E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zoti Rama, për hajdut je i pari, për i drejtë je si drapri

09-07-2011 / Ilir Nikolla

Me ardhjen e Edi Ramës në bashkinë e Tiranës u themelua institucioni i vjedhjes së organizuar të zgjedhjeve dhe raportet e ODIHR-it e vërtetuan 3 herë rresht grabitjen e mandatit. Përveç hajdutërisë elektorale, Edi Rama konfirmohet “i drejtë si drapri”, pasi konsiderohet si themelues i korrupsionit zyrtar, me qehajajtë që shpërndante tek bizneset e vogla, me rrjetin e klientëve që u fali industrinë e ndërtimit si dhe me akordimin e imunitetit politik në 2009, nga tmerri se drejtësia do t’i çonte - siç e meritojnë - tek qelitë e paraburgimit


Dinjiteti në pranimin e humbjes ishte shpresa e fundit që shqiptarëve t;u ofrohej një lider opozite i denjë për t’u marrë në konsideratë edhe në një raund tjetër zgjedhor. Por Edi Rama e shkërmoqi këtë shpresë, duke konfirmuar vëzhguesit që lajmëronin se Edi Rama s’ishte politikan e se në tejzgjatjen e procesit zgjedhor s’kishte halle elektorale, por mirëfilli përpjekje për t’i shpëtuar një hetimi penal. Me të madhe, Edi Rama sokëlliu dje për hajdutëri, duke akuzuar që nga votuesi i fundit në Qytetin e Nxënësve e deri tek 8 gjyqtarët që sipas shortit drejtonin trupat zgjedhore që thirreshin në detyrë pas pehlivanllëqeve të PS-së. Por për hajdutëri Edi Rama s’mund të flasë, pasi ai është i thirrur kudo, qoftë tek vjedhjet elektorale, qoftë tek futja e dorës tek paratë e qytetarëve. S’mund të harrohen masakrat elektorale të viteve 2000 e 2003, kur Edvini thirri që nga SHBA-ja arkitektët e vjedhjeve elektorale, mohimi i të drejtës së votimit në të dyja këto raunde zgjedhore themeluan mendësinë e së majtës në Shqipëri për të gjetur marifetin e fitoreve në tavolinë e jo në kutitë e votimit. Raportet e ODIHR-it për të dyja zgjedhjet evidentojnë Edi Ramën si hajdutin e parë e më të madhin të zgjedhjeve. Por historiku i njeriut që bërtiti dje “Drejtësia vdiq” është edhe më i pasur, kur vjen puna për të analizuar menaxhimin që ai u ka bërë parave të taksapaguesve. Që më 1998, ai u shpall si themeluesi i korrupsionit shtetëror teksa devijoi miliona euro fonde për qëllime të karrierës personale, siç ishin ato të fasadave e më vonë, kjo skemë u shndërrua dhe u lexua edhe nga ndërkombëtarët si një themelim i korrupsionit zyrtar në Shqipëri, kur me marrjen e drejtimit të bashkisë së Tiranës, menaxhimi i miliona eurove u kthye në një plan shpërndarjeje për një listë klientësh, të cilët më vonë do të shndërroheshin në bërthamën që mori “në dorëzim” edhe Partinë Socialiste. Një agjenci e specializuar raportoi për rreth 600 milionë euro fitime që kryebashkiaku dhe rrethi i tij siguroi veç nga përqendrimi i lejeve të ndërtimit, ndërkohë që fitimet për të ishin edhe më të mëdha e dëmet për kryeqytetin të pallogaritshme, kur arrit të merreshin vendime që bllokonin industrinë e ndërtimit në kryeqytet apo ndalonin zgjerimin e tij në hapësira urbane të reja. Ky korrupsion zyrtar e shndërroi Edi Ramën në shpërdoruesin më të madh të fondeve publike në Tiranë, ndërkohë që kryeqytetin e renditi në vendet e fundit për sa i përket mundësisë së të kryerit biznes, e rrjedhimisht edhe të hapjes së vendeve të reja të punës. Por përveç primatit të hajdutërisë, ish-kryebashkiaku i Tiranës mban edhe primatin e pabarazisë. Kurrë më shumë sesa këto 11 vjet, Tirana s’ka qenë një qytet kaq i pabarabartë, ku taksidarët e bashkisë bëjnë çmos për mbylljen e bizneseve të vogla që s’janë të rregullta në pagimin e rentës, ku prishen pasivisht banesat e romëve apo të të tjerëve që pengojnë ndërtimet e klientelës e ku një grup i vogël njerëzish, që vinin gjerësisht nga malavita ishin shqetësimi kryesor i kryebashkiakut, në fillim për akordimin e bizneseve e të lejeve të ndërtimit, e më pas edhe akordimi i imunitetit politik, në mënyrë që të shpëtohen nga një hetim i drejtësisë. Edi Rama mban jo vetëm primatin e hajdutërisë publike, por edhe atë të të drejtit si drapri, si një simbol i pabarazisë. Në këtë kuptim, me të vërtetë, tek ne drejtësia funksionon në mënyrë të çalë. Do të kishim drejtësi të plotë e të mëkëmbur, veç atëherë kur ish-bashkiaku i Tiranës do të ishte bujtës në një qeli të 313-s e do të jepte llogari para një trupe gjyqësore për të dyja këto “kredenciale” të tijat.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›