Zhdukja e gjimnazistes, policia shoqëron një zjarrfikës
Policia e Fierit ka shoqëruar dje një punonjës të repartit zjarrfikës të qytetit, i cili dyshohet se është i implikuar në zhdukjen e gjimnazistes 15-vjeçare Xhuljeta Agolli. Prindërit e vajzës thanë dy ditë më parë në polici se vajza komunikonte në telefon me një djalë në numrin 128 të zjarrfikësve. Përveç kësaj, policia dyshon se punonjësi i zjarrfikëses është edhe pronari i makinës që është parë të lëvizë ditët e fundit në afërsi të shtëpisë së vajzës së zhdukur. Sipas burimeve zyrtare të Policisë Fier mësohet se është shoqëruar për t‘u pyetur punonjësi i sallës së Komandës së Repartit Kundër Zjarrit dhe Shpëtimit, Bardhyl Muçaj. Nga kontrolli i tabulatëve telefonikë, policia ka zbuluar se Bardhyl Muçaj ka biseduar disa herë me gjimnazisten, madje edhe ditën që është denoncuar zhdukja e saj. Pas këtij zbulimi, policia ka thirrur Muçajn dhe e ka marrë në pyetje. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se zjarrfikësi Muçaj është një ndër personat e dyshuar për këtë ngjarje, por për të ende nuk është ngritur ndonjë akuzë. Gjithashtu burime nga grupi i hetimit bëjnë të ditur se ai ka mohuar çdo lloj lidhjeje me zhdukjen e vajzës 15 vjeçe nga fshati Rreth-Libofshë i Fierit. Paralelisht me pyetjen e të vetmit të dyshuar, policia ka vijuar kontrollet në të gjitha hotelet dhe motelet e Qarkut të Fierit por në asnjë prej tyre nuk është gjetur ndonjë gjurmë e saj. Policia po vijon kontrollin edhe në disa banesa të lëna me qira, kryesisht në lagjet periferike të qytetit të Fierit dhe të Lushnjës.