E Diel, 1 Nëntor 2026

“Drejtësia” vdiq, rroftë Drejtësia

09-07-2011 / Redaksionale

Enver Hoxha thoshte në jermin totalitarisht se “Proletariati është varrmihësi i kapitalizmit (i borgjezisë)”. Mirëpo 25 vjet nga varrosja e Hoxhës, nipi i bllokut e varrmihësi profesionist i demokracisë, Edi Rama thotë se “drejtësia ka vdekur e kapitulluar”, ngase Kolegji Zgjedhor rrëzoi padinë e fundit të Partisë Socialiste për të shpallur të pavlefshëm procesin zgjedhor të 8 majit në Tiranë. Natyrisht është i pranueshëm fakti që Rama flet për vdekje, për kapitullim sepse diçka brenda tij ka vdekur një ide, ka kapitulluar një vizion, ka dhënë shpirtin artisti shumëngjyrësh në momentin që ka kuptuar që nuk është më i pari, i vetmi, burri i familjes, njeriu që vendoste në bashkinë në Tiranë, etj.
Është e vështirë të kuptohet ndryshe për një piktor-politikan që ka investuar emocione, ndjesi, dashuri, shurdhëri, pandjeshmëri përgjatë një dekade në studion e punës së bashkisë. Diçka brenda Ramës ka vdekur qëkurse mori vesh rezultatet e kapitullimit në 7 minibashki dhe humbjen e Këshillit Bashkiak, të këshillit të Minibashkive, dhe në fund pak e rëndësishme ishte realiteti ligjor i humbjes. Sigurisht ndarja e Ramës me kryeqytetin kish ndodhur qëkurse ishte lidhur me karrigen e PS-së dhe opozitës. Divorci me qytetarët ishte konsumuar pas 2009, ku ndarja me LSI-në filloi të thellohej dita-ditës. 
Kuptohet vetiu që uni i Ramës nuk pranon assesi humbjen, e kurrsesi me një diferencë prej 91 votash, prandaj justifikimet dhe alibitë janë të shumta, e mandej sulmi ndaj Kolegjit Zgjedhor është grahma e fundit e urrejtjes. Që sistemi i drejtësisë ka probleme, në përgjithësi është e ditur, paçka se çështjet e zgjedhore janë parë  e ndjekur me lupë mikroskopike nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare. Janë dashur 60 ditë që procesi aq shumë i varrakatur pas votimit me 8 maj, të merrte fund me 8 prill me një vendim të shkurtër të Kolegjit, i cili tha “në bazë të nenit 153, pika 3 e Kodit Zgjedhor, rrëzon si të pabazuar në ligj kërkesën e depozituar nga ana e Partisë Socialiste”.
Me një llaf të gjitha kërkesat për pavlefshmëri ishte një bllof që shërbente për të humbur gjurmët, dhe për të shtuar neverinë e qytetarëve ndaj politikës bajate. Sepse paditë socialiste për pavlefshmëri si nga ana procedurale, ashtu edhe nga ajo ligjore, e kishin humbur shansin duke qenë se janë jashtë çdo afati kohor. Mirëpo duke hequr dorë nga paditë në minutat e fundit dhe duke riformuluar padi të reja dhe tjera, aspak ligjore, por që procedura i ligjëron PS-ja dhe kreu i saj ishte një sjellje prej pengmarrësi.
Strategjia e përdorur nga avokatët socialistë ishte për të fituar kohë. Po për çfarë? Sigurisht fitimi i kohës ishte një domosdoshmëri për ish-kryebashkiakun, që tashmë është në hall të madh sepse i kanoset një gjykimi penal, dhe për t’i shpëtuar kësaj ishte i detyruar të punonte shumë për të fshehur aferat dhe abuzimet dhjetëvjeçare në krye të Bashkisë Tiranë. Në këtë institucion po punohet edhe sot e kësaj dite, me dy turne, për të “kopsitur” të gjitha letrat, bile dritat e zyrave nuk fiken as natën. Numrat e protokollit dhe faqet e lëna bosh në regjistër po mbushen me shkresa dhe dosje që mbulojnë abuzime, afera nga më të çuditshmet. Pastrimi nga implikimet e mundshme ligjore është parulla me re, që dëgjohet korridoreve të Bashkisë dhe policisë bashkiake.
Sidoqoftë ky vendim i Kolegjit Zgjedhor i hap dritën jeshile për fillimin e punës nga ana kryebashkiakut të ri të Tiranës, z. Lulzim Basha, të cilin e pret një sfidë me shumë të panjohura. Dhe e panjohura e parë do të jetë sigurisht njohja me bilancin financiar aspak të qetë të Bashkisë Tiranë, me borxhet dhe detyrimet e pashlyera, që ka akumuluar Rama përgjatë 11 viteve keqqeverisje. Transparenca dhe hyrja e dritës në bunkerin e ish-kryebashkiakut do të ishte një fillim për së mbari. Dhe fillimi është gjysma e punës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›