Ekzaminimet e shtrenjta, çmimet e reja për shërbimet
Tarifat e ekzaminimeve të shtrenjta do të variojnë nga 4 000 deri në 80 000, që është më e larta
Përcaktohen çmimet e reja për ekzaminimet e shtrenjta në spitale, pjesa më e madhe e të cilave kryhen vetëm në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”. Nëpërmjet një vendimi të miratuar edhe nga Këshilli i Ministrave në datën 18 gusht 2011, është detajuar lista e ekzaminimeve unikale, terciare, në të cilën janë shtuar disa shërbime të reja, sikurse kanë ndryshuar edhe tarifat që duhet të paguhen plotësisht nga personat e pasiguruar, ndërsa të siguruarit derdhin vetëm 10% të çmimit. Sipas tarifave të miratuara, çmimet e ekzaminimeve të shtrenjta do të variojnë nga 4 000 deri në 80 000 lekë. Ekzaminimi më i shtrenjtë në shërbimin e mjekësisë nukleare do të jetë trajtimi me jod për kancerin e tiroides, kostoja e të cilit do të jetë plot 80 000 lekë. Masa e mbulimit të shpenzimeve të personit të siguruar për shërbimin e këtyre ekzaminimeve nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor është: 100% për fëmijët 0-12 vjeç, invalidët e plotë, invalidët e luftës, veteranët, të sëmurët me tuberkuloz (TBC) dhe kancer (CA); dhe 90% për kategoritë e tjera të të siguruarve. Për të kryer ekzaminimet unikale, terciare, të siguruarit duhet të paraqesin dokumentet e mëposhtme: librezën e shëndetit, dokumentin e identifikimit dhe rekomandimin e konsultës së shërbimit përkatës. Pacientët e pasiguruar mund t’i bëjnë ekzaminimet, duke paguar të plotë tarifat e përcaktuara. Vetëm në raste urgjente, shpenzimet për ekzaminimet mund të mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkaq, sipas vendimit të ri, të ardhurat e përfituara nga këto ekzaminime duhet të kalojnë në buxhetin e institucionit shëndetësor terciar si të ardhura jashtë limitit, dhe përdorimi i tyre do të bëhet në përputhje me vendimin nr.140, datë 17.2.2010 të Këshillit të Ministrave “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e kujdesit shëndetësor”, të ndryshuar. Ekzaminimet në shërbimin e mjekësisë nukleare kryhen nëpërmjet aparaturës së gama-kameras që realizon deri në 25 ekzaminime në ditë. Kjo aparaturë e re dhe unike në vendin tonë është futur para pak muajsh në spitalin më të madh të vendit, “Nënë Tereza”, dhe shërben për të diagnostikuar gjëndrat tiroide dhe ato kancerogjene. Përveç tiroideve me të ekzaminohen edhe sëmundjet e zemrës, palcës së kockës, veshkave, tumoret e gjirit, cisteve etj. Ky diagnostikim është plotësues për të parë shkallën e zhvillimit të sëmundjes, apo gjendjen pas një operacioni, ndërkohë që ai i vjen në ndihmë mjekut specialist për të saktësuar diagnozën dhe për të përcaktuar më pas skemën sesi do të trajtojë pacientin.
Çmimet ekzaminimeve në shërbimin e mjekësisë nukleare
Nr. Ekzaminimet Çmimet
1. Shintigrafi tiroide, 4 000 lekë
2. Shintigrafia renale statike DMSA, 10 000 lekë
3. Renale dinamike+kaptopril, 15 000 lekë
4. Renale dinamike DTPA +lasix, 13 000 lekë
5. Renale dinamike + Cistoshintigrafi indirekte, 15 000 lekë
6. Cistoshintigrafi direkte, 12 000 lekë
7. Shintigrafi pulmonare perfusionale, 9 000 lekë
8. Shintigrafi kocke parciale, 9 000 lekë
9. Shintigrafi skeleti, 12 000 lekë
10. Shintigrafi 3 Phase + WB (skeleti), 20 000 lekë
11. Trajtim hipertiroze me jod I-131, 30 000 lekë
12. Eliminim i indit mbetës pas operacionit të tiroides + shintigrafi pas
3 ditësh me jodin e marrë 12 30