E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Korrupsioni në prona me firmën e Kryeministrit

18/01/2009  PD e PS replikojnë për pronat. Demokratët hedhin poshtë akuzat e socialistëve

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike u përfshinë dje në akuza të ndërsjella ndaj njëra-tjetrës për procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Nënkryetari i grupit kuvendor socialist Erion Braçe akuzoi ashpër Kryeministrin Berisha si përfituesi kryesor i korrupsionit me pronat. Sipas tij, në vlerësimet e fundit për lirinë ekonomike në vend konfirmojnë edhe një herë binomin shkatërrues për këtë vend: korrupsionin dhe pronat, të cilat vlerësohen dukshëm në indekset e publikuara. “Pronat janë përdorur për korrupsion dhe korrupsioni me pronat, tokat, më së shumti është dominant, duke punësuar pushtetarë të çdo lloji, qendror apo lokal, ata që merren me bujqësinë, po ashtu ata që merren me ndërtimet në fushë apo në mal, në bregdet apo në pyll, tokë shtetërore, publike, tokë e ndërmarrjeve publike, e reparteve ushtarake, e pandarë apo me pronarë të certifikuar qysh herët”, - u shpreh Braçe. Duke shkuar më tej, nënkryetari i ligjvënësve socialistë akuzoi se “e gjitha ka ndodhur apo ndodh me dijeni të plotë dhe nën udhëheqjen e Sali Berishës, njeriu që ka përqendruar në dorën e tij dhe administrimin e tokës apo të gjithë procesin dhe kompensimin e kthimit fizik të pronës, pasi synimi i tij është të punësojë njerëzit e tij, çka ka sjellë që të pasurohen, të kthehen në latifondist sa hapë e mbyll sytë pushtetarë, familjarë, klientë të tyre, në një proces korruptiv që nuk po ndalet”. Këtë qëndrim deputeti socialist e bazoi në deklarimet e pasurive të pushtetarëve, të cilat, sipas tij, rezultojnë të blera me çmime qesharake, prona në sipërfaqe të konsiderueshme, duke nisur nga familja e Kryeministrit dhe më poshtë. Gjithashtu Braçe solli me shembuj konkret abuzimet me pronat në zona të ndryshme të vendit. “Fenomeni që po ndodh, është pothuaj një grabitje kombëtare me përmasa të papreçedentë, nën sytë, nën mbikëqyrjen dhe me vendimet e Sali Berishës”, - vlerësoi Braçe. Por nga ana e saj Partia Demokratike u prononcua se do të jetë pikërisht verifikimi i titujve të pronësisë që do të nxjerrë në pah abuzimet me tokat dhe pronat e qytetarëve. Në këtë mënyrë preferoi që t’u kundërpërgjigjet në emër të PD-së zëdhënësi i saj Gerti Bogdani akuzave të nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së Erion Braçe për grabitjen e tokave nga pushtetarët. Duke vijuar më tej kundërvënien ndaj kësaj deklarate të ardhur nga Partia Socialiste, Bogdani u kujtoi përfaqësuesve socialistë se në zonat ku pretendohet të jetë abuzuar me pronat drejtojnë pikërisht të zgjedhur lokalë të kësaj parti. “Edi Rama nëpërmjet ‘yllit të shndritshëm të politikës së re’ Erion Braçe nxori në treg shpifjen dhe trillimin e ditës për grabitje tokash në rrethe të ndryshme të vendit, pa përmendur autor, pa përmendur emra, por vetëm pushtetarë të PD-së, paçka se në këto qytete në pushtet është Partia Socialiste”, - nënvizoi zëdhënësi i PD-së. Duke ndalur në këtë çështje, Bogdani vuri në dukje se “Rama votoi kundër ligjit të verifikimit të titujve të pronësisë, sepse i trembet zbatimit të tij, që do të zbulojë vjedhjet dhe abuzimet me qindra e qindra hektarë tokë në zonat turistike dhe zona të tjera të vendit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›