Drejtësia nuk vjen në mars
Ilir Yzeiri
Pas katër vjetësh, pikërisht në mars, madje dy-tri ditë para se të rikujtohej ngjarja makabre e Gërdecit, gjykata e Tiranës dha më në fund vendimin duke shpallur fajtorë disa nga të akuzuarit që u shpallën fajtorë për një pjesë të tragjedisë, përkatësisht vetëm për dëmet materiale. Gjykata nuk shpalli sepse nuk gjeti sipas saj asnjë fajtor për ata që shkaktuan 26 të vrarë në atë masakër. Ky vendim la të pakënaqur familjarët e viktimave, një pjesë të opinionit publik, opozitën shqiptare dhe u shenjua si një vendim i padrejtë përmes imazhit të nënës së vogëlushit Durda që humbi jetën bashkë me 25 persona të tjerë. Ajo që bëri përshtypje të posaçme ishte mospërmendja e fjalës vrasje në arsyetimin e vendimit të gjykatës së Tiranës, arsyetim që siç vunë re disa media ishte shkruar me dorë. Natyrisht ne kërkojmë të ndërtojmë një shoqëri ku vendimet e gjykatës nuk mund të diskutohen dhe ku askush nuk duhet të ketë të drejtë që të hamendësojë duke paragjykuar gjykatën. Ky princip i shenjtë që vendimi i gjykatës nuk mund të diskutohet është në themel të shtetit të së drejtës. Mirëpo, këtu te ne, gjykata, në perceptimin e përgjithshëm, nuk është një instrument i shtetit të së drejtës, por një armë në duart e kryeministrit shqiptar. Të gjitha raportet e agjencive kombëtare e ndërkombëtare e nxjerrin drejtësinë shqiptare si më të korruptuarën dhe më të prekurën nga sëmundja e degradimit profesional dhe e shtypur nga ndikimi i qeverisë. Mirëpo le të kthehemi të gjyqi në fjalë, të vendimi që u dha në mars për fajtorët e tragjedisë së Gërdecit. Prokuroria nuk mundi që ta çonte të plotë dosjen e këtij krimi makabër në gjykatë. Media zbuloi dokumente tronditëse dhe botoi shkresa autentike që vërtetonin se në krye të këtij biznesi të paligjshëm qëndronte djali i kryeministrit shqiptar dhe se ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mdiu kishte përzgjedhur në mënyrë jo të ligjshme kompaninë amerikane dhe atë shqiptare të Mihal Delijorgjit jashtë të gjitha parametrave.
Kjo është një nga dosjet më të errëta që ka për protagonist djalin e kryeministrit dhe në sfond të saj është dhe një vdekje. Trebicka, ai që denoncoi i pari këtë aferë vdiq në një aksident të dyshimtë dhe si në një film aksion, vdiq në një aksident ndërkohë që kishte dalë për gjah. Ndërkaq kabllogramet e ish-ambasadorit Withers zbulojnë jo vetëm këtë anë të errët të kësaj afere korruptive, pra përfshirjen e djalit të kryeministrit shqiptar, por ato na nxjerrin në dritë edhe fatin dramatik të ish-shefit të shtabit të përgjithshëm, Luan Hoxha, i cili, pas zbulimit të kabllogramit në të cilin ai ankohej te ambasadori Withers se kishte pasur kërcënim nga djali i kryeministrit të Shqipërisë, shfaqet me anë të një deklarate për media në të cilën përgënjeshtron kabllogramin dhe befas arratiset në SHBA. Ndërkaq të gjithë duhet të kujtojmë se prokurori që nisi të hetojë i pari këtë aferë, pas një presioni të ashpër nga kryeministri dha dorëheqjen. Zamir Shtylla u tërhoq nga ajo dosje dhe fati i saj pastaj shkoi dorë më dorë. Në këtë aferë edhe prokuroria shqiptare ka pjesën e saj të moskryerjes së detyrës. Më kujtohet një shkrim i juristit të njohur Fitim Hoxhati që fliste për afatetet e hetimit. Ai me një profesionalizëm të spikatur thoshte se prokuroria në mënyrë amatoreske dhe pa profesionalizëm kishte vënë në listën e dëshmitarëve njerëz pa fund që nuk i shtonin asgjë akuzës, gati mijëra vetë, pa asnjë lidhje dhe procesi shtyhej e shtyhej pafund. Në atë shkrim ai renditte edhe një sërë paaftësish të tjera të organit të akuzës. Ndërkaq, për faj të afateve të prokurorisë shpëtoi Fatmir Mediu e Lulëzim Basha nga procedimi në gjykatë. Prokuroria shqiptare në gjithë këto çështje herë ka marrë rolin e heroit e herë atë të viktimës. Një gjë është fakt se Lulëzim Bashën ajo nuk e dërgoi dot në gjykatë. Fatmir Mediun dhe Shkëlzen Berishën nuk i dërgoi në gjykatë gjithashtu. Dhe sot gjykata, në arsyetimin e saj përmend vetëm dëmet materiale që ka shkaktuar shpërthimi, por jo vdekjet. Paralelisht me këtë vendim, në Italinë fqinje u dha edhe një vendim tjetër, ai për senatorin Marçelo DellUtri, mik i Berluskonit dhe senator i partisë së tij. Këtë senator prokuroria e Paleromos ka 18 vjet që e sfilit në gjykatë duke e akuzuar si ambasador të mafies nga Palermo në Romë. Më në fund një gjykatë në Romë e shkarkoi nga këto akuza. Mirëpo prokurori i Palermos që e kishte akuzuar dhe e akuzon ende, jo vetëm që nuk fshihej, por dilte hapur në publik aq sa e teproi edhe duke marrë pjesë në Kuvendin e Partisë Komuniste italiane. Ndërsa këtu te ne asnjë zyrtar nuk shkon në gjykatë. Vendimet e gjykatave nuk diskutohen, por nuk diskutohen atëhere kur para saj, pra kur në bankën e të akuzuarit ulen të gjithë ata që dyshohen si fajtorë. Kujtoni proceset pafund kundër Berluskonit në Itali përsëri. Pra, le të ishte ulur në bankën e të akuzuarve edhe Fatmir Mediu me djalin e Berishës edhe Lulëzim Basha që i shpëtoi me procedurë vajtjes në gjykatë, pra le të kishin shkuar atje dhe ne të gjithë nuk do të kishim të drejtë në fillim që të paragjykonim vendimin e drejtësisë. Në këtë rast, Ilir Meta, pavarësisht nga vendimi që ka dhënë Gjykata e Lartë, ka të drejtë të thotë se unë shkova para drejtësisë dhe tani ju lutem mos më përflisni. Po, ne nuk duhet të përflasim Ilir Metën sepse ai të paktën vajti dhe u ul në bankën e të akuzuarve. Ne duhet të merremi me drejtësinë dhe ligjvënësit shqiptarë, të cilët duhet të gjejnë alternativat që drejtësia të lirohet nga burgjitë e ndryshkura të kapjes që i ka bërë qeveria e radhës. Ndaj, 26 të vdekurit e masakrës së Gërdecit kanë të drejtë që të dridhen atje në varrin e ftohtë, familjarët e tyre kanë të drejtë gjithashtu që të kërkojnë drejtësi për shkaktarët e vdekjes në fillim, pastaj të dëmeve materiale. Mirëpo të gjitha këto është e vështirë të parashikohen në mars, në muajin më të mbrapshtë të simbologjisë popullore shqiptare.