E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Politika, e lidhur me krimin



Erald Kapri

Lidhja e krimit me politikën është e pashmangshme. Ky është konkluzioni i Kryeprokurores Ina Rama, e cila deklaroi dje në raportimin në Komisionin e Ligjeve se u qëndron deklaratave të saj, sipas të cilave "është tendencë e krimit të organizuar për të shfrytëzuar politikën, për t'u fuqizuar. është e pashmangshme ndoshta". E pyetur direkt nga deputeti i PD-së, Fatos Hoxha, për këtë deklaratë të bërë në vitin 2008, Kryeprokurorja tha se ky është një konkluzion tashmë. "Unë u qëndroj përgjigjeve që kam dhënë. Shoqëruar edhe me definicion se ai është një konkluzion për llojin i gjendjes së kriminalitetit dhe tendencave të shtrirjes së tij, për mënyrën se si funksionojnë organizatat kriminale", tha Rama. Ndërkaq ajo shtoi se krimi në tërësi shënon ulje në vend, por ai po merr ngjyrën e fenomeneve sociale e ekonomike të shoqërisë. Kryeprokurorja Ina Rama evidentoi se ka një ulje në përqindje të ndjeshme të krimit të organizuar si trafikimi i qenieve njerëzore, trafikimi i bimëve narkotike, kalimi i kufijve etj, por ajo shtoi se krimi sporadik mbetet shqetësues. Sipas Ramës, është rritur në mënyrë të ndjeshme krimi i vjedhjes. "është një shifër shqetësuese edhe për ne edhe për Policinë e Shtetit. Në këtë rast kemi të bëjmë me pezullime të çështjeve për shkak se nuk është zbuluar autori i çështjes", tha Rama. Ajo shtoi se policia e ka tepër të vështirë të identifikojë autorët e vjedhjeve, ndaj dhe ka një numër të lartë të pezullimit të hetimeve nga Prokuroria. Që nga viti 2005, është dyfishuar numri i të miturve në veprat penale. Ajo tha se Ministria e Drejtësisë inspektoi 21 Prokurori në mbarë vendin në vitin 2009 dhe 134 çështje të hetuara, vetëm 7 prej tyre i gjeti jo në zbatim të ligjit. "Ministria e Drejtësisë ka ushtruar kontroll në 21 Prokurori, ka verifikuar 134 çështje duke vjelur informacion nga shtetasit, dhe ka konstatuar vetëm 7 çështje. Në këto 7 çështje kemi konkluduar se vetëm njëra çështje duhej tërhequr", tha Rama. Ajo tha më tej se "në dy raste të çështjeve për të hetuar prokurorët, në zbatim të urdhrit dhënë nga Prokurorja e Përgjithshme, sepse i tillë ishte definicioni i ligjit, në kohën kur ndodhi çështja, është kërkuar të vendoset masa e sigurisë e arrestit me burg për dy prokurorët dhe kjo nuk është një gjë e këndshme dhe as që ndodh përditë".

Seanca e pyetje-përgjigjeve në Komisionin e Ligjeve

Saimir Tahiri:Në momentin kur relatori ju tërhoqi vëmendjen për të mos paraqitur vërejtje në publik, për projektligjet e maxhorancës, e konsideroni këtë si një kërcënim dhe presion politik? Pyetja ime e dytë ka të bëjë me vrasjen e deputetit të Partisë Socialiste të ndjerit Fatmir Xhindi. Zonja Kryeprokurore, e konfirmoni nga ana e Prokurorisë se kjo vrasje është kryer për shkak të detyrës?
Ilir Rusmali:Unë jo më kot referova tek neni 53 për Prokurorinë, i cili përcakton kufijtë e kësaj seance. Ai nen nuk lejon as bërjen e pyetjes as përgjigjet për raste konkrete. Këtë gjë mund ta konfirmojë edhe Kryeprokurorja.
Ina Rama:Në lidhje me pyetjet e parë do thosha që çdo prokuror është i lirë të shfaqë opinionet e tij në publik. Qëndrimin tonë institucional për projektligjin e kemi bërë të qartë. Në lidhje me vrasjen e deputetit Xhindi, për t'i mos i hapur rrugën dhe për të respektuar ligjin që nuk jepen njoftime, për çështje të veçanta, unë do preferoja të mos jepje përgjigje për momentin ku ndodhet hetimi, por do thosha në parim që Prokuroria është e angazhuar për të bërë zbardhjen e asaj ngjarje që realisht është nga ngjarjet më të rënda.
Enkelejd Alibeaj:Ju keni dhënë dy të dhëna që nuk mund të mos e fsheh kënaqësinë, uljen e koeficientit të kriminalitetit krahasuar me një vit më parë. Do të doja të dija çfarë ka ndodhur në vitin 2009 që ka një ulje kaq domethënëse të koeficientit të kriminalitetit?
Ina Rama: Sigurisht që duhet të flasim për punën e mirë të agjencive të luftës kundër kriminalitetit.
Fatos Hoxha:Mu desh të klikoj në internet dhe të shoh një intervistën tuaj Zonja Kryeprokurore në Zërin e Amerikës shpreheni se "është tendencë e krimit të organizuar për të shfrytëzuar politikën për tu fuqizuar. është e pashmangshme ndoshta". Dhe pyetjes së gazetarit që a ka arritur të shfrytëzojë politikën, ju i jeni përgjigjur "Po. Besoj se politika në ndonjë rast është vënë në shërbim". Zonja Kryeprokurore, a i qëndroni kësaj deklarate tuaj? Mund të na jepni raste që jeni ndeshur?
Ka edhe një kallëzim penal për një kolegun tonë, Doshin, nga Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave. Bëhet fjalë për një deklarim pasurie prej 10.5 milionë dollarë dhe sipas hulumtimeve të kësaj drejtorie, gjysma e kësaj pasurie është e rreme. Nuk e di çfarë bëhet me këtë dosje dhe nëse ka kallëzime të tjera?
Ina Rama:Megjithëse zoti Hoxha i referohet deklarimeve të mia në vitin 2008. Megjithatë unë i qëndroj përgjigjeve që kam dhënë në emisionin e zërit të Amerikës. Shoqëruar edhe me definicion se ai është një konkluzion për llojin i gjendjes së kriminalitetit dhe tendencave të shtrirjes së tij, për mënyrën se si funksionojnë organizatat kriminale. Në lidhje me kallëzim për zotin Doshi, është një pyetje që i përket vitit 2008 dhe një problematikë që nuk hyn në këtë problematike dhe është e zgjidhur.
Saimir Tahiri:Dua të kujtoj disa dosje si Durrës Kukës, Dosja Gërdeci' që është mirë ta kujtojmë se është pezulluar për shkak të rifitimit të imunitetit shtetasit Fatmir Mediu. Në dosjen Durrës-Kukës, ende nuk kanë mbajtur përgjegjësi askush edhe nga Prokuroria. Në shembujt e tunelit, nuk dihet nëse kanë nisur hetime po ashtu edhe ndaj shtetasit Damir Fazllic nuk dihet se a ka filluar ndjekja penale për drejtuesit e kufirit që ndaluan prokurorët. Dosja e Remzi Hozhës dhe atentati ndaj gjyqtarit të lartë Adrian Nuni, e cila nuk dihet nëse po hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme. çfarë e pengon Prokurorinë për të çuar deri në fund këto dosje?
Ilir Ruslami:Zonja Prokurore, do ta jepni ju përgjigjen apo unë?
Ina Rama:Ju më duket se bëtë një pyetje përgjigjen e së cilës e dini që nuk e merrni dot. Më vjen keq sepse ne e ezauruam që në fillim.
Ilir Rusmali:Pyetje propagandistike
Saimir Tahiri:Më mjafton edhe heshtja
Edi Paloka:Sa janë ndjekur personat për korrupsion aktiv?Në lidhje me kufizimin e imuniteteve, e keni fjalën për parlamentarët apo në tërësi dhe ku konkretisht?
Ina Rama:Janë të dhënat për korrupsion aktiv, dhe puna jonë ka shkuar në ndëshkimin e këtyre personave. Për vitin 2009, në korrupsion aktiv kemi 2 çështje në funksionarëve publike, dhe 7 çështje të funksionarëve të drejtësisë. Përsa i përket imuniteteve, ne i referohemi në tërësi dhe jo vetëm të parlamentarëve. I referohemi të gjithë personave që gëzojnë imunitet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›