E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre emigrantë rrezikojnë jetën në aksident

Një aksident i rëndë për pak sa nuk u ka marrë jetën tre emigrantëve që iknin drejt Greqisë. Ndërsa kanë qenë duke u kthyer në vendin e punës, pas kalimit të Pashkëve te të afërmit, ata janë plagosur rëndë në një përplasje të automjetit të tyre. Tre personat, me banim në Dukagjin të Shkodrës, ishin duke udhëtuar me një automjet me targa greke drejt pikës kufitare të Kakavijës. Aksidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në aksin kombëtar Lushnjë-Fier, në afërsi të fshatit Kolonjë. Në automjetin me targa greke që drejtohej nga shtetasi Gjergji Rozhani, 30 vjeç, kanë qenë duke udhëtuar çifti Amir dhe Justina Marku, 30 dhe 24 vjeç. Policia rrugore bën të ditur se si shkak i mungesës së sinjalistikës vertikale, automjeti është përmbysur, duke u rrokullisur për disa metra. Kalimtarë të rastit kanë ndaluar për t‘u dhënë ndihmë tre të aksidentuarve. Ata janë dërguar me shpejtësi në spitalin e Fierit, ku janë jashtë rrezikut për jetën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›