Berisha: Emrin e Sheshorit e dëgjoj për herë të parë
ADI SHKEMBI
Emrin e Hysen She-shorit e dëgjoj për herë të parë. Kryeministri Berisha flet katër ditë pas akuzave të opo-zitës, sipas së cilës kreu i qeverisë ka dhënë një dëshmi të rreme në vitin 1975 për pushkatimin e të përndjekurit Hysen Sheshori. Në një konferencë të posaçme për shtyp, pas kthimit nga samiti i Davosit, kreu i ekzekutivit deklaroi se nuk e njihte këtë person, madje akuzoi mediat se janë keqpërdorur për këtë rast. "Kush është ky? Ky është një emër që unë e dëgjoj për herë të parë në jetën time. Kur qenka dënuar ky?. E nderuar zonja gazetare, mirë ata që ia kanë falë vetes mashtrimin, por ju duhet të bëni kujdes në atë që thoni", është përgjigjur Kryeministri Berisha. Madje për të përforcuar bindjen se nuk e njeh Hysen Sheshorin, kreu i qeverisë i është rikthyer një bisede vite më parë me kryeministrin italian Silvio Berluskoni. "Jam ndodhur njëherë rastësisht në një darkë me Kryeministrin Berluskoni, në atë kohë ai ishte në opozitë, lider i Forca Italia, si dhe me një mik tjetër timin dhe Berluskoni më tha; A dini çfarë më ka ndodhur? Para tri javësh më akuzuan dhe thanë se Silvio ka vrarë një njeri. Ndërkohë që ai doli dhe tha; unë jam i gjallë dhe nuk kam vdekur. Edhe puna e këtij personi të dënuar, shikoni njëherë se mos nuk është i dënuar fare", deklaroi më tej Berisha. Të enjten e kaluar, nënkryetari i grupit socialist, Erion Braçe nxori në Parlament një gazetë të vitit 2002, ku Hysen Sheshori, një ish i përndjekur politik akuzonte Kryeministrin Berisha se në vitin 1975 ka dhënë një dëshmi të rreme për të dënuar atë me vdekje. Kjo intervistë u përdor nga opozita, pasi ajo çoi në Gjykatën Kushtetuese ligjin për lustracionin. I pyetur se si do të procedohet me këtë ligj kur të shqyrtohet në Kushtetuese, kreu i qeverisë deklaroi se "mos më bëni mua anëtar të autoritetit. Autoriteti është ligjor. Ajo që mund të them unë është që problemi që e pengoi fund e krye konsensusin me PS-në, të cilin e kërkova 2 vjet rresht, është arkivi i dosjeve familjare të Edi Ramës. Këtë dua t'jua them ju me përgjegjësinë më të plotë se është kështu siç ua them unë. Është një arkiv i tmerrshëm, është njeri i mbajtur peng, unë kujtoja se ai mund të kishte mundur, por ai doli zemërpulë, e mbajtën peng ata". Sipas Berishës, "Rama thotë; fol ti që ka qenë dikush mbi mua që ka firmosur, nuk kam firmosur vetëm unë. Ky është problem i madh, sepse unë kurrë nuk e bëj fëmijën përgjegjës për të atin. Kurrë!. Është një parim i pandryshueshëm. Por kur fëmija do ta mbajë veten, është i pashërueshëm, çfarë mund t'i bëj unë atij?. Ndaj kjo është arsyeja që kemi të bëjmë me këtë problem".
"Në Davos për statusin në BE dhe gazsjellësin"
Kryeministri Berisha tha dje pas kthimit nga Davosi se në këtë takim ka biseduar gjatë për statusin e vendit kandidat dhe gazsjellësin që pritet të kalojë përmes Shqipërisë. "Në Davos, natyrisht ata që udhëheqin ekonominë botërore kishin peshën e tyre, ndërsa unë kisha qëllimet e mia. Së pari, zhvillova një seri takimesh me të gjithë presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Europian që ishin të pranishëm në Forum, takime që janë raportuar edhe në shtyp, për paraqitjen e statusit të vendit kandidat dhe për lëvizjen e lirë. Tek të gjithë bashkëbiseduesit e mi gjeta mirëkuptim të plotë", u shpreh Berisha. Sipas tij, "linja e dytë e takimeve ishte gazsjellësi Trans-Adriatik. Unë u takova me të gjithë përfaqësuesit e vendeve të interesuara për këtë gazsjellës, të pranishëm në Davos, si Kryeministrin e Turqisë, Presidentin e Zvicrës, Presidentin e Azerbajxhanit Aliyev e përfaqësuesit e kompanisë".