Në 1 prill fillon kërbaçi
Administrata tatimore po përgatitet të mbledhë me forcë detyrimet e bizneseve që nuk kanë paguar duke filluar nga data 1 prill. Paralajmërimi i ministrit të Financave, Ridvan Bode se pas aplikimit të faljes do të ketë rritje të masave nga ana e administratës tatimore për të mbledhur me forcë detyrimet e papaguara nga ana e bizneseve duket me aktual se kurrë. Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj doli dje për të publikuar ecurinë e aplikimit të ligjit për faljen fiskale duke dhënë një paralajmërim të fortë për të gjithë bizneset: nga data 1 prill, administrata tatimore do të nisë një fushatë intensive për të mbledhur me forcë detyrimet e papaguara të bizneseve. Sipas tij, biznesi pati kohë deri më tani që të përftojnë nga lehtësirat që ofroi qeveria gjatë gjithë kësaj periudhe dhe se është momenti për të shtrënguar masat. Një logjikë të tillë e kishte paralajmëruar Bode në seancë plenare që kur u miratua ligji në fjalë duke thënë se pas kulaçit do të vinte kërbaçi. Referuar fjalës së djeshme të Rushajt, duket se periudha e kërbaçit ka ardhur. Qeveria iu kërkoi bizneseve që të përfitonin nga ajo periudhë lehtësie që ofruam me ligjin e faljes. Siç jeni në dijeni, ne kemi miratuar ndryshime në ligjin Për Procedurat Tatimore dhe pikërisht tek pikat që kanë të bëjnë me pjesën e mbledhjes së detyrimeve me forcë. Administrata tatimore është e përgatitur për këtë gjë, – tha Rushaj.
Bilanci
Nga shifrat e publikuara dje, mësohet se kanë qenë individët ata që përfituan më shumë nga falja dhe kryesisht në pjesën e rivlerësimit të pronës. Deklarohet se kanë qenë më shumë se 33 mijë persona ata që kanë rivlerësuar pronat me një kapital prej rreth 158 miliardë lekë. Nga ana tjetër, asetet e rivlerësuara nga biznesi nuk kalojnë 1 miliardë lekët (995 mln lekë), kurse makineritë dhe pajisjet e rivlerësuara kapën shifrën e 688 milionë lekëve. Janë pikërisht këto shifra që pasqyrojnë atë çfarë ka ndodhur deri më tani me ligjin e faljes fiskale. Për sa i përket legalizimit të parave, ministria raporton për rreth 481 milionë lekë nga individët dhe 361 milionë lekë nga bizneset.
Çfarë është mbledhja me forcë?
Mbledhja me forcë e detyrimit tatimor bëhet në disa mënyra, por ajo më e reja e futur rishtazi në ligj është sekuestrimi i pasurisë së biznesit dhe shitja e saj. Pas shitjes në ankand publik, autoritetet mbajnë pjesën e detyrimit që duhej të paguante biznesi, tjetrën e kthejnë. Krahas kësaj, ligji Për procedurat tatimore ka një aneks të veçantë në të cilin përcakton modulet e mbledhjes me forcë të detyrimit tatimore, siç është bllokimi i llogarive të biznesit. Në rastet kur nuk bëhet shlyerja sipas afateve të përcaktuara në ligj, Drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore i dërgon një kërkesë bankave të nivelit të dytë që të bllokojnë llogaritë e biznesit në masë të përpjesëtuar me detyrimin që ka biznesi. Llogaria zhbllokohet pasi vilet detyrimi. Në rastet kur tatimet kanë të dhëna që biznesi do të transferojë jashtë kapitalet e tij, ato kanë të drejtë të kërkojnë bllokimin e lëvizjes së tyre apo të administratorit nga vendi ynë.
Arsyet e indiferencës së biznesit
1-Procedurat shumë komplekse
2-Mospasja e sigurisë që nuk do të ishin pjesë e kontrolleve të shpeshta nga tatimet pas deklarimit të të ardhurave
3-Administrata tatimore nuk u rakordua me bizneset për ti vënë ata në dijeni për shumën e borxhit që ka secila dhe si mund të përfitojë nga falja
4-Bizneset, të cilat kanë paguar një pjesë të detyrimeve sipas përcaktimeve të bëra në ligj, nuk kanë marrë përgjigje nëse janë falur apo jo
5-Administrata tatimore nuk ka qenë bashkëpunuese në nivelin e duhur me bizneset
