E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të arrestuarit në Hipotekë bashkëpunuan me komunarët e Kasharit

Hetimet mbi tre ish-punonjës të Hipotekës së Tiranës, të arrestuar për "shpërdorim detyre" gjatë operacionit "Furtuna", kanë nxjerrë në pah lidhjen e mundshme të njërit prej tyre edhe në abuzimet me trojet në Komunën e Kasharit. Hetues pranë Njësisë Task Force në Prokurorinë e Tiranës, bënë të ditur se grupi hetimor ka ngritur dyshime të forta, se njëri nga të pandehurit e operacionit "Furtuna" është bashkëpunëtor me të pandehurit e operacionit "Kashari", që akuzohen për falsifikimin e dokumentacioneve të trojeve të kësaj komune për qëllime përfitimi. Sipas burimeve nga organi i akuzës, hetuesit kanë administruar materiale shkresore që hedhin dyshime për një bashkëpunim të mundshëm mes të pandehurve të këtyre dy grupeve. Nën hetim për abuzime në Hipotekë janë gjashtë persona, tre prej tyre ish-punonjës të saj, të cilët u arrestuan para disa muajsh në kuadër të operacionit "Furtuna" si të dyshuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare. Ndërkohë që, nën hetim për abuzimet me trojet e Komunës së Kasharit, janë 11 persona, disa prej tyre ish-funksionarë të kësaj komune në periferi të Tiranës. Ata u arrestuan pasi në periudhën 2000-2007 kanë kaluar në pronësi të disa qytetarëve, kundrejt pagesës, prona që nuk i zotërojnë. Në Prokurorinë e Tiranës po verifikohen dhjetëra kallëzime të banorëve të Kasharit, të cilët pretendojnë se i gjithë dëmi në komunë përllogaritet miliona euro. Të arrestuarit, kryetarë dhe ish-kryetarë komune bashkëpunonin me njëri-tjetrin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›