E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtësia, ‘këshillon’ Bumçi

Tiranë–Zëdhënës i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Aldo Bumçi, deklaroi sot në një konferencë për shtyp, "se njerëzit e sistemit të drejtësisë duhet të jenë figura me integritet dhe të paanshëm, bazuar kjo dhe në rezolutën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës". Duke folur për 10 parimet e rezolutës së pranuar nga Shqipëria, ai veçoi dy prej tyre, paanshmërinë dhe integritetin e gjyqtarëve, të cilat përcjellin mesazhe se ata duhet të evitojnë konfliktin e interesit.

"Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka miratuar 10 parime bazë mbi të cilat duhet të bazohet sjellja e gjyqtarit, ndër të cilat veçoj parimin e paanshmërisë të gjyqtarëve dhe të integritetit të tyre moral”-nënvizoi Bumçi, duke gjyqtarët duhet të ushtrojnë funksionet e tyre me paanshmëri dhe të garantojnë aparencën e paanshmërisë.

Duke u ndalur te pika e dytë, integriteti, z. Bumçi cilësoi se “sjellja e tyre duhet të jetë konsistente, në përputhje me karakterin moral të lartë që është një kriter për detyrën e gjyqësorit. Gjyqtarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm në çdo kohë për detyrën e tyre, për të mbajtur lart qëndrimin dhe reputacionin e gjykatës”.

Në vijim të deklaratës së tij ai shtoi se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është një nga institucionet më të rëndësishme të kontinentit Evropian. Vendimet e saj kanë autoritet mbikombëtar mbi sistemin gjyqësor të vendeve anëtare, pra për të gjithë vendet anëtare të Këshillit të Evropës. “Vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë të detyrueshme për t'u zbatuar dhe shtetet anëtare raportojnë rregullisht në KE për zbatimin e tyre”, përfundoi z. Bumçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›