E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejt përfundimit protokollet mjekësore

Plotësimi i kuadrit ligjor dhe hartimi i protokolleve mjekësore është drejt përfundimit. Kjo është konfirmuar pak ditë më parë nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë konferencës së 5-të kombëtare “Përmirësimi i cilësisë në shëndetësinë shqiptare, një domosdoshmëri e kohës”, Vasili theksoi se plotësimi i kuadrit ligjor, finalizimi i udhërrëfyesve dhe i protokolleve klinike, si dhe hartimi e miratimi i Kartës së Pacientit, janë ndër sfidat më të mëdha të realizuara tashmë në fushën e shëndetësisë. “Çdo element i ri që ne fusim në shëndetësi është një standard evropian”, u shpreh Vasili, duke shtuar se qytetarët shqiptarë i dinë tashmë standardet të cilat janë të domosdoshme për certifikimin e cilësisë së shërbimeve. Ministri Vasili theksoi se arritjet e deritanishme sanksionojnë një marrëdhënie të ndershme midis mjekut dhe pacientit duke sjellë një transparencë të plotë ndërsa vlerësoi se këto arritje çojnë edhe në një kompeticion midis institucioneve shëndetësore, në publik e privat, çka sjell dhe përmirësim të cilësisë së shërbimeve. Hartimi i 105 udhërrëfyesve dhe 115 protokolleve klinike, të cilat do të publikohen së shpejti për të gjithë mjekët e vendit, përbën një tjetër arritje, e cila u bë publike në konferencë. Shumë shpejt ministria do të paraqesë për miratim në qeveri kuadrin rregullator për akreditimin e institucioneve shëndetësore, çka e bën procesin e akreditimit zyrtar dhe gati për t’u realizuar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›