Për një Tiranë-metropol, që është, edhe e tiranasve, edhe e të gjithë shqiptarëve
Tirana si kryeqytet i vendit ka një dimension të dyfishtë. Dimensioni i parë është qyteti i banorëve tiranas që jetojnë brenda asaj që quhet vija e verdhë ndarëse me periferinë. Kurse dimensioni i dytë i Tiranës është qenia një kryeqytet i të gjithë qytetarëve të të gjithë Shqipërisë dhe kombit. Simbolika që përçon kryeqyteti është i njëllojtë me vendet e tjera të kontinentit europian, që është pikëtakimi i gjithë asaj çfarë jemi.
Tirana e sotme, fatkeqësisht, ka shumë probleme. Neglizhenca ka prodhuar vështirësi të paimagjinueshme. Problemi më urgjent i cili ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetesës është transporti publik i mjerueshëm aspak integruar me pjesëtarët e komunitetin. Cilido që udhëton pas orës 16 me autobus në linjat e ndryshme të qytetit di që vonesa është e paralajmëruar. Dhe që transporti urban pas orës 23 pushon së ekzistuari. Kushdo që ka jetuar jashtë Shqipërisë di shumë mirë që transporti urban është 24 orë, pa pushim, me ndonjë reduktim në ca zona të caktuara jo industriale. Afërmendsh nëse gjërat vazhdojnë të jenë kështu në Tiranë pa ndonjë sistem të integruar të transportit publik brenda pak viteve ky qytet do të jetë i pajetueshëm. Kryebashkiaku aktual, Edi Rama prej 11 vitesh s’ka menduar për të ardhmen, për lëvizshmërinë e qytetarëve të thjeshtë, që edhe po të kishin makina do ju nxihej jeta në një trafik të rënduar për shkak të mungesës së unazës së madhe, apo edhe ngushtimit të rrugëve nga ndërtimi i pallateve.
Një zgjidhje për transportin publik është ofruar nga kandidati i PD-së Lulzim Basha, i cili mendon se bashkërendimi i autobusëve dhe tramvajit elektrik i linjës Kombinat-Kinostudio dhe linjës tjetër Stacioni i Trenit-Dogana mund të përmirësojë mobilitetin social të qytetarëve. Patjetër është një kosto që do të kërkojë kohë dhe para, megjithatë ky projekt është frenuar deri më sot për shkak të kontratave të majme të kryebashkiakut Rama me pronarët e autobusëve të vjetër, që duan të fitojnë sa më shumë me një kosto sa më të vogël, duke abuzuar në cilësinë e transportit publik.
Sakaq do një plan urbanistik që është premtuar nga Rama që prej 11 vitesh dhe s’është paraqitur kurrë në Këshillin Bashkiak për miratim apo kundërshtim. Ky forum i përzgjedhur nga qytetarët është anuluar me qëllim të shmanget ushtrimi i kontrollit mbi administrim monist të Ramës. Sot qyteti është kështu sepse Tirana është ndërtuar zhvilluar e zgjeruar me të mirat e defektet e veta gjithmonë në rrugë kaotike nën presionin e interesave të klikave të ndryshme me leje bashkiake.
Gjithsesi Tirana që të zhvillohet si të gjitha qytetet e mëdha të Europës kërkon një rrjet kapilar inxhinierik që përkthehen në investimin e veprave të mëdha publike, si Unaza e re e Tiranës, mbikalime dhe nënkalime në të gjitha kryqëzimet kryesore qoftë për mjetet, qoftë për këmbësorët, parkimet publike e private të disiplinuara me ligj. Me zhvillimin e qytetit përfitojnë në radhë të parë qytetarët e mandej njerëzit e biznesit. Këta të fundit janë në hall sepse laku i 82 taksave vendore po i mban peng zgjerimin e biznesit, si dhe rritjen e fitimeve. Propozimi i Lulzim Bashës për reduktimin në një minimum të taksave vendore është mëse i pranueshëm. Pse? Sepse vetëm me uljen e taksave mund të krijohet hapësira ekonomike e mjaftueshme për të çliruar qytetarin e thjeshtë, sipërmarrësin e mesëm dhe të vogël, apo profesionistin e lire nga detyrimet financiare tejet të larta. Të gjithë e dinë se për të zhvilluar sa më shpejt një qytet është e nevojshme një regjim fiskal sa më i ulët, në mënyrë që të gjenerohet një klimë pozitive për investime, ç’ka do të thotë vende të reja pune, ç’ka ka propozuar kandidati Basha për Tiranën.
Sidoqoftë jemi përpara alternativës vend-numëro dhe ndryshimit të gjendjes aktuale. Edi Rama na thotë jeni shumë mirë kështu siç jemi prandaj për të gjitha të gjërat e tjera, fajin e ka Saliu. Kurse ndryshimi për qytetin, për qytetarin që aspiron të jetë i barabartë me çdo qytetar europian ka mundësi të ndryshojë duke përqafuar alternativën demokratike të Lulzim Bashës.