Formula e baraspeshës për një copëz Ballkan
Pasi Greqia iu veçua Ballkanit, sidomos me t’u futur në NATO dhe përfshirë në dymbëdhjetëshen e Bashkimit Europian, siujëdhesa jonë politike u bë më e vogël. Kur Sllovenia u integrua aq shpejt, dhe presidenti Bill Klinton gjatë vizitës në Ljubljanë, këtë shtet të bllokut ish-komunist e paraqiti si një pasqyrë për vendet e rajonit, hapësira qe tkurrur edhe më, me zbritjen e kufijve të BE-së, në brendësinë veriperëndimore të gadishullit. Por, kur Rumania, ky shtet mesatar europian dhe Bullgaria jo aq e vogël si ballkanike, u anëtarësuan njëherësh, në vitin 2007, Bashkimi Europian i zvogëloi aq shumë territoret e Europës Juglindore jashtë tij sa që, qerthulli i mbetur i shteteve nevrike në perëndim, nënkuptohej si vatra më në ethe, që duhej kuruar me durim sipas veçorive të secilit shtet brenda zonës. Kështu, mbetën plot 6 vende: Kroacia - më e përparuara, por më pas Sllovenisë fqinje; kokëdhëmbja Maqedoni - e futur fort nën sqetull për ta mbrojtur; Serbia – shtrëngo e liro, por sidomos e përkëdhelur; Shqipëria - qorto e afro, më shumë e vetpenguar nga konflikte me veten; Mali i Zi - i padëmshëm me vogëlsinë e vet; Bosnjë-Hercegovina - dilemë e zgjatur e një zgjidhje ende e turbullt; dhe shteti i sapo krijuar i Kosovës - në mbajtje ndërkombëtare përdore. Pothuajse, si në thënien shqipe: Të gjithë halle kanë, halli hallit nuk i ngjan!
Ky territor i ngushtë shtetesh të vegjël, të ngatërruar mes tyre me histori, të vjetra e të freskëta, nuk doli të qe i lehtë për t’u futur në një emërues të përbashkët politik. Këto vështirësi, komisioneri për zgjerimin i ka emërtuar si sfidë europiane të “politikës së çminimit”. Në këto njëzet vjet, për çminimi e kësaj copëze Ballkan, Bashkim Europian ka përdorur edhe formulën e baraspeshës, për shuarjen e xhelozive fqinjësore e shmangien e pakënaqësive ndërshtetërore, pa e pohuar asnjëherë se është tejet i vëmendshëm për t’i ruajtuar ekuilibrat dhe bërë korrigjimet, kur vërehen anime brenda për brenda ansamblit. Disa vite më parë, kjo nuk lexohej aq lehtë, por nuk ka më dyshime në atë që, Brukseli ka përdorur “gurë peshe”, në tarimin e qeverisjeve, për t’i nxitur fqinjësitë dhe shkurajuar kundërvëniet. Aq e përllogaritur shihet të jetë kjo sa, kur dëgjon mbi përplasjet politike në Shqipëri, që qortojnë për nxitim të paraqitjes së kërkesës për në BE dhe vonim në heqjen e vizave, dhe vihet kundruall Serbia problematike e kujtohet vogëlsia e Malit të Zi si kundërshembull, të vjen të qeshësh vërtetë, siç qe budallallëk me brirë thënia që, po të hapen kutitë e votimit, vizat hiqen për një javë!
Jo, formula e baraspeshës e Bashkimit Europian, për këtë pjesë të Ballkanit, vepron thuajse matematikisht dhe, moskuptimi i saj përbën ose padije nga mosnjohja e politikës, ose keqshpjegim nga qëllimi për ardhje në pushtet. Le të mos merremi me Kroacinë, sepse pranimi i saj në BE është çështje ditësh, pasi u kapërcye problemi kufitar me Slloveninë. Për shumë arsye integrimin e Kroacisë duhet ta pranojmë si një veçori në Ballkanin Perëndimor, sepse ecja e saj drejt BE-së, më shumë i ngjet dukurive sllovene se sa problematikave shqiptare. Formula e BE nxit shpejtimin e vendeve që dëshpërimisht kanë mbetur jashtë, por që përpiqen energjikisht të futen brenda. Më e para që ka përfituar prej saj është Maqedonia, sepse iu dha statusi i kandidatit me një shpjetësi marramendëse, enkas që të mbrohej shteti atëherë kur rrezikohej të ndahej vendi. Kjo mbështetje politike u plotësua me heqjen e vizave, edhe pse Maqedonia mbetet në ngërçin 18-vjeçar të emërtuar FYROM, pa mundur ta fshijë, përgjithmonë, këtë emër ndërkombëtar që ajo as nuk do t’ia përmendin, pa mundur të afirmojë emrin Maqedoni për të cilin bën qëndresë të palëkundur, dhe pa u pajtuar me Greqinë për një zgjidhje kompromisi, që Maqedonisë i ngjan si bisht që i qepet emrit. Maqedonisë iu hoqën vizat, por mbetet jashtë NATO-s. Dhe, vizat u hoqën sepse Athina nuk deshi të përdorë veton përsëdyti. Kurse Shqipëria nuk ka përfituar pak, edhe pse opozita nuk e llogarit ashtu, duke ngritur stuhi në gotë. Shqipëria u bë anëtarë e NATO-s. Kjo nuk është hiç, por shumë. Shqipëria po bëhet kandidate për në BE. Kjo nuk është asgjë, por diçka e madhe. Dhe, me të dy këto përfitime të jashtëzakonshme, formula e baraspeshës e BE-së, nuk ka si t’ia jepte Shqipërisë të tria brenda një viti, domethënë edhe heqjen e vizave njëherësh me Maqedoninë, Serbinë e Malin e Zi. Ashtu do të prishej përfytyrimi politik mes këtyre fqinjëve, sepse Shqipëria, në fund të fundit, nuk përbën një shembull ecjeje të përkryer, siç Serbia problematike nuk duhet mbajtur nën ndëshkim të pa cak. Serbia e goditur nga një luftë e drejtë vetëm për faj të saj, prapëseprapë duhej mbështetur - dhe u mbështet, por ndihma mori deri trajta të ndjesisë së përkëdheljes së tepruar. Shteti që NATO-n e quan armike, vendi që nuk ka nisur procedurat e kandidatit për në BE, duhej të shpërblehej me heqjen e shpejt të vizave, që Bashkimi Europian të prekej nga interesat e serbëve drejtpërdrejt, pa u anashkaluar kushtet dhe pa ua kujtuar Alencën e Atlantikut të Veriut. Heqja e vizave i afron serbët me Bashkimin Europian më prekshëm se sa ata do të ndjeheshin nga marrja e statusit të kandidatit apo ca më pak sikur edhe të ndërmerrej hapi i parakohshëm për antarësim në NATO. Ndërsa Mali i Zi i vockël nuk prish as punë të vogla. Duke qenë pjesë e Serbisë në luftë dhe ndëshkim, Mali i Zi që nuk është as në NATO, nuk mund të lihej pas Serbisë në heqjen e vizave. Do të qe e padrejtë që Malit të Zi t’i vonoheshin të tria: edhe NATO, edhe statusi i kandidatit për në BE, edhe hiqja e vizave. Jashtë kësaj baraspeshe, e ndërthurur me përpjekjet për plotësimin e kushteve, nuk mbeten as Bosnjë-Hercegovina e Kosova. Qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës do të përfitojnë lëvizjen e lirë siç edhe Kosova nuk do të lihet jashtë saj. Bosnjës do t’i hiqen vizat për t’u ndjerë pjesë e Bashkmit Europian, ndërsa Kosova nuk është më pas - ajo është de facto në NATO dhe heqja e vizave për të do të jenë një gur peshe që do të vihet në kohën e duhur. I gjithë procesi në këtë copëz Ballkani, i sjellë deri të projekti shekullor 1914 – 2014, në mënyrë që, atëherë dhe aty ku shpërtheu ndarja e madhe politike me Luftën e Parë Botërore, atëherë dhe aty të përmbyllet integrimi i madh politik në Bashkimin Europian, vërehet se, këto shtete janë vënë në një baraspeshë mbështetjeje, pranimi, dallimi e merite shpërblimi. Ndoshta, në mënyrë të saktë e tha Olli Rehn, kur shqiptoi se “… ne duhet të vazhdojmë atë që unë e quaj politikë e çminimit në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të thotë t’i marrësh problemet një e nga një duke kombinuar pushtetin e butë të BE dhe mjetet klasike të diplomacisë”. A nuk ka ende mina midis Maqedonisë dhe Greqisë? A nuk e di kushdo se nuk janë çminuar marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën? A nuk flenë brenda për brenda Bosnjë-Hercegovinës mina politike që pritet të çaktivizohen? Të gjitha shtete e Ballkanit Perëndimor nxitojnë të përmbushin kushtet në procesin e integrimit. Në këtë rrugë ato nuk ecin njëkohësisht përpara e për çdo gjë. Prandaj Bashkimi Europian përdor edhe baraspeshën politike, të pandarë nga ushtrimi i pushtetit të butë, mjetet klasike të diplomacisë dhe shpërblimin për merita.