KLSH: Administrata, 9.7 milionë USD dëm
nertila maho
Kontrollet e ushtruara tre muajt e para të këtij viti në disa nga institucionet e vendit kanë nxjerrë në pah një dëm me vlerë 9.7 milionë dollarë. Në raportin e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit theksohet se kjo shifër vjen si rezultat i parregullsive dhe shkeljeve financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera nga institucionet përkatëse. Dëmi përkon me veprimtarinë ekonomiko-financiare të periudhës kohore 2008-2009, përcaktuar për çdo subjekt të kontrolluar në programet e kontrollit. Nga totali prej 9.7 milionë dollarë në raportin e KLSH konstatohet se shkeljet më të mëdha janë kryer në fushën e tatimtaksave me një vlerë 3.4 milionë dollarë. Nga këto pjesa më e madhe u përket drejtorive rajonale të tatimeve në Shkodër, Gjirokastër, Kukës dhe Dibër, ku vetëm shkeljet dhe parregullsitë e Drejtorisë Tatimore të Shkodrës kapin vlerën 1.8 milionë dollarë. Përgjithësisht shkeljet në drejtoritë e mësipërme konstatohen në detyrime tatimore dhe penalitete për tatimfitimin dhe për t.v.sh., si dhe mosaplikim të gjobave për mosdorëzimin në afat të bilancit financiar. Fusha e dytë ku konstatohen shkeljet më të mëdha dhe që ndjek tatimtaksat janë doganat, me një dëm 3.1 milionë dollarë. Nga këto vetëm Doganës Durrës i adresohet vlera 3 milionë dollarë. Kjo si rezultat i detyrimeve doganore të papaguara në zhdoganimet e disa artikujve të ndryshëm në vlerën 300 milionë lekë, si dhe detyrime doganore të papaguara nga zhdoganimet e autoveturave në vlerën 6 milionë lekë. Ndërkohë sektori që renditet i treti sa i përket vlerës së dëmit të shkaktuar nga shkeljet dhe parregullsitë është ai i shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore. Sipas KLSH-së, këtu dëmi është në vlerën 1.4 milionë dollarë. Pjesa më e madhe e kësaj shume i përket Drejtorisë së Politikave të Pyjeve dhe Kullotave, Tiranë, në vlerën 1.2 milionë dollarë, e lidhur kjo me tarifa të papaguara nga subjekte private për përdorimin e sipërfaqeve pyjore për karriera, aktivitete prodhuese, tregtare. Shkelje të tjera konstatohen në fushën e prokurimeve publike në vlerën 78 milionë lekë, në fushën e shpenzimeve operative, në fushën e sistemit të pagave apo në fushën e shpërblimeve. Në raportin e tremujorit të parë të këtij viti KLSH bën me dije se nga 39 kontrolle të planifikuara për evadim, janë ushtruar dhe është vijuar me përgatitjen e materialeve për 104 kontrolle. Po kështu janë bërë 4 kallëzime penale për 8 persona, me një dëm në vlerën 59 milionë lekë. Lidhur me totalin 9.7 milionë dollarë, KLSH rekomandon zhdëmtim në masën 100 për qind të tij.
kontrolli i klsh
Fusha ku konstatohet shkelja, institucioni me dëmin më të madh për çdo fushë dhe vlera në milionë lekë
Tatimtaksa (gjithsej) 341 768 000 lekë
-Drejtoria tatimore Shkodër 187 237 000 lekë
Dogana (gjithsej) 318 159 000 lekë
-Dogana Durrës 306 613 000 lekë
Shitje dhe dhënie me qira e pasurisë shtetërore (gjithsej) 140 159 000 lekë
-Drejtorinë e Politikave të Pyjeve dhe
Kullotave, Tiranë 127 346 000 lekë
Prokurimet (gjithsej) 78 691 000 lekë
-Drejtoria e Përgjithshme e
Hekurudhave Durrës 27 848 000 lekë
Shpenzimet operative (gjithsej) 4 401 000 lekë
-Bashkia Kuçovë 1 833 000 lekë
Sistemi i pagave (gjithsej) 1 104 000 lekë
-Drejtoria e Përgjithshme e
Burgjeve, Tiranë 156 000 lekë
Shpërblimet (gjithsej) 731 000 lekë
-Agjencia e Prokurimit Publik 69 000 lekë
"Të tjera"(gjithsej) 88 232 000 lekë
-Ministria e Arsimit dhe
Shkencës, Tiranë 50 470 000 lekë