Tre shkrimtarë shqiptarë në Mal të Zi

Në ditët e fundit të vitit 2009, më 22 dhe 23 dhjetor, institucionet kulturore, por edhe të pavarura, i kanë kushtuar një hapësirë prezantimi letërsisë shqiptare. Të ftuar kanë qenë tre shkrimtarët: Zija Çela, Bardhyl Londo dhe Ermir Nika. Me këtë rast, në Podgoricë u organizuan një varg aktivitetesh promovuese për prurjen e tyre letrare.
Pjesë e aktiviteteve ishin takimet me mediat, si ai i organizuar në librarinë më të madhe “Karver”, por edhe me personalitete të kulturës malazeze, shkrimtarë, përkthyes, botues, kritikë, akademikë dhe njerëz të letrave, të cilët ndoqën pjesë të zgjedhura nga krijimtaria e Londos, Çelës dhe Nikës të përkthyera tashmë në gjuhën malazeze, nën interpretimin e aktores së njohur Varja Dukiç. G
jatë një takimi me shkrimtarët, ministri i Kulturës dhe ministri i Minoriteteve vlerësuan rolin e madh që ka luajtur kultura shqiptare në mozaikun kulturor ballkanik dhe nënvizuan faktin se ky bashkëpunim i nisur tashmë midis dy vendeve tona, duhet të intensifikohet edhe në të ardhmen si shenjë e diversitetit dhe përafrimit kulturor e shpirtëror të popujve.