E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i dosjeve, amulli mbi gjykimin e tij

18/01/2009  PD e PS ndajnë të njëjtin qëndrim mbi rolin e Gjykatës Kushtetuese

“Është Gjykata Kushtetuese instanca ku mund të ngrihet ankimimi”

Ligji për hapjen e dosjeve ka ndezur debatin mbi faktin se cili është organi që do të gjykojë animimet e mundshme nga forcat politike. Përfaqësues të partive të majta politike theksojnë se kur një ligj ankimohet është vetëm institucioni i Gjykatës Kushtetuese që mund të vendosë nëse ligji në fjalë është brenda të gjitha kornizave kushtetuese. Për të majtët asnjë organ tjetër nuk mund të japë një vendim në rastet kur ligji ankimohet. Sipas tyre, është e drejta dhe detyrimi i Gjykatës Kushtetuese të thotë fjalën e saj të fundit mbi kushtetutshmërinë e ligjit për hapjen e dosjeve. Ndërkohë vihet re ekzistenca e një handikapi ligjor. Pjesë e kontrollit nga ligji i lustracionit janë të gjithë gjykatësit, duke filluar nga ata të Gjykatës Kushtetuese. Kështu, kushtetutshmërinë e një ligji do të duhet ta gjykojë një person që është i përfshirë në filtrin e lustracionit, sigurisht pa hamendësuar se ka qenë apo jo ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Ndërkohë si Partia Socialiste, ashtu dhe ajo Demokratike janë në koherencë me njëra-tjetrën sa i takon rolit të Gjakatës Kushtetuese, lidhur me këtë ligj. Kështu, të dyja këto parti, edhe pse ndajnë pikëpamje të kundërta mbi ligjin e dosjeve, pasi PD-ja e miratoi dhe PS-ja e kundërshtoi atë, sërish në momentin e gjykimit të këtij ligji nuk anashkalojnë detyrimet që rrjedhin nga ligji themeltar i shtetit.

Partia Demokratike

Nga ana e tij, deputeti i Partisë Demokratike Aldo Bumçi pranon se është Gjykata Kushtetuese instanca ku mund të ngrihet animimi. Sipas tij, nëse një individ është kundër një autoriteti, atëherë ai i drejtohet gjykatës së shkallës së parë për të përcjellë anikimimin e tij, ndërsa ligjet ankimohen në Gjykatën Kushtetuese. Bumçi nuk mund të përgjigjet nëse në Gjykatën e Kushtetuese ka ndonjë gjykatës me konflikt interesi. “Nuk jam në dijeni të faktit nëse ka konflikte interesi në Gjykatën Kushtetuese, sepse nuk kam asnjë lloj të dhëne dhe, po të flasim, i bie të spekulojmë”, - thotë ligjvënësi demokrat. Forca më e madhe politike në mazhorancë ka vlerësuar si tepër të rëndësishme ligjin për hapjen e dosjeve. Për demokratët pastërtia e figurës së zyrtarëve të lartë shtetërorë është një kusht shumë i rëndësishëm për të hequr një herë e përgjithmonë njollën e zezë të lënë nga regjimi i tmerrshëm komunist. PD-ja ka nënvizuar se me këtë ligj nuk synohet aspak hakmarrje, por vendosja e drejtësisë në vend.

Partinë Socialiste

Për Partinë Socialiste, edhe pse nuk mund të pretendohet zbatimi i ligjit, i cili në thelb është antikushtetues, roli i çdo gjykate është i mirëpërcaktuar në Kushtetutë. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Administratës Publike dhe Sigurisë në Asamblenë Kombëtare të PS-së Ylli Manjani, duke iu referuar pikërisht këtij ligji, u shpreh qartë se “Kushtetuta e Shqipërisë ka të përcaktuar rolin, funksionimin dhe detyrën për çdo gjykatë, natyrisht duke përfshirë këtu dhe Gjykatën Kushtetuese”. Sipas tij, si në rastin e ankimit të ligjit të dosjeve, ashtu dhe në rast të apelimit të çdo individi të cenuar nga ky ligj, do të jetë Gjykata ajo që do t’i shqyrtojë ato. Ndërkohë që për ankimin e ligjit të dosjeve në Kushtetuese PS-së i kanë mbetur dhe 5 ditë deri në mbylljen e afatit ligjor mbi këtë çështje.

Edmond Haxhinasto

“Ligji i dosjeve nuk është gjë tjetër veçse pjesë e arsenalit electoral të Berishës, i cili shpreson se nëpërmjet këtij ligji, nëpërmjet procesit të lëshimit të kartave të identifikimit, problematik që në fillimin e tij, si dhe nëpërmjet borxheve të mëdha që po merr për asfaltet e elektorale, do të mashtrojë përsëri shqiptarët për një mandat të ri në vitin 2009”, - u shpreh Kryetari i KDK-së së LSI-së Edmond Haxhinasto.

Engjëll Bejtja

“Ligji i dosjeve që me hyrjen e tij në fuqi ka cenuar rëndë standardin e zgjedhjeve të ardhshme, ende pa u zhvilluar ato. Kjo përbën edhe një nga kundërshtitë themelore të deklaratës së KE-së, ku thuhet se lustracioni nuk duhet të aplikohet mbi kandidatët në zgjedhje. Qëllimi i vërtetë i këtij ligji është mbulimi i krimeve të bëra në këto vite të qeverisjes së Sali Berishës dhe shpurës së tij.”

Aldo Bumçi

Deputeti i PD-së thotë se, kur një ligj ankimohet, atëherë organi përgjegjës për të përcaktuar kushtetutshmërinë është Gjykata Kushtetuese. “Nëse ti si individ je kundër autoritetit, shkon në gjykatën e shkallës së parë, ndërsa ligjet shkojnë në Gjykatë Kushtetuese. Nuk jam në dijeni të faktit nëse ka konflikte interesi në Gjykatën Kushtetuese, sepse nuk kam asnjë lloj të dhëne dhe, po të flasim, i bie të spekulojmë”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›