E Diel, 1 Nëntor 2026

Vranë 44-vjeçarin për t’u hakmarrë, arrestohet një nga vëllezërit

Viktima ka vrarë me thikë rreth 7 muaj më parë vëllain e 2 personave, të cilët dyshohen si autorët e ekzekutimit me breshëri kallashnikovi të 44-vjeçarit Mirash Preka

Pas gati një muaji të vrasjes së ndodhur në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë të 44-vjeçarit Mirash Preka, efektivë të policisë së Tropojës kanë bërë të mundur arrestimin e njërit prej autorëve të dyshuar për këtë vrasje. Pas një bashkëpunimi të frytshëm operativ dhe operacional të efektivëve të policisë së Tiranës me policinë e Tropojës dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut Kukës, u bë i mundur arrestimi i Alfred Gjergjit, 32 vjeç, banues në Durrës. Arrestimi i tij u bë në fshatin Tresaj, Tropojë. Ai akuzohet për ngjarjen e ndodhur më datë 21 nëntor 2010, në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë, ku gjeti vdekjen e menjëhershme nga të shtënat me armë zjarri Mirash Preka, 44 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Paskuqan, Tiranë.

Arrestimi

Pas një punë intensive të bërë nga Seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit u arrit të identifikohet autori i dyshuar i kësaj vrasjeje dhe zbardhja e rrethanave të vrasjes. Po nga ky seksion në bashkëpunim me policinë e Tropojë dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut Kukës, u arrit që të realizohet edhe ekzekutimi i urdhrit të ndalimit ndaj 32-vjeçarit që kishte nxjerrë Prokuroria e Tiranës.

Pas krimit në vendngjarje, shkuan forcat e Komisariatit të Policisë nr. 3 Tiranë si dhe oficerë të Policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, të cilët bënë sigurimin dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes si dhe administruan provat. Për hetimin e kësaj ngjarjeje u ngrit një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e prokurorit të Prokurorisë së Tiranës. Ndërkohë që burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se po vazhdon puna intensive për të bërë të mundur edhe arrestimin e vëllait të 32-vjeçarit.

Edhe Arben Gjergji është shpallur në kërkim si një nga autorët e dyshuar për vrasjen e Mirash Prekës më 21 nëntor të këtij viti në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë. Burime nga policia bëjnë me dije se aktualisht hetimet janë përqendruar në versionin e hakmarrjes, pasi rreth 7 muaj më parë në Greqi, viktima ka vrarë me thikë të vëllain e autorit.

Ngjarja

Rreth orës 9 të mëngjesit të së dielës, banorët e zonës në rrugën “Jordan Misja” pranë shinave të trenit janë alarmuar nga një breshëri kallashnikovi, që u zbraz në drejtim të Mirash Prekës, pranë makinës së tij, tip “Mercedes-Benz”, me targa TR 0672 E. I menjëhershëm ka qenë edhe i reagimi i efektivëve të policisë së komisariatit nr. 3, që gjendet aty pranë. Mbas mbërritjes së policisë është bërë sigurimi dhe mbikëqyrja e vendngjarjes nga oficerët e Hetimit për Krime të Rënda. Pista e parë dhe e vetmja që ka gjetur policia është ajo e hakmarrjes. Pas identifikimit të viktimës, ka rezultuar se ishte i dyshuar për një vrasje, me thikë të një shqiptari, i cili, sipas policisë së kryeqytetit, ishte bashkëfshatar me Prekën. Ngjarja për të cilën viktima ka qenë i dyshuar, ka ndodhur 7 muaj më parë, në shtetin fqinj. Duke mbështetur këtë pistë policia ka arritur edhe të bëjë identifikim e shpalljen në kërkim të dy autorëve të dyshuar për vrasjen e Mirash Prekës, të cilët janë të afërm të viktimës në Greqi. Personat e dyshuar për vrasjen e ndodhur ditën e diel, në rrugën “Jordan Misja”, janë sipas policisë, vëllezërit Alfred dhe Arben Gjergji.

Burime nga policia e Tiranës bëjnë me dije se për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili është vënë nën drejtimin e prokurorit të Prokurorisë së Tiranë, ndërkohë që vazhdon puna intensive e organeve shtetërore për kapjen e dy të dyshuarve, tashmë të identifikuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›