E Diel, 1 Nëntor 2026

Tritol në shtëpinë e të akuzuarit për trafik droge, Lorenc Teranaj

Dashamir Biçaku

TIRANË- Vihet tritol në derën e shtëpisë ndërtuesit të arrestuar me 1 kile heroinë në kryeqytet në mesin e muajit gusht të vitit të kaluar. Ngjarja ndodhi dy netë të shkuara në kryeqytet në rrugën Siri Kodra, jo shumë larg Selvisë në një bllok pallatesh të reja në apartamentin e Lorenc Teranajt. Në derën e apartamentit të Teranajt, në të djathtë të derës në krahun verior të pallatit, ishte aktivizuar një sasi tritoli prej afërsisht 300 gramë nëpërmjet një fitili zjarrpërcjellës dhe detonator. Krimi ndodhi në të gdhirë të të enjtes rreth orës 02:20 të mëngjesit, kur banorët e një pallati të ri që është ende në përfundim të punimeve u zgjuan nga tronditja dhe zhurma e shpërthimit. Kjo gjë shkaktoi frikë dhe panik tek ata, ndërsa në banesën ku ndodhi shpërthimi nuk ndodhej njeri pasi Teranaj sipas burimeve të policisë banonte në një adresë tjetër.

Pak kohë ngjarjes, zona ku ndodhej pallati u rrethua nga efektive të shumtë të cilët pasi gjetën adresën e saktë të vendit të krimit nisën hetimet.

Nga hetimet e para të kryera nga policia është konstatuar se lënda plasëse ishte vënë në derën e një apartamenti të orientuar nga veriu. Nga këqyrja e vendit ku ishte aktivizuar lënda plasëse, ekspertët konstatuan se nga shpërthimi, ishin dëmtuar dera kryesore, dyert e brendshme disa orendi ishin thyer xhama e objekte të tjerë. Në vendin e ngjarjes, ekspertët kriminalistë e xhenierë të policisë konstatuan se në të djathtë të derës kryesore në dysheme, ishte hapur një gropë prej afërsisht 20 centimetra e thellë dhe rreth 25 centimetra e gjerë. Veç dëmtimeve të shkaktuara në banesën e Teranajt, hetuesit konstatuan dëmtime edhe në banesat e tjera të fqinjëve dhe disa banesave të tjera iu ishin thyer xhamat apo kishin pësuar dëmtime në dyer apo në orendi shtëpiake. Lidhur me ngjarjen, dyshimet e para të hetuesve u lidhën pikërisht me problemet e mundshme të Teranajt të shkaktuara nga dy drejtime të mundshme. Së pari dyshimet e policisë u orientuan në ndonjë konflikt të mundshëm që lidhet me përfshirjen e tij në një linjë të shitjes dhe trafikimit të drogës brenda vendit.

Një fakt i tillë sipas hetuesve mund të ketë shkaktuar xhelozi dhe konkurrencë ndaj personave të tjerë të cilët mund të kumbisnin treg nga kjo situatë. Hetuesit po ashtu po vlerësojnë mundësinë e ndonjë përplasjeje të mundshme të Teranajt, me persona të tjerë pas arrestimit të tij nga policia në muajin gusht të vitit të kaluar. Në këtë kohë, ai u kap me 1 kilogramë heroinë ndërsa udhëtonte me një person tjetër. Veç këtij versioni, burime të policisë thanë kanë ngritur dyshime edhe mbi mundësinë e një konflikti të tij me persona të tjerë në lidhje me aktivitetin tjetër të tij në fushën e ndërtimeve, ku edhe është i angazhuar. Nga dëshmitë e mara nga policia në vendin e ngjarjes dhe nga hetimet e kryera nuk është konstatuar ndonjë element i dyshimtë apo të ishte vënë re lëvizja e ndonjë personi problematik. Vetë personi mësohet ti ketë pohuar hetuesve të policisë se nuk kishte probleme apo konflikte me persona të tjerë.

Teranaj u arrestua në gusht me 1.2 kile heroinë

Ndërtuesi Lorenc Teranai, u arrestua bashkë me Besnik Mitrovicën në autostradën Tiranë- Durrës, pranë një qendrë tregtare, gjatë operacionit të koduar Brraka, pasi ndërtuesi Teranai, njihej edhe me emrin Lenci i Brrakës. Të dy ata po udhëtonin drejtim të Durrësit, me një mjet tip Golf me targa të huaja, kur blutë i ndaluan dhe i arrestuan. Burime të policisë thanë se pas kontrollit të automjetit, u gjet e fshehur poshtë sediljes së pasagjerit, një qese me 1.2 kilogramë pluhur e dyshuar si heroinë. Po ashtu policia iu bllokoi dy të arrestuarve edhe 19 mijë euro, para që dyshohet se janë përfituar nga trafiku i drogës. Pas arrestimit të tyre, policia tha se kishte shpallur në kërkim edhe dy persona të tjetër të dyshuar si bashkëpunëtorë të dy të arrestuarve. Hetimi ndaj të tyre, kishte nisur afërsish tri muaj para realizimit operacionit kur u kap biznesmeni i ndërtimit. Nga hetimi, policia zbuloi se heroina kishte qëllim shpërndarjen e saj në disa zona të kryeqytetit, nëpërmjet shpërndarësve të tjerë më të vegjël. Dy ditë pas arrestimit të ndërtuesit Lorenc Teranai, dhe mikut të tij Besnik Mitrovica, Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqyte, la në burg, ndërtuesin Teranai dhe la të lirë Mitrovicën.

 

 

Si e la të lirë gjykata  

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës në fillim të tetorit, masa e sigurisë arrest me burg me 30 ditë për të akuzuarin Lorenc Taranaj, nga Gjykata e Tiranës, ishte dhënë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale. Kjo  pasi të akuzuarit, nuk i është komunikuar kjo masë në praninë e tij. Masa ishte zhvilluar në praninë e avokatit të të arrestuarit Teranai, pasi vetë ky i fundit nuk pranoi të paraqitej dhe kërkoi që në proces të përfaqësohej nga avokati. Në vendimin e saj Gjykata e Shkallës së parë vendosi që Teranaj, të qëndronte në burg për 30 ditë deri në përfundim të aktit të ekspertimit të lëndës së bllokuar nga policia në mjetin me të cilin udhëtonte i arrestuari ditën e ndalimit të tij. Pikërisht ky fakt është cilësuar si shkelje e Kodit të Procedurës Penale, dhe u vendos edhe lirimi i të akuzuarit për shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Në vendimin e saj Gjykata e Apelit, nuk ishte marrë me faktin nëse lënda narkotike ishte apo jo heroinë, apo kishte ndonjë problem tjetër në lidhje me hetimin. Gjithçka sipas vendimit lidhej me masën e arrestit të sigurisë së Teranajt në shkallën e parë.

Antidroga dha alarmin pas lirimit të Teranajt

Pak ditë pas lirimit të Lorenc Teranajt në Gjykatën e Apelit, specialistët e Hetimit të Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, mbetën jo pak të zhgënjuer pas lirimit nga Gjykata e Apelit e ndërtuesit Lorenc Taranaj. Lirimi u vendos në muajin tetor, afërsisht dy muaj pas arrestimit të kryer nga Antidroga. Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi lirimin e Taranajt, për arsye procedurale duke i hequr atij masën e sigurisë të vendosur nga Gjykata e Shkallës së parë në kryeqytet. Shkak për lirimin e tij u bë, mungesa e tij në sallën e gjyqit gjatë vlerësimit të masës së sigurisë së dhënë në shkallën e parë me 26 gusht të këtij viti, dy ditë pas arrestimit të tij. Kjo shkelje procedurale u vërejt me kujdes nga gjykata e Apelit, që vendosi ti japë lirinë njeriut të arrestuarit me jo pak por 1.2 kile heroinë. Menjëherë pas lirimit të tij, njësia e Antikrimit të Organizuar përgatiti një relacion të hollësishëm në lidhje me rastin për eprorët e tyre, si Drejtori i Policisë së Tiranës, Drejtorit të Hetimit të Krimit të Organizuar, Kryepolicit Hysni Burgaj e deri edhe Ministrit të Brendshëm Bujar Nishani. në këtë relacion u dha në mënyrë të detajuar e gjithë përmbajtja e punës së kryer për hetimin konkret nga specialistët dhe agjentët e Antidrogës së policisë së kryeqytetit, për të ndjekur, mbajtur nën vëzhgim e më pas arrestuar biznesmenin e ndërtimit. Sipas hetuesve të policisë, menjëherë pas arrestimit të Lorenc Taranajt, i njohur me emrin Lenci i Brrakës, specialistët e Antidrogës pritën me ankth përfundimin e vendimit të ekspertimit të mallit, për të mos dalë bllof si në disa raste kur ekspertët kanë konkluduar se pluhuri i bardhë i kapur nga policia, nuk ka qenë herionë por paracetamol, apo lëndë tjetër.

1.2

kilogramë heroinë, u bllokuan nga policia gjatë operacionit të koduar Brraka, me 24 gusht të vitit të kaluar, kur ai u arrestua bashkë me një person tjetër ndërsa udhëtonin në autostradë

19

mijë euro u bllokuan nga policia në moment

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›