Drejtori i Institutit Arkeologjik nën akuzë për "shpërdorim detyre"
Drejtori i sapoemëruar i Institutit Arkeologjik, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Lorenc Bejko, akuzohet për "shpërdorim detyrë". Faktet janë zbuluar nga Prokuroria e Durrësit, e cila ka zbuluar se Bejko nuk ka dërguar specialistët e arkeologjisë gjatë ndërtimit të një pallati shumëkatësh në zonën arkeologjike në Durrës. Sipas procedurave, në momentin që një ndërtues kërkon leje në bashki për të marrë leje ndërtimi, ata duhet të pajisen edhe me lejen e Institutit Arkeologjik. Pasi të merret leja, instituti duhet të dërgojë specialistë në gropë brenda 100 ditëve të para të punës, për të parë nëse ndërtimi i tyre do të hasë në një monument arkeologjik. Në rastin konkret, edhe pse leja ishte dhënë, dhe për pesë muaj ndërtuesit kanë pritur ekspertët e arkeologjisë, ata nuk kanë shkuar. Pas 5 muajsh ndërtuesit kanë filluar punën, duke mos pritur ekspertët, pasi atyre u skadonte afati i tokës në ndërtim. Pas fillimit të punimeve dhe hapjes së gropës, drejtori Bejko i kallëzon në prokurori, ku ligji e parashikon që njëherë të vihet gjobë dhe paralajmërim dhe më pas kallëzim. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë se pas kallëzimit të Bejkos, ndërtuesit i drejtohen prokurorisë, duke e kallëzuar edhe atë për mosdërgimin e ekspertëve. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se Bejko nuk ka dërguar ekspertë arkeologë dhe në kundërshtim me ligjin ka bërë kallëzim ndaj tyre, duke shpërdoruar detyrën. Është marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurit. Dosja, nga Durrësi ka kaluar në Prokurorinë e Tiranës.