E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtësia administrative, opozita do të njihet me sugjerimet e palëve

10/12/2008  Ligjet shtyjnë diskutimin e projektligjit

Komisioni parlamentar i Ligjeve shtyu diskutimin e projektligjit “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”. Anëtarët e komisionit, veçanërisht ata të opozitës, kërkuan të njihen më shumë me sugjerimet e palëve të interesuara, madje për këtë ata kërkuan edhe zhvillimin e një seance dëgjimore me ta. “Parimisht ne jemi shprehur dakord me këtë projektligj, por propozoj që më shumë sesa konsensusi numerik, të sigurojmë edhe konsensusin politik për këtë projekt. Për këtë propozoj që komisioni të zhvillojë seanca dëgjimore me palët e interesit, siç janë KLD-ja apo edhe shoqatat e gjyqësorit”, - tha nënkryetari i komisionit, deputeti i PS-së Fatmir Xhafa. Në përgjigje të këtij shqetësimi ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, tha se hartimi i draftit i është nënshtruar një konsultimi të gjerë me grupet e interesit. “Procesi i hartimit të këtij projektligji i është nënshtruar një konsultimi të gjerë me të gjithë aktorët e interesit, duke filluar nga shoqatat e biznesit, të bankave dhe gjyqësorit, të cilët do të jenë dhe zbatuesit e këtij projektligji. Puna për hartimin e tij ka filluar në janar të këtij viti dhe ka përfunduar në muajin gusht. Ai është mbështetur në përvojën më të mirë perëndimore në këtë fushë dhe besoj se janë të gjitha premisat për të nxjerrë një produkt cilësor”, - tha Alibeaj. Pas kërkesës së shumicës së deputetëve të komisionit për shtyrje, edhe kryetari i komisionit, Ilir Rusmali, u shpreh dakord me këtë kërkesë. Gjithashtu ai vuri në dijeni komisionin me disa vërejtje të bëra për disa nene të këtij projekti edhe nga misioni “EURALIUS” të paraqitura dje në komision. “Meqenëse kemi të bëjmë me dy kërkesa: për të vënë në dispozicion të anëtarëve materialet me sugjerimet konkrete dhe për seanca dëgjimore, unë propozoj që më parë të njihemi me këto materiale dhe më pas të vlerësojmë nëse është e nevojshme të zhvillojmë seanca dëgjimore”, - tha Rusmali. Projekti në fjalë synon mbrojtjen e biznesit nga praktikat abuzive të administratës shtetërore. Ai parashikon shkurtimin e praktikës në gjykime brenda një afati kohor dymujor: përkatësisht një muaj në gjykatën e shkallës së parë dhe një muaj në Gjykatën e Apelit. Drafti është hartuar nga një grup ekspertësh të sistemit gjyqësor në bashkëpunim me ekspertë perëndimorë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›