Drejtori hajn i ndërmarrjes së çelikut, kapet në Morinë

Drejtori i ndërmarrjes së çelikut në Elbasan, Ilir Robi, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion, është arrestuar teksa po tentonte të largohej në drejtim të Kosovës. Policia e Kukësit informoi se 35-vjeçari është ndaluar në pikën kufitare të Morinës, në momentin kur nga sistemi TIMS ka rezultuar se ishte person në kërkim, transmetojnë mediumet shqiptare.
Drejtori i ndërmarrjes së përpunimit të çelikut në Elbasan ishte shpallur në kërkim më 21 shkurt 2013, ndërsa para tij ishin arrestuar magazinieri Tosi Muda dhe shoferi Albert Pepa, vartës të tij.
Ata u arrestuan në kuadër të operacionit “Traversa”. Sipas policisë, Robi bashkë me magazinierin e ndërmarrjes dhe shoferin shisnin mallin e ndërmarrjes pa e inventarizuar prej më se 8 muajsh.
Më 21 shkurt, në kuadër të operacionit, policia e Elbasanit kapi në flagrancë në aksin rrugor Elbasan-Peqin dy kamionë me targa të Krujë, me drejtues A. Babasi dhe S. Topçiu, të cilët kishin ngarkuar traversa nga kjo ndërmarrje pa asnjë lloj fature, por ju kishin paguar rreth 50 mijë lekë nën dorë të dyshuarve për shpërdorim detyre dhe korrupsion./Indeksonline/