Kërkesa e Arvizut, Berisha anulon tubimin e së shtunës
Berisha e argumentoi këtë tërheqje me faktin se edhe ndërkombëtarët kishin vlerësuar kërkesën e tij për mundësinë e ofrimit të një ekspertize për zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit
TIRANË- Pas kërkesës së përsëritur nga ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, për anulimin e protestave nga dy forcat kryesore politike në vend, kryeministri Sali Berisha bëri lëvizjen e parë pozitive në këtë drejtim, duke deklaruar mbrëmë për mediat, përmes një konference për shtyp, se po shqyrtonte mundësinë e anulimit të tubimit nën moton kundër dhunës së parashikuar për ditën e shtunë. Berisha e argumentoi këtë tërheqje me faktin se edhe ndërkombëtarët kishin vlerësuar kërkesën e tij për mundësinë e ofrimit të një ekspertize nga ana e tyre për zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit. “Përveç kërkesës, sepse mendoj se u plotësua një kërkesë shumë e rëndësishme, për një hetim të plotë dhe të gjithanshëm, mendoj se edhe ne duhet të shqyrtojmë mundësinë e anulimit për të shtunën, të atij mitingu që të mos kuptohet kjo si një lëvizje populiste, që është gjëja e fundit që më shkon ndër mend, ndërkohë që ajo kishte thjesht synimin për të dënuar dhunën, se ka një mënyrë tjetër për ta dënuar dhunën në një kohë kur del jashtë kontekstit dhe nuancave që mund të jepen”, - tha Berisha. Pak ditë më parë, në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, kryeministri Berisha, duke u nisur po nga kërkesa e ndërkombëtarëve, vendosi shtyrjen e tubimit të paralajmëruar për të mërkurën, për ditën e shtunë. Por dje, kreu i ekzekutivit dha një shpjegim tjetër për këtë shtyrje. “E shtyva nga e mërkura dhe përzgjodha të shtunën, por përzgjedhja e kësaj dite nuk kishte lidhje me asgjë tjetër, përveçse me dy rrethana. E para, që nuk ishte ditë pune dhe e dyta, sinoptika, se dhe ky ishte një faktor. Meqenëse po krijon përshtypjen e një “show up”, nuk është ky qëllimi”, - tha Berisha. Edhe pse mbrëmë foli pak për ato që ka folur shumë këto ditë, pikërisht për grushte shteti e skenarë puçist, Kryeministri deklaroi sërish se në një rast të dytë përgjegjësinë do ta ketë vetëm kryetari i opozitës, Edi Rama. “Zoti Rama organizoi një puç, zoti Rama me njerëz të hurit dhe të litarit, të gurit dhe të drurit, të eksplozivave, u vërsul dhe rrethoi Kryeministrin. Zoti Rama do të përballet me pasojat e aktit të tij. Natyrisht kur e them këtë e theksoj se kam qenë dhe mbetem i vendosur për rrugën ligjore. Në rast se tenton edhe një herë, i kam dhënë ultimatum të prerë se do të amnistohet çdokush tjetër përveç atij. Kjo nuk lëviz. Dua të jem i hapur me shqiptarët. Në një vend të lirë, një Prokurori e pavarur vepron dhe jep zgjidhjen, po kur kjo nuk ndodh, për arsye të implikimeve direkte, atëherë ka gjithnjë rrugë të tjera për t’u zgjidhur dhe rruga do të jetë kjo që kam paralajmëruar”, - tha ai. Kryeministri ndau gjithashtu një këndvështrim tjetër me atë të prokurores së Përgjithshme Ina Rama, e cila dje e cilësoi thjesht një vendimmarrje politike ngritjen e komisionit hetimor. Për Kryeministrin, komisioni hetimor do të faktojë në rrafshin ligjor ngjarjen e dhunshme të 21 janarit. “Fillimisht unë kam ftuar Prokurorinë për hetim, por çdo qytetar që lexon Kodin Penal gjen të shkruar e zezë mbi të bardhë se çdo tentativë për të pushtuar ndërtesën qeveritare është kryengritje e dhunshme. Çdo qytetar që lexon dhe ligjet më elementare gjen të shkruar se çdo përpjekje për të përmbysur me dhunë qeverinë është grusht shteti. Kjo është e qartë si kristali. Ka një komision hetimor parlamentar, i cili do të faktojë në rrafshin ligjor për këtë akt të shëmtuar, më të shëmtuarin pas 1924-s, në historinë e këtij vendi. Si akt, se diktatura ishte gjëja më e rëndë që pësuam ne, ndërsa si akt, ky ishte më i shëmtuari nga 1924-a”, - tha ai.