Ekspozitë për liberalizimin e vizave

Kosova është njëra nga vendet e pakta në Evropë, të cilës i mungon liria e lëvizjes. Kosova ka mbetur gati e vetmuar në regjion, e pa përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave dhe padyshim e gjithë shoqëria Kosovare është e përfshirë në gjetjen e mënyrës dhe njëkohësisht plotësimin e kritereve për të arritur në BE.
Artistët pjesëmarrës të ekspozitës: Adem Rusinofci (skulptor), Dafina Hajra (piktore), Lorik Sylejmani (dizajner), Majlinda Kelmendi (piktore), Arzana Kraja(regjisore), Arta Agani (dizajnere) dhe Artan Balaj (artist vizual) me këtë ide dëshirojnë të ngritin vetëdijen dhe të tërheqin vëmendjen për shqetësimin e tyre kulturore dhe intelektuale në mospërfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në.
Gjithë fjala është për ekspozitën konceptuale të titulluar “Martesa e bardhë / White wedding” .
Sipas projekt menaxherit të ekspozitës Artan Balaj, ekspozitës nuk i është vënë ky emër rastësisht, ngjyra e “bardhë” lidhet me shengenin e bardhë si dhe fjala “martesë” nënkupton një bashkëjetesë.
I ftuar në prezantimin e kësaj ekspozite ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme Zenun Pajaziti,i cili ishte i befasuar me idenë e cila i takon liberalizimit të vizave. “Ne në fjalorin tonë jemi mësuar t’i përmendim disa kritere disa terme që kanë të bëjnë me kritere teknike për liberalizimin e vizave dhe kritere politike,ne mundohemi mi arrit këto kritere që janë të përcaktuara nga BE në mënyrë që edhe ne të bëhemi pjesë e lirisë së lëvizjes së Evropës në të gjitha aspektet, ndërsa ideja për këtë ekspozitë bënë me dije se ka edhe një kriter edhe një dimension ky proces, është dimensioni human, dimensioni i të drejtave të njeriut, dimensioni i lirive themelore të njeriut dhe kyçja juaj në këtë proces do të na ndihmojë shumë dhe do ta njoftojë opinionin vendor po edhe atë evropian në mënyrë që ne të përfshihemi sa më shpejt në këtë proces”, tha ai.
Ministri nuk harroi të kujtojë arsyen përse ishte prezent dhe me shumë vendosmëri premtoi se ky projekt do të mbështetet nga ministria e brendshme në të gjitha aspektet deri në fund.
Sipas tij, ka sfida të shumta dhe jashtëzakonisht serioze në procesin e liberalizmit të vizave.
“Këto sfida nuk tejkalohen vetëm me një vullnet të mirë ose vetëm me një angazhim të institucioneve ose të një qeverie, ne duhet si shoqëri të angazhohemi bashkërisht për ti përmbushur këto kritere “ideja që përmes artit me senzibilizu këtë proces është jashtëzakonisht e mirë sidomos ideja që ta keni në Bruksel një ekspozitë”.
Ministri pohoi se interesi i kësaj ekspozite është i dyanshëm, që kjo ekspozitë të ketë jehonë sa më të madhe edhe në komisionin evropian, por edhe në disa prej vendeve që kanë nevojë ende ta njohin Kosovën. “Përpos mbështetjes së Ministrisë së Brendshme, ju do të gjeni mbështetje gjithandej në institucionet tjera”, përfundoi z. Pajaziti.