E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha gjatë punimeve të Sesionit të 62-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork

“I nderuar zoti President

I nderuar zoti Sekretar i Përgjithshëm

Shkëlqesi, 

Zonja dhe zotërinj, 

Më lejoni zoti President t`ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj si President i sesionit të 62-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara dhe t`ju uroj suksese në këtë detyrë vërtet të rëndësishme. Dëshiroj të falënderoj gjithashtu Presidenten që largohet, Znj. Sheikha Haya Rashed Al Khalifa, nga kjo detyrë, për kontributin e saj të rëndësishëm në Asamblenë e Përgjithshme.

Gjithashtu dëshiroj të falënderoj zotin Ban Ki Mun, Sekretarin e Përgjithshëm për përpjekjet e mëdha në mbështetje të paqes dhe bashkëpunimit, kontributin e tij për konsolidimin e Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve të saj.

Zonja dhe zotërinj,

Si përfaqësues i një vendi që ka kaluar një nga regjimet komuniste diktatoriale më të egra pas Luftës së Dytë Botërore, kam bindjen e thellë se liria dhe vlerat e saj, mbrojtja dhe promovimi i saj, dhe mbështetja për popujt e shtypur për t`u çliruar nga regjimet tiranike që vazhdojnë të gjenerojnë vuajtje njerëzore, varfëri, dhunë dhe terrorizëm, duhet të jetë prioriteti kryesor i kësaj organizate.       

Në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj se Azia Qendrore, Lindja e Mesme, i dhe e gjithë bota janë tani më të lirë dhe më të sigurt pa Mullah Omarin, Sadam Huseinin dhe Sllobodan Millosheviçin.      

Duke përfituar nga ky rast dëshiroj të përsëris mesazhin e shpresës që Presidenti George W. Bush lëshoi nga kjo tribunë për të gjithë popujt e botës që jetojnë ende nën regjimet tiranike.

Zoti President,

Shqipëria është një vend i vogël, por me vokacion dhe vendosmëri të qartë për të forcuar demokracinë dhe lirinë për popullin e saj, si dhe është thellësisht e angazhuar në dhënien e kontributit të saj modest për paqen në botë.

Ne kemi vendosur bashkëpunim me vendet mike dhe organizatat ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit. Në këtë kontekst, njësitë tona paqeruajtëse kanë shërbyer në Bosnje, Gjeorgji, Afganistan dhe Irak. Dëshiroj t`ju informoj se në këtë frymë qeveria ime ka vendosur që të kontribuojë me një togë tjetër me trupa paqeruajtëse në Afganistan.

Gjithashtu Shqipëria ka qenë mbështetëse e rëndësishme e përpjekjeve ndërkombëtare për parandalimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë dhe përdorimin e paligjshëm të armëve të lehta dhe të vogla, të cilat përbëjnë një kërcënim për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në botë. Në këtë kontekst, ne jemi angazhuar për eliminimin e arsenalit tonë të armëve kimike dhe Shqipëria është vendi i parë në botë këtë korrik, pa materiale dhe armë kimike. Shfrytëzoj këtë rast që të falënderoj qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Italinë, Greqinë, Zvicrën, të cilat kanë dhënë një mbështetje teknike dhe financiare të çmueshme për të kryer këtë objektiv mjaft të rëndësishëm.

Zonja dhe zotërinj,

Ne po implementojmë me sukses një numër të rëndësishëm programesh në bashkëpunim me PNUD-in, UNICEF-in dhe agjenci të tjera të Kombeve të Bashkuara.

Shqipëria është bërë tashmë pjesë e iniciativës së ndërmarrë “Një OKB”, duke iu  bashkangjitur në mënyrë vullnetare Programit për “Një OKB”, si një nga vendet pilote. Aktualisht  ne po punojmë me Agjencitë e Kombeve të Bashkuara për të testuar konceptin “Një OKB” dhe për të zhvilluar programe e metoda të reja partneriteti në fushat e zhvillimit, ndihmës humanitare dhe mjedisit. Rezultatet e para të këtij projekti janë shumë inkurajuese dhe ne jemi plotësisht të angazhuar për të bërë çdo përpjekje që kjo iniciativë të rezultojë e suksesshme.  

Dy objektivat kryesore të Shqipërisë janë anëtarësimi në NA dhe në Bashkimin Europian. Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo reformë dhe të ndërmarrim çdo hap të arrijmë këto objektiva. Një vit më parë nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian dhe po punojmë seriozisht në çdo drejtim për të përmbushur standardet dhe obligimet e saj. 

Në të njëjtën kohë, ne ke mi ndërmarrë reforma të thella në Forcat e Armatosura, të asistuar nga vendet anëtare të NA-s, përveç përpjekjeve për forcimin e shtetit ligjor dhe demokracisë në vend. Por, ne jemi optimistë se në samitin e ardhshëm të NA-s në Bukuresht, do të jemi gati të meritojmë ftesën për anëtarësimin në Aleancë.

Zoti President, 

Jo shumë kohë më parë i  ka qenë një skenë çnjerëzore  e luftërave brutale, e spastrimeve etnike, bazuar në konceptin e një vendi më të madh të ushqyer nga nacionalizmi ekstrem dhe racizmi i një kombi, i cili është përfshirë nga ideja e hegjemonisë së tij.

Por, vendet ballkanike në pak vite mundën që të kalojnë nga epoka e diktaturave, urrejtjes dhe konflikteve, në epokën e paqes, miqësisë, bashkëpunimit dhe integrimit.

Unë përfitoj nga ky rast që të falënderoj të gjithë qeveritë dhe taksapaguesit e vendeve të NA-s, BE-së dhe organizatave të OKB-së, ndihma dhe asistenca e të cilëve ishin shumë të rëndësishme për këto ndryshime historike. 

Unë besoj se zgjidhja e statusit të Kosovës, në përputhje të plotë me vullnetin e qytetarëve të saj për pavarësi, është kushti themelor për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm jo vetëm në Kosovë, por për të gjithë rajonin. Shqipëria mbështet plotësisht projektin e Presidentit Ahtisaari, dhe përpjekjet e Trojkës për zgjidhjen e statusit final të Kosovës.  

Për shkak të mungesës së realizmit dhe fantazmës së Serbisë së Madhe, Beogradi nuk pranoi planin e Presidentit Ahtisaari, i cili përcakton dhe garanton standardet më të larta europiane për minoritetin serb në Kosovë, standarde të cilat janë më të avancuara se ato që gëzojnë shqiptarët në jug të Serbisë.

Refuzimi i paketës së Ahtisaarit është i padobishëm dhe provon se Beogradi është më tepër i interesuar për Serbinë e Madhe, sesa liritë dhe të drejtat e serbëve në Kosovë. Një qëndrim i tillë i Beogradit është inkurajuar nga qëndrimi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit ndaj paketës së Ahtisaarit, një qëndrim, që pavarësisht motivacionit të saj, nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon.      

Zonja dhe zotërinj,

Pretendimet se pavarësia e Kosovës përbën një precedent ndërkombëtar, se krijon kushtet për Shqipërinë e Madhe, apo frikën e dy shteteve shqiptare në janë të pabaza.  

Ata që janë të interesuar për realitetin dhe të vërtetën duhet të kuptojnë se Kosova është një rast unik si nga ana historike dhe nga perspektiva aktuale.

Për më shumë se pesë shekuj, nga fundi i shekullit të XIII-të deri në fillim të shekullit të XIX-të, Kosova ka qenë pjesë e Perandorisë Otomane, e banuar nga shqiptarë etnikë, me rrënjët dhe vendbanimet e tyre atje.

Vetëm në fillim të shekullit të kaluar, në një nga padrejtësitë më të mëdha historike, territori i Kosovës u nda nga territoret shqiptare dhe iu dha Serbisë për të vetmen arsye sepse ishte pjesë e një perandorie që humbi luftën.

Kosova është gjithashtu një rast unik në vuajtjen e saj. Gjatë shekullit të kaluar implementimi i doktrinës së Cubrilovicit, e bazuar në racizmin ekstrem dhe zhdukjen e shqiptarëve, e ktheu Kosovën në arenë të spastrimit etnik dhe aparteidit.  

Është një rast unik, sepse gjenocidi i fundit kundër shqiptarëve në vitin 1999, i cili shkaktoi me mijëra vrasje të popullsisë së pafajshme, varre masive, shkatërrime dhe djegie të më shumë se 130 mijë shtëpive, shkollave dhe spitaleve dhe kjo bëri që NA të ndërmarrë ofensivën më të madhe për të mbrojtur të drejtat njerëzore dhe liritë atje.

Gjithashtu Kosova është rast unik nga pikëpamja ligjore, sepse gjatë regjimit të Josif Bros Titos, ajo ishte një entitet kushtetues i Federatës Jugosllave. Gjatë kësaj kohe Kosova gëzonte të drejtën e vetos në qeverinë federale. Gjatë asaj kohe, Kosova kryesoi disa herë Federatën Jugosllave, bazuar në parimin rotacionit të udhëheqjes brenda Jugosllavisë.     

Zonja dhe zotërinj,

Pretendimi se pavarësia e Kosovës mund të çojë në krijimin e Shqipërisë së Madhe nuk është i vërtetë. Në realitet, pavarësia e Kosovës vetëm do ti japë fund fluiditetit të shqiptarëve në dhe idesë së krijimit të një shteti të vetëm shqiptar në territoret ku ata përbëjnë shumicën dërmuese. E vërteta e thjeshtë është se shqiptarët e Kosovës kanë vendosur në projektin e tyre të së ardhmes që të bashkohen me Brukselin dhe jo me Tiranën.

Nga ana tjetër, dëshiroj t`ju garantoj se Shqipëria është e vendosur që të respektojë plotësisht kufijtë ndërkombëtarë të fqinjëve të vet, duke përfshirë edhe kufijtë e Kosovës. Shqipëria është duke bashkëpunuar dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjitha vendet në mënyrë bilaterale duke përfshirë edhe Serbinë në integrimin rajonal europian dhe atlantik.

Unë besoj se shqetësimi ndaj konceptit për dy shtete të pavarura shqiptare në është ksenofobik. Dy shtete demokratike, të banuara nga shqiptarët, do të jenë dy vende mike për fqinjët e tyre.

Zonja dhe zotërinj,

Dëshiroj të nxis udhëheqësit politikë shqiptarë të Kosovës të frenohen dhe të mos marrin veprime të njëanshme.

Ata duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë me komunitetin ndërkombëtar për statusin final të Kosovës, siç kanë bërë deri tani, duke respektuar plotësisht vullnetin e tyre dhe dinjitetin që ata meritojnë.

Dëshiroj të përfitoj nga ky rast të falënderoj udhëheqjen politike të Kosovës për paraqitjen e traktatit të pajtimit, të miqësisë dhe bashkëpunimit me Serbinë, një traktat i frymëzuar nga vlerat më të larta të Europës.

Shpresoj dhe uroj që Serbia ta pranojë këtë mundësi të rëndësishme, sepse besoj se paqja dhe bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe serbëve në është në interesin më të mirë të kombeve tona dhe gjithë rajonit.

Ju faleminderit !”   

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›