Drejt zgjerimit të gjashtë të Bashkimit Europian
Aktualisht Bashkimi Europian mund të thuhet se përfaqëson të gjithë kontinentin Europian. Nga Atlantiku deri në Detin e Zi, pra nga pjesa e saj perëndimore deri në atë lindore, Europa e cilësuar më parë si me dy mushkëri duket se është një e tëra. Me problematikën e saj, por gjithsesi e bashkuar pas pothuaj 60 vjet ndarjeje.
Tashmë Europa është e gatshme të presë që shtete të tjera të jenë anëtare të saj dhe të hapë dyert e saj për çdo vend tjetër europian, për çdo vend demokratik me një ekonomi tregu që përmbush kriteret e nevojshme të anëtarësimit.
Është krijuar një treg i përbashkët, një monedhë e përbashkët, ka politika të përbashkëta ekonomike she shoqërore dhe kjo shtrihet edhe në një politikë të përbashkët të jashtme europiane duke vazhduar në atë të sigurisë.
Zgjerimi më i rëndësishëm i saj mund të konsiderohet ai i vitit 2004 kur nga 15 vende anëtare do të kalohej në 25 të tilla. Anëtarësimi i (Qipros, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Maltës, Polonisë, Republikës së Çekisë, Sllovakisë, Sllovenisë dhe Hungarisë) është cilësuar si data më e rëndësishme e Europës mbas rënies së murit të Berlinit. Tre vjet më vonë në janar të 2007 ky zgjerim do të përfshinte edhe dy vendet ballkanike, Rumaninë dhe Bullgarinë.
A do të vazhdohet më tej me zgjerimin e Bashkimit Europian?
Do të ishte një Europë pa identitete kombëtare siç do të dëshironte një pjesë jo fort e vogël e së majtës europiane, duke e patur të vështirë të harrojë kujtimin e perandorisë se madhe komuniste që sapo u shpërbë, apo një bashkim shtetesh me vlera të ndryshme siç do të kërkonte me ngulm e djathta europiane?
Tashmë dihet se kush prej ideve trimfoi. Motoja e Bashkimit Europian është: “e lindur në diversitet”.
Megjithatë problemet ka patur dhe duket se nuk mungojnë.
Themeluesit e Bashkimit Europian, përpara zgjerimit të vitit 2004, ishin shumë aktiv për zgjerimin e Bashkimit Europian, të interesuar për një zgjerim të tregut të tyre, të interesuar për të siguruar kufijtë e tyre me shtete me një demokraci të zhvilluar po aq sa e 15 vendeve, të interesuar për ngritjen e nivelit ekonomik të këtyre vendeve, të interesuar për nivelin e jetesës së vendeve që i rrethonin punuan me ngulm me këto vende duke arritur më në fund frytet e punës së tyre në vitin e lartpërmedur 2004. Por ka edhe ndonjë fakt interesant të atyre viteve që të bën të mendohesh. Një gazetar i cili pyeste drejtuesit e asaj kohe të Bashkimit Europian se përse – pyeste gazetari- duhet bërë kaq punë intensive me ndonjë vend baltik, kur sipas sondazheve të bëra, vetëm gjysma e popullsisë ishte pro anëtarësimit të vendit në BE në një kohë kur ka vende – dhe gazetari citon Shqipërinë – në të cilat 95% e popullsisë është në favor të anëtarësimit në BE. Përgjigjja nuk do të vononte –“këto janë vende me një popullsi jo homogjene, ka prani të konsiderueshme popullsie ruse dhe sfidat e Bashkimit Europian duhet të fillojnë këtu, pikërisht në këto vende të cilat janë të lëkundura për një anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Europian”.
Dhe ndërsa së fundmi është bërë edhe liberalizimi i vizave për Maqedonië, Malin e Zi dhe Serbinë për të vazhduar më pas edhe me Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën të vjen në mendje liberalizimi që vite më parë u krye edhe për Rumaninë dhe Bullgarinë. Të paktë mund të kenë qenë europianët që mund të parashikonin se rreziqet nga liberalizimi i vizave mund të vinin nga Serbia dhe Maqedonia. Kushedi pse, mbi këto dy vende ekzistonte një lloj sigurie dhe kur pas problemeve të para, Shtetet e hapësirës së Shengenit menduan të merrnin masa shtrënguese për dy vendet, qytetarët europianë menduan se problemet do të shtoheshin kur të liberalizoheshin vizat edhe për Shqipërinë dhe Bosnjën.
Ndodhi e kundërta sidomos me Shqipërinë, fluksi i shqiptarëve që udhëtonin tashmë lirisht drejt vendeve të BE ishte një fluks normal dhe korrekt.
E kundërta kishte ndodhur edhe me liberalizimin e vizave me Rumaninë dhe Bullgarinë. Nuk dihet nëse është bëre me dashje ose jo, por emigrimi i rumunëve, më së shumti drejt Italisë por edhe drejt vendeve të tjera të Europës, apo i Bullgarëve, më së shumti drejt Gjermanisë u rrit së tepërmi dhe ata mund të udhëtonin lirisht dhe po aq lirisht mund edhe të punonin në këto vende. Emigrantët rumunë për një kohë shumë të shkurtër kaluan për nga numri të gjithë komunitetet e tjera të emigrantëvë rezidentë prej shumë kohësh në Itali.
Pas përfundimit me sukses të zgjerimit të pestë (kështu mbyllej faza e dytë e zgjerimit të pestë) të Bashkimit Europian, Europa filloi të frikësohej nga emigrantët dhe filloi të mendonte se për zgjerimin e gjashtë të Bashkimt Europian duhet të kalojë ende shumë kohë? “Shqiptarët janë ata që shohim në të gjithë veprat e mëdha që ndërtohen në Itali, janë ata të fabrikave të mëdha dhe të vogla, janë ato vajza që i shohim në spitale si infermiere apo ato që kujdesen për të moshuarit e Italisë” – do të deklaronte shpeshherë Romano Prodi. Në vështirësi do të ndihej me shqiptarët edhe lideri i Lidhjes së Veriut Umberto Bossi, kur sipërmarrësit e Veriut të Italisë vazhdonin të kërkonin punëtorë të huaj dhe kryesisht shqiptarë. “Ata sjellin me të vërtetë një gojë për të ushqyer por sjellin edhe dy krahë për të punuar’ – thoshte për emigrantët një filozof amerikan duke dëshmuar se ata ndihmojnë kështu më shumë vendin pritës sesa atë të origjinës.
Eksperienca që Europa ka patur me zgjerimet e Bashkimit Europian ka dëshmuar efikasitetin e procesit të integrimit. Çdo vend europian, sipas nenit 49 të traktattit të Mastrihtit të vitit 1992, çdo vend që respekton parimet e demokracisë dhe ato të lirisë, të drejtat e njeriut, liritë themelore të shtetit të së Drejtës mund të kërkojë të anëtarësohet me të drejta të plota në Bashkimin Europian.
Është e vërtetë që vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian duhet të punojnë akoma dhe më shumë për të realizuar ëndrrën e tyre por përpjekjet e tyre shpeshherë janë me të vërtetë të lavdërueshme.
Është e vërtetë se edhe vendet e Bashkimit Europian po shpenzojnë të gjitha energjitë e tyre që këto shtete të anëtarësohen sa më shpejt në vendin që u takon. Ndonjë dyshim apo pasiguri ekziston akoma. Rasti i Kosovës tregon dhe këtë.
Edhe problemet që u hasën me disa shtete të caktuara pas liberalizimit të vizave duken thuajse të kaluar ndërsa boshnjakët por veçanërisht shqiptarët u treguan shumë korrekt me lëvizjen e lirë në vendet e hapësirës Shëngen.
Frika nga emigracioni që mund të vinte prej këtyre vendeve pothuaj nuk ekziston më. A nuk po afrohemi çdo ditë dhe më shumë drejt zgjerimit të gjashtë të Bashkimit Europian?