Tafaj ndryshon reformën Pollo
Vendin e tyre e zënë lëndët me zgjedhje. 87% e programit, e njëjtë për të gjithë
Në gjimnaze nuk do të ketë më ndarje me profile për nxënësit, shoqëror apo shkencor. Një gjë e tillë ndonëse është diskutuar që një vit më parë është mundësuar vetëm falë ndryshimit të strukturës së shkollave të mesme të përgjithshme. Tashmë ato do të jenë 3-vjeçare dhe nuk do të zgjasin më 4 vjet si më parë. Ndryshimi i sistemit arsimor që i shndërroi shkollat tetëvjeçare në nëntëvjeçare mori një vit nga të mesmet, duke u lënë atyre vetëm tre vite studimi, përpara periudhës universitare. Sipas specialistëve të Ministrisë së Arsimit struktura e re ka sjellë për pasojë edhe ndryshime në funksionimin e gjimnazeve. “Shkollat e mesme nuk janë më të profilizuara sipas drejtimit shkencor dhe shoqëror”, konfirmojnë specialistët e arsimit. Ata shpjegojnë më tej se tani 87 për qind e lëndëve në këto shkolla të mesme bëhet e njëjtë për të gjithë nxënësit, ndërsa pjesa tjetër që mbetet u përket lëndëve me zgjedhje.
çdo gjimnazist është i detyruar që nga grupi i lëndëve matematikë e avancuar, letërsi e avancuar, gjuhë e huaj e dytë, informatikë dhe trashëgimi kulturore, të zgjedhë për çdo vit shkollor dy prej tyre. Këto lëndë ndonëse zgjidhen prej vetë nxënësit nuk kanë ndryshime në vlerësim në raport me të tjerat. Mësimi dhe vlerësimi edhe për to është i njëjtë si për programin bazë.
Në urdhrin e fundit aq të debatuar të Ministrisë së Arsimit në fokus qëndronin pikërisht lëndët me zgjedhje dhe mënyra e re e vlerësimit të tyre. Por mbi të gjitha krijohej lehtësia për të rinjtë jo shumë studiozë që në rast se nuk arrinin të merrnin notë kaluese në njërën nga këto lëndë mund të hidheshin në vitin pasardhës. Atyre u jepej e drejta që këtë lëndë me zgjedhje ta rijepnin provim gjatë vitit tjetër shkollor. Kështu nuk humbitnin asnjë vit nga e mesmja. Kjo lehtësi është edhe një lloj huazimi i sistemit parauniversitar nga ai i shkollës së lartë. Lidhur me pjesëmarrjen e nxënësve në mësim, urdhri i fundit i MASH nuk parashikonte tolerime. Kështu mbetet në fuqi fakti që nëse një nxënës ka plotësuar 20% e mungesave detyrimisht duhet t’i nënshtrohet provimit për lëndën ku ka munguar. Por, nëse ato arrijnë në nivelin e 50 përqindëshit, atëherë lënda mbartet nëse është me zgjedhje dhe gjimnazisti mbetet në klasë, kur kjo lëndë është e programit bazë.
Koncepti i ndarjes së nxënësve me profile hyri në arsimin e mesëm gjatë kohës kur në krye të Ministrisë së Arsimit qëndronte si titullar Genc Pollo. Propozimi u mbështet në argumentin se të rinjtë duhet të profilizonin njohuritë sipas preferencave dhe prirjeve që kishin. Madje, kjo do t’u vlente atyre edhe në përzgjedhjen e degëve të studimit për në universitet. Një gjë e tillë u përkrah pasi vetë të rinjtë do të kishin mundësi që të zgjidhnin me dëshirë se në cilin profil do të regjistroheshin. Mbi bazë të kësaj përzgjedhjeje do të përcaktohej edhe ngarkesa mësimore, ku drejtimi shoqëror kishte më tepër orë të lëndëve të kësaj natyre dhe e njëjta gjë edhe për profilin shkencor, ku nxënësit do të kishin më tepër orë matematike, fizike apo kimie.
#