E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen të tjerë bashkëpunëtorë të Saleo Stojanit

Sistemi kompjuterik i verifikimit të të dhënave personale TIMS që është instaluar tre vjet më parë në Kakavijë, ka evidentuar dy persona që ishin në kërkim për vjedhje. Një çift burrë e grua nga Kamza që u deportuan nga policia greke mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:30 janë evidentuar si të kërkuar nga agjentët e stacionit të policisë kufitare në Kakavijë dhe pas arrestimit nga forcat e policisë të Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër janë dërguar për në dhomat e paraburgimit në Komisariatin e Gjirokastrës. Sipas zëdhënësit të kësaj drejtorie, pas verifikimeve të bëra në sistemin TIMS të shtetasve deportivë të kthyer nga pala greke ka rezultuar se dy prej tyre ishin persona në kërkim dhe konkretisht, bashkëshortët Arjan Kazanxhiu, 24 vjeç, lindur në Laç dhe banues në Kamzë - Tiranë dhe Matilda Kazanxhiu (Daja), 27 vjeç, lindur dhe banuese në Kamzë - Tiranë. Kapja e bashkëshortëve Kazanxhi është bërë pasi janë persona të shpallur në kërkim dhe shpallja e tyre është bërë Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale të "Vjedhjes", parashikuar nga neni 134/3 e Kodit Penal. Shkaku i shpalljes në kërkim, sipas zëdhënësit Gentian Mullai, është se ata akuzohen se kanë vjedhur në bashkëpunim edhe me një person tjetër vilën e mjekut Islam Buci në lagjen "18 Shtatori" Gjirokastër, ku është marrë shuma prej 23 milionë lekëve të vjetra. Vjedhja nga ana e bashkëshortëve është realizuar duke përdorur minorenin Saleo Stojani, i cili aktualisht po vuan dënimin në Burgun 313 Tiranë, për këtë vjedhje dhe disa vjedhje të tjera. Ndërkaq, mësohet se në këtë vjedhje ka edhe persona të tjerë të implikuar. Burime të policisë bënë të ditur se për këtë vjedhje janë arrestuar dhe një çift tjetër bashkëshortësh me mbiemrin Daja dhe pikërisht prindërit e të arrestuarës, Matilda Kazanxhi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›