Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Vjenë, Costa: Jam i inkurajuar nga reformat dhe arritjet në Shqipëri
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim, në Nju Jork, me Drejtorin e Përgjithshëm të Departamentit kundër Drogës dhe Krimit në Kombet e Bashkuara, njëkohësisht Drejtor i Përgjithshëm i Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Vjenë, Antonio Maria Costa.
Duke diskutuar mbi zhvillimet në Shqipëri, z Costa tha se ishte i inkurajuar me reformat në vendin tonë dhe arritjet e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kryeministri Berisha theksoi se qeveria konceptin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit nuk e ka si qëllim në vetvete, por e shikon atë në funksion të të gjitha zhvillimeve pozitive në vend.
“Këto përpjekje të qeverisë shqiptare janë bërë edhe në funksion të zhvillimit të turizmit në vend. Për këtë vit turizmi në Shqipëri është rritur me 34 % dhe nuk ka incidente me turistët”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Z. Costa tha se procesi i reformave duhet të vazhdojë, veçanërisht në sistemin e drejtësisë dhe të prokurorisë, duke shprehur gatishmërinë e zyrës së tij për të dhënë asistencën e saj në kuadër të planit për vendet e rajonit.