E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja shtyn ankesën e të përndjekurve

10/12/2008  Mungon Kuvendi dhe Qeveria

Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për një ditë tjetër seancës e shqyrtimit të kërkesës ankimore të të përndjekurve politikë për shfuqizimin e ligjit “Për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë”. Shkak për shtyrje u bë mungesa në gjykim e palëve të interesuara, konkretisht Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave. Ligji për dëmshpërblimin e të përndjekurve u miratua nga Kuvendi para një viti dhe u cilësua nga të përndjekurit i papajtueshëm me Kushtetutën, sepse shkel të drejtat e njeriut. Sipas ankimuesve, ai nuk u jep të drejtën e dëmshpërblimit atyre mijëra të përndjekurve politikë që janë vrarë para vitit 1944 pa gjyq. Po ashtu shoqatat e të përndjekurve politikë që i janë drejtuar kushtetuese për të rrëzuar ligjvënësit, kërkojnë që edhe të vrarët nga komunistët e para kësaj date, pra të periudhës 1943-1944, të përfitojnë nga dëmshpërblimi që parashikohet nga ligji në fjalë. Ligji në fjalë parashikon një listë me dokumente për të paraqitur pranë Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim përfitimin e shpërblimit nga ky ligj. Por për të vrarët pa gjyq në ato vite nuk ekziston asnjë dokument që të vërtetojë këtë. Kjo mënjanon pasardhësit e të pushkatuarve që të përfitojnë nga ky dëmshpërblim. Sipas ligjit, çdo i dënuar politik për çdo ditë vuajtje dënimi në burg, në spital psikiatrik a burgu, në izolim, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991 dëmshpërblehet me 2 mijë lekë në ditë dhe të dënuarit në kampe internimi do të dëmshpërblehen në formën e një pensioni mujor. Në rrethin e familjarëve nënkuptohet bashkëshortja dhe fëmijët. Të dënuarit politikë kërkojnë që masa e dëmshpërblimit për jetën e një të pushkatuari të jetë e barabartë me dëmshpërblimin e 25 vjetve burg, si një masë dënimi e përafërt me dënimin kapital. Po ashtu ata kanë ankimuar edhe të drejtën e përfitimit të dëmshpërblimit nga ana e trashëgimtarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›