Ligji i Dosjeve, edhe Helsinki kërkesë në Gjykatën Kushtetuese
Në Gjykatën Kushtetuese ka mbërritur dje kërkesa e dytë kundër ligjit "Për pastërtinë e figurave". Pas Partisë Socialiste, kësaj radhe është Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili ka ankimuar ligjin e maxhorancës. Edhe "Helsinki", si dhe grupi i deputetëve socialistë dhe atyre të PBDNJ-së, kërkon shfuqizimin e ligjit dhe pezullimin e tij deri në vendimin përfundimtar të kësaj gjykate. Kërkesa u dorëzua dje në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që po dje anëtarët e kësaj gjykate janë nisur për në Gjermani. Sipas zyrës së shtypit të kësaj gjykate, "me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Federale Gjermane, Prof.Dr. Hans-Jurgen Papier dhe të Fondacionit Gjerman për Bashkëpunimin Juridik Ndërkombëtar, IRZ, u nis dje për një vizitë pune për në Republikën Federale të Gjermanisë një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetari i saj, Vladimir Kristo". Gjatë qëndrimit në Gjermani delegacioni do të pritet në Gjykatën Kushtetuese Federale gjermane, ku do të organizohet një tryezë e rrumbullakët në të cilën do të diskutohen çështje me interes për shkëmbimin e përvojave në fushën e vendimmarrjes dhe jurisprudencën kushtetuese.