Drejtorët e shkollave, Tafaj: Emërimet me konkurs
Emërimet për drejtuesit e institucioneve të arsimit parauniversitar do të bëhen me konkurse. Gjatë muajit nëntor të këtij viti të gjithë drejtorët e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve do t’i nënshtrohen konkursit, nga rezultatet e të cilit do të varet edhe qëndrimi i tyre në atë detyrë. Konkurset për drejtuesit e institucioneve arsimore do të bëhen për të shmangur abuzimet që bëhen në Tiranë dhe rrethe në caktimin në krye të shkollave të njerëzve jo të kualifikuar. I pranishëm në seancën dëgjimore në komisionin e Edukimit, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, iu përgjigj pyetjeve të përfaqësuesve të opozitës për fillimin e vitit të ri shkollor 2011-2012, në të cilin punojnë rreth 39 mijë mësues. Gjatë këtij raportimi, deputetët e opozitës pohuan se ka korrupsion në sistemin arsimor dhe emërime politike në shkolla e drejtoritë arsimore të rretheve. Deputetët socialistë Marko Bello dhe Alfred Dalipi thanë se në disa rrethe këtë vit të ri shkollor janë emëruar në krye të drejtorive arsimore dhe shkollave persona të cilët nuk kanë punuar asnjëherë në arsim. Ministri Tafaj nuk ka mohuar rastin e deklaruar nga deputeti Bello, madje, sipas tij, nuk mund të thuhet se nuk ka korrupsion në arsim, dhe për këtë arsye ai ka ftuar opozitën të bashkëpunojë në luftën ndaj këtij fenomeni. Sipas tij, për të luftuar korrupsionin, Ministria e Arsimit do të vendosë konkurset për emërimet e drejtorëve e mësuesve në shkolla. “Monitorimi i emërimeve në zyrat rajonale është intensiv. Në çdo rast që kemi pasur sinjalizime nga mësues apo deputetë, kemi dërguar inspektoriatin për verifikime. Kemi një përmirësim të ndjeshëm në këtë drejtim, këtë e tregojnë dhe studimet, por lufta kundër korrupsionit në lidhje me emërimet e mësuesve është konstante”, - u përgjigj Tafaj. Por deputeti socialist Alfred Dalipi është shprehur se në disa rrethe të vendit në krye të arsimit po vihen njerëz që nuk kanë arsimin e duhur, por që plotësojnë kërkesat selektive të qeveritarëve. “Emërimet e bëra në shkollat e mesme sot nuk i ngjasojnë as atyre të viteve ’45, kur nuk kishte personel të kualifikuar. Konkretisht, mësues me eksperiencë dhe profil biokimi janë zëvendësuar me veterinerë”, - tha Dalipi. “Nuk mund të them që ne nuk kemi korrupsion në emërime, dhe vazhdojmë të monitorojmë të gjitha emërimet që bëhen në zyrat rajonale. Në muajin nëntor do të bëhen konkurset për emërimin e drejtorëve”, - u shpreh ministri i Arsimit. Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputetët e opozitës ishte edhe mbingarkesa e teksteve dhe vështirësia e nxënësve për t’i mësuar ato. Për këtë çështje, ministri Tafaj tha se kurrikulat po ndryshojnë dhe tekstet do të jenë më të thjeshta për nxënësit, në varësi të niveleve. Në lidhje me infrastrukturën shkollore, Tafaj deklaroi se brenda vitit 2011 do të përfundojnë rikonstruksionin 37 shkolla në mbarë vendin, ndërsa brenda 6-mujorit të vitit 2012 do të përfshihen në rikonstruksion 105 objekte shkollore.
Alfred Dalipi
“Emërimet e bëra në shkollat e mesme sot nuk u ngjasojnë as atyre të viteve ’45, kur nuk kishte personel të kualifikuar. Konkretisht, mësues me eksperiencë dhe profil biokimi janë zëvendësuar me veterinerë”
Myqerem Tafaj
“Nuk mund të them që ne nuk kemi korrupsion në emërime, dhe vazhdojmë të monitorojmë të gjitha emërimet që bëhen në zyrat rajonale. Në muajin nëntor do të bëhen konkurset për emërimin e drejtorëve”