Drejt zbardhjes së vërtetës

Drejtori i Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj, dhe dy zyrtarë të tjerë janë paraqitur të martën për të pestën herë në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prizren. Ata akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në këtë seancë gjyqësore kanë përfunduar të gjitha procedurat e provave rreth dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Gjykata ka marrë vendim që fjala përfundimtare e këtij rasti të mbahet me 15 maj.
Gjykata e Qarkut në Prizren, më 12 shtator 2011, ka filluar shqyrtimin kryesor ndaj tre zyrtarëve të Drejtorisë Komunale në Prizren: Nexhat Çoçaj, drejtor; Reshit Kushaj, zyrtar i arsimit në këtë drejtori dhe Nezir Osmani, zyrtar për buxhet.Akuza i ngarkon zyrtarët e DKA-së se më 9 maj 2009, me qëllim fitimi të dobisë pasurore, e kanë shpërdoruar detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, PrizrenPress.
Sipas aktakuzës, megjithëse firma transportuese NTSH “Shpejtimi” nga Suhareka i kishte plotësuar kriteret për tenderin lidhur me dërgimin e maturantëve të shkollave të mesme të Prizrenit në bregdetin e Shqipërisë, të akuzuarit e Drejtorisë së Arsimit në Prizren, nuk e kanë përfillur ftesën për ofertë dhe si fitues kanë shpallur firma më të shtrenjta dhe të cilat nuk ishin të licencuara nga Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë (MTI). Në ftesën për ofertë parashihej si kusht edhe pajisja me licence nga MTI-ja.
Pronari i kompanisë “Shpejtimi”, Ekrem Veselaj, ka bërë padi në Prokurorinë e Qarkut. Ai ka deklaruar se i është shkaktuar dëm nga fitimi i humbur në vlerë prej 40 250 eurosh. Ai, po ashtu, përmendi se për pajisje me licencë nga MTI-ja paguan 20 000 euro në vit, e cila është garanci për kalimin e grupeve jashtë shtetit.“Shpejtimi” ishte një nga kompanitë e pakta që konkurruan, që posedonte licencë dhe i plotësonte të gjitha kushtet, dhe kishte ofruar çmimin më të lirë - 108 euro për nxënës. Ndërsa kompanitë fituese kishin ofruar çmim prej 115 eurosh.
Avokati mbrojtës i drejtorit të Arsimit në Pizren, Rexhep Hasani , ndërkaq aktakuzën e vlerësoi të pa bazë .Ai u shpreh i bindur se procesi do të përfundojë shumë shpejtë. Edhe drejtori i Arsimit, Nexhat Çoçaj, tha se beson se drejtësia do e thotë fjalën e vetë. Ai është i bindur në pafajsinë e tij. /Indeksonline/