E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtimi i partisë së Topit deri në vjeshtë, me komision nismëtar si PD e 1991

ALEKSANDER BIBERAJ (MAJTAS) BAMIR TOPI

Flet ish-deputeti i PD: Kemi kontakte me Selamin.

Biberaj: Topin e shoh si drejtues të së djashtës, herët për koalicione me PD e PS.

Partia e re e qendrës së djathtë që do të krijohet nga ish-deputetët e PD-së, do të shpallë së shpejti programin e saj politik. Njëri prej njerëzve më aktivë të kësaj iniciative, Aleksandër Biberaj, tregon për gazetën Panorama disa nga detajet e kësaj lëvizjeje.
Ai shprehet se pjesë e partisë së re do të jetë edhe ish-kryetari i PD-së, Eduard Selami, teksa shton se në të nuk do të ketë vend vetëm për ish-punonjësit e Sigurimit të Shtetit dhe figurat e pakomprometuara. Sipas Biberajt, Bamir Topi do të jetë lideri i ardhshëm i së djathtës. I pyetur për një koalicion të mundshëm me PD-në në vitin 2013, ish-deputeti demokrat nuk e përjashton si mundësi, kur thotë se është shumë shpejt për të folur për koalicione. Sipas Biberajt, kjo parti deri në muajin korrik kur Topi të lërë Presidencën dhe të angazhohet në politikë, do të drejtohet me një komision nismëtar, njësoj si PD-ja 21 vjet më parë.
Zoti Biberaj, ju keni deklaruar se do të shpallni së shpejti programin e partisë së re që do të krijoni. Ku konsiston ky program dhe kur do ta zyrtarizoni atë?
Siç e kam thënë edhe një ditë më parë, po punohet për programin dhe besoj në një kohë relativisht të shpejtë do të bëhet publik. Pra, në momentin që do të bëhet publike shpallja e partisë së re, do të bëhet publik edhe programi. Do të jetë program i qendrës së djathtë, program që ka parasysh situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri. Janë disa grupe që po punojnë për programin, në mënyrë që të jetë një program që tu përgjigjet sfidave që ka Shqipëria për vitet e ardhshme.
Cilat janë disa nga figurat kryesore që do të jenë pjesë e lidershipit të kësaj partie të re? Janë përmendur së fundmi emrat e Mustafajt, Oketës, Strigës. Ka figura të tjera të njohura?
Gjithçka do të bëhet publike në kohën e duhur, por më duhet të them se krahas figurave me autoritet publik, me eksperiencë dhe përvojë politike, të pakomprometuar nga e kaluara politike, persona të paakuzuar për afera të ndryshme, pa lidhje me sistemin komunist dhe Sigurimin e Shtetit, do të ketë edhe shumë figura të reja që vijnë nga radhët e të rinjve, nga ambientet universitare, profesorë të nderuar, përfaqësues të rinisë, përfaqësues të të gjitha shtresave shoqërore që ka vendi.
Po ish-kryetari i Partisë Demokratike, Eduard Selami, do të jetë pjesë e partisë së re? Keni pasur kontakte me të?
Kam pasur dhe kam kontakte të rregullta me zotin Selami. Ai ka shprehur dëshirën dhe gatishmërinë për të kontribuar në reformimin e politikës shqiptare dhe ftesa është e hapur dhe besoj se do të jetë pjesë e reformimit të së djathtës.
Përveç Oketës, do të ketë deputetë të tjerë apo ministra nga PD-ja që do ti bashkohen partisë suaj?
Gjithçka do të bëhet publike në kohën e duhur.
Ju thatë që do të jetë një parti e qendrës së djathtë. Cili do të jetë elektorati që ju do ti kërkoni votën? Në vitin 2009 pati një përpjekje të LZHK-së dhe PDK-së, të cilat krijuan Polin e Lirisë, por nuk arritën më shumë se 3 për qind dhe nuk morën asnjë deputet.
Ky krahasim që ju citoni, nuk vlen, pavarësisht se me çfarë synimi e bëni. Ne do të synojmë elektoratin e djathtë dhe natyrisht pjesën e lëkundur dhe të pakënaqur me politikën shqiptare. Jam i bindur që do të kemi një mbështetje dhe përkrahje mbarëpopullore. Çdo shqiptar i ndershëm dhe patriot e ka vendin e hapur në partinë tonë. Natyrisht aty nuk do të ketë vend për ish-komunistët dhe ish-punonjësit e Sigurimit të Shtetit, persona që gjatë këtyre 21 viteve kanë pasur poste, por nuk u kanë shërbyer qytetarëve, por interesave të tyre.
Keni filluar të krijoni kontakte me partitë e vogla të krahut të djathtë, pasi shumica e tyre janë në koalicion me Partinë Demokratike?
Kemi kontakte të vazhdueshme, por është shpejt për të folur për aleanca dhe koalicione.
Sistemi i ri zgjedhor, i cili u zbatua në zgjedhjet e 2009, tregoi se partitë e vogla, aq më pak ato joparlamentare, e kanë të vështirë të fitojnë mandate parlamentare. Si do ta arrini ju këtë, kur do të ketë edhe pabarazi sa i përket ruajtjes së votave?
E kam thënë disa herë, ne do të synojmë të jemi forcë e parë politike në vend. Ky do të jetë synimi ynë kryesor.
Presidenti Topi ka deklaruar se do të ushtrojë mandatin e tij deri në muajin korrik. Deklaratat tuaja se ai do të jetë kryetari i kësaj partie që po lind, a e cenon pozitën e tij si një President mbi palët?
Nuk cenohet aspak roli kushtetues i Presidentit të Republikës. Unë kam shprehur mendimin tim që do të krijojmë parti dhe do të dalim sa më shpejt në atmosferën politike. Natyrisht Presidenti e ka vendimmarrjen personale. Në radhë të parë gjykoj se ka detyrimet kushtetuese, pastaj edhe të ardhmen e tij politike. Unë jam shprehur se e kam parë prej kohësh zotin Topi si drejtues të së ardhmes, të një të djathte të reformuar, të një të djathte të qendrës, që bazohet në vlerat dhe parimet që ka e djathta europiane dhe e djathta në SHBA.
Zoti Biberaj, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013 ju e përjashtoni një koalicion me Partinë Demokratike?
Është shumë shpejt për të folur për koalicione.
Pra, nuk e përjashtoni?
Thashë që është shumë shpejt për të folur për koalicione.
E njëjta gjë vlen edhe për Partinë Socialiste?
Patjetër.
Ju keni deklaruar se përveç Gazmend Oketës, që është aktualisht anëtar i Grupit Parlamentar të PD-së, ka edhe deputetë të tjerë të kësaj partie që do të bashkohen me ju. Në kushtet kur maxhorancën nga opozita e ndan një numër i vogël votash në Kuvend, grupimi juaj do të synojë të realizojë një pakicë bllokuese kur të zgjidhet Presidenti?
Ne do të synojmë të zgjidhim problemet më të mëdha që ka sot kombi shqiptar.
Zgjedhja e Presidentit nuk është një nga këto probleme?
Patjetër që zgjedhja e Presidentit është një nga këto probleme. Ne në kohën e duhur do të kemi qëndrimet dhe vlerësimet tona.
Gjatë kësaj periudhe është përfolur se partia e re mund të krijohet në muajin shkurt. Nga kjo periudhë deri kur të përfundojë mandati i Topit dhe ai të marrë drejtimin e partisë, kush do ta drejtojë atë, çfarë modeli do të ndiqet?
Nuk kemi dhënë afat se kur do të shpallet partia e re, por ka modalitete të shumta për ta drejtuar partinë në mënyrë kolegjiale, siç është drejtuar edhe Partia Demokratike në fillimet e saj nga një komision nismëtar, kryetar i së cilës ishte Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari. Më pas, në PD zgjedhjet u bënë në vjeshtë, kur u ngritën të gjitha degët. Pra, ka modalitete për drejtimin e partisë, derisa të bëhet Kuvendi kombëtar dhe organizimi i të gjitha degëve. Parimi kryesor i votimit do të jetë parimi Një anëtar, një votë.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›