjininë teatrore të quajtur “One man show”, shfaqja me autor-aktor Erand Sojlin dhe regji nga Robert Budina, produksion i kompanisë “Era Produktion” dhe Teatrit të Metropolit, ishte pjesëmarrëse në festivalin e dramës shqipe në manifestimin kulturor “Flaka e janarit 2010” në Gjilan. Batutat, situatat dhe krejtësisht tregimi komik pushtuan sallën dhe spektatorin që në minutat e para dhe ai e shpërbleu me duartrokitje për rreth 15 minuta, duke surprizuar aktorë, kritikë dhe dashamirës të artit skenik. “Një aktor i shkëlqyer, një spektakël i mrekullueshëm, ku komponentët aktor-tekst-regji ishin në nivelin më të lartë”, do të shprehej vetëm pak minuta pas shfaqjes aktori i mirënjohur, Enver Petrovci. çudia ndodhi që në minutat e para, me ndërprerjet e tekstit nga të qeshurat e sallës, ku thjesht prezenca elegante dhe plot humor e Sojlit, komunikimi i tij me një publik të ngrohtë, të gatshëm për ta mirëpritur, na përgatiti për një tregim komik, ku boshti qendror mbetet ikja e shqiptarëve dhe ëndrrat e parealizuara që shpesh mbeten në një valixhe lëvizëse. “Erandi na dha shpresën se edhe arti teatror shqiptar mund të sjellë nivele të larta artistike në këtë gjini avangardë, krejtësisht të panjohur për skenën shqiptare, na frymëzoi me guximin e tij për të vazhduar në këtë rrugë”, do të vazhdonte me përshtypjet e tij, Enver Petrovci. Për të gjitha risitë e shfaqjes, për mirëpritjen e padiskutueshme të publikut gjilanas, shfaqja “Drejt lirisë” u nderua me çmimin special “Mirënjohja” nga Kryetari i Kuvendit të Komunës së Gjilanit, z.Qemajl Mustafa, me motivacionin: “Performancë e shkëlqyer artistike, për guximin e temës që trajton, për suksesin e komunikimit me publikun dhe për një nivel të lartë interpretimi nga aktori Erand Sojli”. “Jam i lumtur nga kjo atmosferë e ngrohtë teatrore dhe nga interesimi i madh i spektatorit. Mbetem me idenë se publikut i duhet gjetur një çelës komunikimi, që t’i zgjojë shpirtin për t’u afruar me teatrin. Unë po tentoj në këtë gjini dhe mendoj se fillimi është i mbarë”, u shpreh në takimin me kritikën dhe mediat, aktori Erand Sojli. Të nesërmen, agjencia e lajmeve “Kosova press”, e datës 25 janar 2010, do të shkruante: “Interpretimi i shkëlqyer i aktorit Erand Sojli, në shfaqjen ‘Drejt lirisë’, që ishte bërë po me tekst të tij dhe me regji nga Robert Budina, ka bërë që kjo monodramë ta mbajë ‘të zaptuar’ publikun për plot 90 minuta, duke krijuar kështu një atmosferë të këndshme, gjë që në fund u shpërblye me duartrokitje të gjata”. Teatri shqiptar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe ai i Kosovës dhe Maqedonisë, po vuan ende mungesën e një fryme të re, që mundet të shprishë tranzicionin e gjatë në atë që quhet teatri klasik tradicional. Ndoshta jo rastësisht edhe kritika në këtë festival u “ngatërrua” disa herë në gjetjen e termit të saktë të kësaj gjinie, pak të lëvruar në skenën shqiptare. Përfundimi nga emrat e kritikës teatrore si Nebi Islami, Josif Papagjoni, Miho Gjini ishte: “Erand Sojli prezantohet si një autor-aktor i talentuar, që mundi të mbajë gjallë një spektator në një kohëzgjatje prej 90 minutash”. Mrekullia e shfaqjes u duk që në momentet e paspremierës kosovare, ku spektatori kishte bërë të vetat batutat dhe historitë e rrëfyera. “M’u duk se e kishe shkrujt për mue këtë tekst, më është kujtuar fluturimi i parë me avion, kalimi i parë i kufirit dhe viza ime e parë. Po më vjen shumë mirë që jam ndjerë jo thjesht spektator, por një personazh nga ato që ti ke shkruar”, u shpreh me vlerësimet më të mira kosovari Gani Neziri. Aktori Sojli tregoi me detaje në një ndërthurje të saktë të fjalës, pantomimës, muzikës dhe projeksionit vizual sa kushton liria e shqiptarëve, duke u nisur nga një analizë e mprehtë, me pikënisje vetveten. Me lojën e tij të shkëlqyer solli para spektatorit disa personazhe (interpretuar me mençuri deri në detaje në regjistra të ndryshëm të zërit), të cilët kërkojnë të largohen jashtë vendit, por në këtë tentativë hasin në peripeci të ndryshme, që fillon që nga pajisja me vizë, vështirësitë në aeroport, çuditë e para të fluturimit në aeroplan, gjithnjë me dozën e humorit, satirës, por edhe të një ironie, për të mbërritur kështu deri në vendin e huaj. Por, aty aktori Sojli, përmes personazheve shpalos një realitet të ri, të ndryshëm nga të gjitha ato përfytyrime që i kishin pas ata më parë, deri te dështimi i tyre për t’u përshtatur dhe integruar aty, e që si rrjedhojë çon personazhet drejt kthimit në atdhe. “Radhët e gjata në sportelin e shqiptarëve po rrallohen, ndërsa po shtohen radhët në sportelet ‘European Citizen’, një shpresë shqiptare për integrimin europian, edhe pse vetë autori, pak e beson se ajo mund të fillojë vetëm nga një pasaportë europiane. I konsoliduar tashmë në rrugën e tij si aktor, Erand Sojli na prezantohet si një autor i kujdesshëm i fjalës, që krijon situatën, hedh pyetjet në publik dhe mirëpret përgjigjet nga salla. Tentativa e tij e parë në gjininë “One man show” ka nisur në vitin 2007, me shfaqjen “Një mbrëmje ndryshe me Erandin”, një produksion i teatrit “Skampa” në Elbasan, i cili kishte në vëmendje robotizimin e artistit, temë e dashur për autorin, ku edhe në shfaqjen “Drejt lirisë” heq paralele të rëndësishme mes fatit të artistit dhe mbijetesës së vështirë në një jetë shqiptare, ku interesimi kryesor mbetet politika dhe ata, pushtetarët, aktorët më të paguar, sipas Sojlit. çfarë e mbajti gjallë publikun gjilanas dhe atë shqiptar, kudo që kjo shfaqje po vazhdon të jepet me sukses? Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, me pjesëmarrjen e qindra artistëve, kritikëve dhe publikut gjilanas, aktori Enver Petrovci shpjegoi se “suksesi i shfaqjes ‘Drejt lirisë’ qëndronte në harmonizimin e detajeve artistike, në guximin e autorit për të thënë të vërtetat shqiptare që dhembin, në mendimin e saktë skenik dhe gjetjet e batutës, që mban të gozhduar spektatorin. Një performancë e pakonkurrueshme në këtë festival të dramës tradicionale shqiptare. Unë u uroj autorëve të vazhdojnë turneun e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, ku do të gjejnë një publik shumë të dashur për këtë gjini skenike”. “Drejt lirisë” do të vazhdojë turneun e saj në Elbasan, në datat 30 dhe 31 janar, në teatrin “Skampa” dhe një javë më pas në Teatrin e Metropolit në Tiranë, në javën e parë të shkurtit. Shfaqja është një prodhim i kompanisë “Era Production” dhe mbështetet nga “DigitAlb”.
#