E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtësi nga tarraca e pallatit!

Shteti bën ligjet, por nuk i zbaton, qytetari gjen shtigjet dhe kërcënon. Mbase kjo do të ishte fraza më e përshtatshme për t’iu përgjigjur ngjarjeve të fundit që janë kthyer në modë aspak të këndshme, por të guximshme në sytë e shqiptarëve. Dita-ditës, nga majat e pallateve, burra, gra, madje të shoqëruar edhe nga fëmijë, kërcënojnë drejtësinë shqiptare me vetëgjyqësi. Këto shfaqje janë kthyer në telashe të pandërprera për policinë, sensacione mediatike dhe më e rëndësishmja, kambanë alarmi për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Të gjitha kërcënimet kanë lidhje me të drejtën e pronës dhe respektimin e ligjeve, vënien e drejtësisë, pas sorollatjes pa dobi në dyert e gjykatave dhe administratës. Shqiptarët, me shpresën e vetme për të pasur prokopi pronën që iu takon, ndihen të pafuqishëm ndaj të fortëve që kanë uzurpuar dhe manipuluar dokumentet. Ata ndihen të lodhur ndaj një sistemi që i ka orientuar interesat në ngushticat e padukshme të korrupsionit dhe padrejtësisë.
***
Prandaj nuk do jetë e çuditshme që në ditët në vazhdim, tarracat e pallateve në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit të mbushen me kërcënues seriozë, të cilët do të shtohen nëse nuk do të gjejnë përgjigjen e kërkuar. Në këtë situatë delikate, ose duhen rrethuar me tela me gjemba tarracat e pallateve (!) që të mos kalojnë më “kërcënuesit”, ose shteti dhe institucionet e tij të zgjidhin problemet e qytetarëve pa u tallur më. Në fakt, shumë çështje kërkojnë vite për t’u përfunduar për një numër arsyesh të paarsyeshme. Ato zhvillohen në seanca të planifikuara në mënyrë sporadike; gjyqtarët kanë pak pushtet apo autoritet për të detyruar palët, avokatë apo prokurorë, për t’u paraqitur në çdo seancë etj, etj. Këto nuk janë thjesht disa konstatime nëpër tryeza të rrumbullakëta. Njerëzve iu ka ardhur shpirti në majë të hundës me administrimin e pandershëm të drejtësisë.
***
Në këto 20 vite e kusur, qytetarit shqiptar i ka munguar e drejta e pronës, një nga shtyllat e tij dhe pikërisht shtylla që garanton të drejtat dhe liritë në të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe ekonomike. Çoroditja e mendjes së njerëzve dhe largimi i vëmendjes së tyre nga problemet e përditshme tani ka marrë fund, prandaj shpërthimi qytetar është i justifikueshëm. Dikush mund të thotë që nuk është normale, as etike dhe as civile që të kërcënojë me jetë një njeri nga maja e pallatit për të fituar të drejtën, por edhe heshtja dhe nënshtrimi nuk mund të jetë një formë e vazhdueshme jetese. Deri më sot është abuzuar me këtë heshtje qytetare. Janë keqadministruat rregullat dhe normat ligjore që përcaktojnë qartazi të drejtën. Kur qytetari nuk gjen drejtësi, ai do gjejë format e tij përmes vetëgjyqësisë, por gjithmonë me qëllimin e vetëm për të përshpejtuar fitimin e drejtësisë. Realisht, kështu ka ndodhur me ngjarjet e fundit, të cilat ende nuk kanë sjellë efektet e ndryshimeve reale në sistemin e drejtësisë shqiptare. Në asnjë rast nuk mund të akuzohen qytetarët sepse ata janë konsesualë dhe të negociueshëm, binden nëse iu ofrohet zgjidhja e problemit.
Shumë njerëz që merren me sistemin e drejtësisë besojnë dhe pohojnë vetë se sistemi nuk i përgjigjet nevojave të qytetarëve. Nën zë ata e kuptojnë reagimin qytetar, i cili duket ekstrem, por në thelb është dinjitoz prandaj masat e gjëra mbështesin dhe iu japin të drejtë të guximshmëve që ngjiten në majë të shtyllave elektrike dhe në tarracat e pallateve. Paralajmërimi i tyre, në thelb është një lajm i mirë dhe duhet interpretuar si një indinjatë qytetare dhe jo me ngjyra politike. Askush nuk do t’ia dijë për parti kur pikon çatia në shtëpinë e tij. Kjo formë proteste qytetare duhet marrë seriozisht dhe jo si raste sporadike që do harrohen të nesërmen. Politika dhe institucionet e shtetit duhet të kujtojnë gjithmonë shprehjen e Xhon Adams, Presidenti i dytë i Shteteve të Bashkuara: “Dinjiteti dhe stabiliteti i qeverisjes në të gjitha degët e saj, morali i njerëzve si dhe çdo bekim i shoqërisë varet aq shumë nga një administrimi i ndershëm dhe i aftë i drejtësisë...”.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›