E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzojn Bajramin

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka hedhur poshtë vendimin e Ministrit Bajram Rexhepi dhe Policisë së Kosovës për largimin nga puna të ish-komandantit të stacionit në veri të Mitrovicës. Gjykata ka vendosur që Milia Milloshevic të kthehet në punë me gradën që e ka pasur si kapiten.

Ish-komandanti i stacionit të Policisë në Veri shumë shpejt pritet të kthehet në punë. Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur që kapiteni i policisë, Milija Miloshevic të kthehet në punë dhe ka hedhur poshtë të gjitha vendimet që janë marrë për largimin e tij në mars të vitit 2011. Ai ishte pushuar nga puna me një vendim të ministrit Bajram Rexhepi më 14 mars 2011, shkruan gazeta Express.

Në atë kohë supozohej se Milloshevic kishte bërë shkelje të ligjit duke fshehur veprën penale. Mirëpo, një vendim i Gjykatës Themelore i hedh poshtë të gjitha ato që janë ndërmarrë nga ministri, drejtori i Policisë dhe organet tjera disiplinore. Aktgjykimi, që mban datën 23 shkurt, e përbërë nga gjykatësi Faton Ademi, vendos që të anulojë vendimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepit si dhe e drejtorit të Policisë në të cilën ishte vendosur që kapitenit Milloshevic t’i ndërpritet marrëdhënia e punës

Në bazë të aktgjykimit, Ministria e Punëve të Brendshme obligohet që ta kthejë në punë Milloshevicin me gradën që e ka pasur para se të largohej. “Paditësi duhet të kthehet në gradën e kapitenit në Stacionin e Policisë në Veri apo në vendin e ngjashëm që është në përputhje me aftësitë profesionale të tij me të gjitha të drejtat nga marrëdhënia e punës”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës. Gjyqtari Ademi e kishte marrë këtë vendim me arsyetimin se nuk ka pasur arsye për largim nga puna të Milloshevicit, kur instancat shtetërore kanë mundur ta ndëshkojnë atë në ndonjë mënyrë të ndryshme. Sipas këtij, gjyqtari duke u bazuar në deklaratat e dëshmitarëve Milloshevic nuk ka fshehur veprën penale, por vetëm se është munduar ta mbrojë një punonjës të tij që nga pakujdesia ka shkaktuar një incident të vogël.

Kjo, sipas avokatit Mahmut Halimi, do të kishte pasur mundësi që të ndëshkohej me ndonjë ulje të pozitës apo edhe të transferimit diku tjetër. Po ashtu, sipas Halimit, janë tejkaluar edhe afatet ligjore të organeve kompetente lidhur me vendimin ndaj Millosheviqit. Reshat Maliqi, i cili në atë kohë ishte drejtor i Policisë kur ka vendosur ta largojë nga puna Milloshevicin, tha për Express se ai vetëm ka zbatuar rekomandimet që kanë ardhur nga Komisioni për Emërime të Larta dhe Disiplinë në Polici.

“Ata na kanë rekomanduar edhe mua edhe ministrin që atë person ta largojmë nga puna”, tha Maliqi. Komisioni për Emërime të Larta në mars të vitit 2011 kishte rekomanduar ish drejtorit të Policisë, Reshat Maliqi, të përjashtojë nga Policia e Kosovës Milija Milloshevicin. Sipas komisionit, dosja e tij kishte të bënte me një rast të ndodhur në prill të vitit 2010, i cili sipas komisionit, kishte bërë shkelje të rënda të detyrës së punës (fshehje të veprës penale). Pas këtij rasti në gusht të vitit 2010, drejtori i atëhershëm i policisë, Behar Selimi, e kishte shkarkuar nga detyra e komandantit të stacionit policor në veri të Mitrovicës, duke e lënë në Departamentin e policisë për komunitete. Milloshevic njihet si ndër pjesëtarët më kontrovers nga radhët e komunitetit serb në policinë e Kosovës, për çka mediat kanë raportuar për takime të tij me strukturat paralele serbe në veri. Mirëpo avokati i tij Mahmut Halimi tha se asnjë nga ato çka janë shkruar për klientin e tij nuk janë të vërteta. Sipas tij ai është i vetmi që në veri e ka amortizuar situatën.

Ndërkaq Halimi sqaron edhe për rastin për të cilin Milloshevic ishte larguar nga puna. Sipas tij një polic i stacionit ka harruar ta mbyllë portën që e kishte për detyrë dhe për pasojë brenda rrethojës ku ishte e ndaluar ishin hyrë disa djem me veturë duke shkaktuar një incident. “Klienti im e ka sugjeruar policin që ta bëjë një raport të arsyeshëm në mënyrë që polici të mos mbetet pa punë. Në një farë mënyre ai ka treguar tolerancë ndaj policit”, tha Halimi. Mirëpo sipas tij aty janë përzier disa njerëz tjerë e që janë bërë dëshmitarë kundër tij që kinse Milloshevici i ka thënë policit që ta zbusë raportin pasi ata(njerëzit që kanë shkaktuar incidentin) i njeh. “Këto pohime u hodhën poshtë nga gjykata”, tha Halimi. Sido që të jetë brenda shtatë ditësh pala e paditur në këtë rast MPB ka të drejtë ankese ndaj aktgjykimit e nëse ankesa hidhet poshtë, sipas avokatit Halimi, Milloshevic mund të kthehet në punë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›